Thaçi në New York Times: Sulmi në Mynih ka prekur zemrat tona
Vendimi i presidentit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, për të shpallur ditën e sotme ditë zie në Kosovë, në nderim të viktimave të sulmit të djeshëm në Mynih, ku në mesin e viktimave janë edhe shtetas të Kosovës, dhe në solidarizim me popullin gjerman, ka bërë jehonë në medie të shumta ndërkombëtare.
Agjencia gjermane e lajmeve “DPA” raporton se “në përgjigje të masakrës në Mynih, Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka shpallur të dielën ditë zie në Kosovë”. Sipas dekretit presidencial, njofton DPA, ky vendim vjen si një shprehje e dhembshurisë për tre viktimat shtetas të Kosovës dhe si shenjë solidariteti me Gjermaninë.
Javor gjermane “Die Zeit” shkruan se një ditë pas të shtënave të tërbuara në Mynih, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka shpallur ditë zie në mbarë vendin. Në mesin e nëntë të vdekurve, tre janë me prejardhje nga Kosova, njofton Die Zeit. Die Zeit e citon presidentin Thaçi i cili ka thënë se viktimat nga Kosova janë heronj të luftës për liri dhe vlerat e përbashkëta evropiane dhe se sulmi në Mynih ka “ka prekur zemrat tona dhe ndërgjegjën e Evropës.
Në mesin e medieve të shumta gjermane që kanë raportuar për vendimin e presidentit Thaçi për të shpallur ditën e sotme ditë zie në mbarë vendin janë edhe e përditshmja “Die Welt”, gazeta “Bild”, televizioni gjerman “NTV”, e kështu me radhë.
Ndërkaq, gazeta prestigjioze amerikane “New York Times” raporton se Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, e ka shpallur të dielën ditë zie për viktimat e sulmit në Mynih dhe është shprehur se viktimat nga Kosova janë heronj të luftës për liri dhe vlerat e përbashkëta në Evropë. “Ky akt i dhunës ka prekur zemrat tona dhe ndërgjegjen e Evropës”, New York Times citon presidentin Thaçi.
Edhe gazeta britanike “The Independent” the televizioni britanik “Sky” kanë raportuar për vendimin e presidentit Thaçi për të shpallur ditën e sotme ditë zie për viktimat e sulmit në Mynih, ku në mesin e viktimave janë edhe tre shtetas të Kosovës.