Xhoana Papakostandini: Brexit
Pas votës së Referendumit së 23 qershorit, paqartësia që karakterizoi fushatën për daljen e Britanisë së Madhe nga Bashkimi Europian, duket akoma më e thellë. Mbështetësit e Brexit, të ndihmuar nga një pjesë e shtypit popullor, paraqiten një portret jo real të vendit, një Britani të pushtuar nga emigrantët, një vend me sovranitet të cunguar, fondet publike të të cilit drenohen drejt Brukselit. Argumentet ksenofobe, panjohuria e benefiteve që MB përfiton nga Bashkimi Europian, nostalgjia e perandorisë së humbur dhe e një botë që nuk ekziston më, kriza që përjetojnë vetë institucionet e BE-se, revolta ndaj elitës politike vendase, janë vetëm disa nga arsyet që mund të shpjegojnë këtë rezultat.
Pyetje lindin mbi vetë legjitimitetin e një referendum popullor për çështje kaq komplekse, degëzimet e pasojat e të cilave janë me mijëra e pa precedentë historike e që ndoshta mund ta cilësojmë një abuzim të demokracisë.
Askush nuk e ka sot të qartë se cila është strategjia e daljes nga BE. Pa përmendur pasojat ekonomike të daljes nga BE, desha të ndalem në disa aspekte gjeopolitike të fazës post-referendum: Cili është skenari i marrëdhënieve të reja të MB-së me BE? A do t’i mbijetojë vetë Mbretëria e Bashkuar këtij skenari cilido qoftë duke konsideruar se Skocia ka filluar që sot lobimet në BE për tu anëtarësuar veçmas me një status ad hoc? Si do të menaxhohet rivendosja e kufirit mes Irlandes Veriut (MB) e Republikës së Irlandës e si do të ndikojë kjo në procesin e brishtë të paqes në atë krahinë, proces i ndërmjetësuar pikërisht nga bashkëanëtarësia e MB-së dhe Irlandës në BE.( Me daljen e MB-së nga BE, Irlanda hyn automatikisht në zonën Schengen.) A ka ngjasë që shembulli britanik të krijojë një precedent të rrezikshëm Brenda BE-së që mund të shkaktojë një efekt domino në vende të tjera anëtarë? Apo në fakt do të jetë forca shtysë për të ndërmarrë reformimin e shumëpritur të institucioneve të Brukselit? Si do të ndryshojnë ekuilibrat e aleancat gobale ndërkohë që të gjithë liderët perëndimorë e të Commonwealth-it që nga Kanadaja, Australia, deri te shtetet e vogla të Paqësorit, qenë shprehur qartë në favor të qëndrimit të MB-së në BE?
Si gjatë fushatës ashtu edhe tani askush nga Brexiters nuk ka përgjigje për këto çështje. Le të shpresojmë vetëm që pasojat e një veprimi demokratik në princip, sic është referendumi, të mos i japin shah mat vetë demokracisë duke lënë shtigje të hapura për forca ekstremiste të errëta që shfrytëzojnë pikërisht krizat ekonomike e ndjenjat e pasigurise e frikes te ngjallura tek populli. Eshte pikërisht kundër këtyre ekstremizmave e hirit të luftërave në kontinent që lindi ai projekt vizionar paqeje e stabiliteti që sot quajmë Bashkimi Europian e në të cilin gjysma e shtetasve britanikë së bashku me miliona evropiane të tjerë akoma besojnë.