Termocentralet dhe industria, përfituesit e parë nga TAP
Ekspertë të Ministrisë së Energjise dhe Industrise (MEI) shprehe se, përfitues të parë të gazit që vjen nga TAP do të jenë termocentralet dhe industria.
Dritan Spahiu, drejtori i Hidrokarbureve, MEI, thote se, “Do të kemi prodhimin e energjisë elektrike nga termocentralet me gaz natyror, siç është termocentrali i Vlorës, i cili është klasifikuar si prioritet kryesor. Si dhe do të kemi edhe furnizimin e klientëve industrialë me gaz natyror”.
Sipas tij, furnizimi i konsumatorit familjar me gaz natyror, që do të vijë përmes gazsjellësit TAP, kerkon një periudhë afatmesme.
Shqipërisë i duhet një investim i madh për të ndërtuar tubacionet e transmetimit dhe shpërndarjes.
“Ministria e Energjisë shpreson që brenda 10 viteve të kemi një rrjet të transmetimit, shpërndarjes dhe furnizimit për familjarët. Kjo do të jetë edhe në varësi të modelit të biznesit që do të ndiqet”, shprehet Spahiu.
Shtrirja e rrjetit të shpërndarjes, thote ai, mund të ndihmojë nëse do të ndërtoheshin degëzimet e TAP që do të çonin gazin në Kosovë dhe Mali e Zi, dy projekte që janë ende në fazë studimi.