Teatri i Lorkës emocionon në Butrint
Përfundon edicioni i 14-të i Festivalit Ndërkombëtar të Teatrit “Butrint 2000”
Edicioni i 14-të i Festivalit Ndërkombëtar të Teatrit “Butrint 2000” mbylli mbrëmë siparin, pas katër netësh që bënë bashkë në qytetin e Sarandës, emra të njohur të teatrit. Festivali u hap me veprën “Made in Albania”, shkruar nga Stefan Ccapaliku dhe me regji të Altin Bashës. Pas suksesit në skenën e Teatrit Eksperimental “Kujtim Spahivogli”, “Made in Albania” është pritur mirë nga publiku, në skenën e amfiteatrit të Butrintit. Një vepër e cila mbart problemet e kohës së sotme, sjellë me një koncept regjisorial që e sjell më afër publikut, “Made in Albania” është dhe si një metaforë për atë çfarë jeton shoqëria sot, duke gjetur brenda një shfaqje elementë të shumë problemeve me të cilat përballemi çdo ditë, deri tek kritika mbi rolin që ka media duhet këtë situatë. Në role kryesorë në këtë dramë interpretojnë aktorët Zyliha Miloti, Luftar Paja, Florian Agalliu, Albana Koco, Aljona Aga, etj. Në ditën e dytë të festivalit në skenë u ngjit Orkestra Simfonike e qytetit të Korfuzit, nën drejtimin e dirigjentit Alkis Baltos. Dita e tretë i ka takuar sërish muzikës. Koreografi Gjergj Prevazi ngjiti në skenë shfaqjen “Reflekt” dhe “Vote”, të cilat sollën atmosferë tjetër tek publiku. Festivali u mbyll me veprën “Dasma e gjakut” me autor Federico Garcia Lorca me regji të Irina Kouberskaya, shfaqje e teatrit të Madritit, Spanjë.
Aktorët spanjollë kanë sjellë një performancë që ka ngritur në këmbë publikun duke duartrokitur gjatë. Sipas regjisores Kouberskaya kjo shfaqje u realizua posaçërisht për tu ngjitur në skenën e Butrintit. Pas disa problemeve që ka pasur lidhur me mungesën e fondeve, Festivali Ndërkombëtar i Teatrit “Butrint 2000” vitet e fundit është realizuar me shkëputje. Mungesa e financimeve u ndje edhe këtë vit, ku në një festival teatri ishin vetëm dy shfaqje teatrale që u ngjitën në skenë, dhe nga këto një ishte shqiptare. Me fizionominë e krijuar ndër vite, ky festival po përpiqet të mbijetojë për të shpëtuar traditën, e cila e kthen çdo verë qytetin e Sarandës, në qytetin e teatrit. Vetë drejtori i këtij festivali regjisori Alfred Bualoti, është drejtuar shpesh herë me letër publike përfaqësuesve të shtetit, për të shpëtuar këtë festival nga mbyllja. Vitin tjetër është jubileu i 15-të i këtij festivali, i cili tashmë ka nisur të identifikohet si një festival i njohur në rajon.