Albspirit

Media/News/Publishing

Wikileaks zbulon prapaskenat kundër Bernie Sanders në Partinë Demokrate

 

Ruben Avxhiu

Fronti i shërbimit sekret rus çorodit kampin anti-Trump në prag të Kuvendit Kombëtar Demokrat

 

Kryetarja e Komitetit Kombëtar Demokrat, Debbie Wasserman Schultz nuk do të mbajë fjalim në Kuvendin e Partisë. Ky rast i paparë në historinë e partive politike amerikane shënon kryetaren Schultz i viktimën e parë, të përçarjeve dhe politikave të brendshme në parti të zbuluara nga një tufë prej mijëra mesazh elektronike, emails, të botuara nga Wikileaks.
Disa javë më parë hakera nga Rusia çmontuan sigurinë e rrjeteve kompjuterike të Komitetit Kombëtar Demokrat dhe vodhën të dhënat e anëtarësh, aktivistësh, donatorësh dhe shkëmbimbet e brendshme të drejtuesve, shkruan gazeta shqiptare “Illyria”, në New York.
Këto tani janë bërë publike në faqen e internetit të Wikileaks, një organizate që besohet se prej kohësh është kthyer në një front të shërbimeve sekrete të Rusisë.
Mesazhet besohet se po nxjerrin në pah se si Komitetit Kombëtar është treguar i njëanshëm, në garën demokrate, duke mbështetur Hillary Clinton dhe madje duke sabotuar rivalin e saj Bernie Sanders.
Kjo do të dëmtojë përpjekjet e partisë për të pajtuar të dy krahët, gjë që do të fillonte në Kuvendin Kombëtar.
Shumë mbështetës të Senatorit Sanders kanë thënë se nuk do të votojnë për Hillary Clinton. Kjo bindje mund të forcohet nëse më shumë informacione diskretituese dalin nga postimet në Wikileaks.
Kryetarja demokrate, Debbie Wasserman Schultz, që u anashkalua në listën e fjalimeve, mund të jetë duke u hequr nga kreu i partisë. Vetë Sanders foli pa ekuivoke në këtë drejtim.
“Mendoj se duhet të japë doreheqjen. Pikë. Dhe mendoj se na duhet një kryetar i ri që të na udhëheqë drejt një rruge të re”, tha Senatori i Amerikës, Sanders, gjatë një interviste në ABC.
Sanders dhe kryetarja që shumë demokratë e thërrasin vetëm me inicialet, DWS, kanë shkuar keq me njëri-tjetrin që nga fillimi i garës. Këto zbulime vetëm sa kanë konfirmuar dyshimet dhe akuzat e tij se nuk po bëhej një gara e barabartë.
Zbulimet nga Wikileaks shihet nga disa analistë si një akt i dëshpëruar i Vladimir Putinit që shpreson shumë te fitorja presidenciale e Donald Trump, kandidatit republikan që ka paralajmëruar një kthesë në marrëdhëniet me Rusinë. Kjo perspektivë ka shqetësuar opinionin publik sidomos në Europën Lindore, ku druhen nga agresiviteti i Rusisë, sidomos pas aneksimit të Krimesë dhe nxitjes luftës civile në Ukrainë.
Kuvendi Kombëtar i Partisë Demokrate fillon nesër, në Philadelphia. Sanders do të flasë në ditën e parë, bashkë me Zonjën e Parë, Michelle Obama. (Ruben Avxhiu)

Please follow and like us: