Albspirit

Media/News/Publishing

Zarathustra IV-2, BRITMA PËR NDIHMË

 

Perktheu Lluka Qafoku

Të nesërmen Zarathustra po rrinte përsëri i ulur mbi gurin përpara shpellës, ndërsa gjallesat kishin dalë për të shëtitur botën, për të sjellë ushqime si edhe mjaltë në shtëpi, sepse Zarathustra e kishte konsumuar dhe shpërdoruar mjaltin e vjetër deri në fund. Po ndërsa po rrinte me shkop në dorë, duke lënë gjurmë në tokë me hijen e tij, i zhytur në mendim të thellë, a mbi veten apo mbi hijen e tij- papritur u trëmb dhe kërceu përpjetë: sepse pranë hijes së tij kishte shquar një hije tjetër.

Dhe akoma s’kishte parë mirë rretheqark dhe s’ishte çuar mirë në këmbë kur iu shfaq pranë profeti, ai që dikur kishte ngrënë dhe kishte pirë në tavolinën e tij, predikuesi i lodhjes së madhe, që i mësonte njerēzit kështu: Gjithçka është e barabartë, asgjë s’ja vlen, bota s’ka kuptim (synim), dija të mbyt. Por ndërkaq fytyra i kishte ndryshuar: dhe kur Zarathustra e pa në sy, zemra përsëri iu trand, aq shumë lajme të këqia dhe vrerosje varrimesh përshkonin atë fytyrë. Profeti, që e perceptonte atë që ndodhte në shpirtin e Zarathustrës, e kaloi dorën mbi fytyrë, si të deshte ta fshinte këtë të fundit nga shprehitē: njësoj veproi edhe Zarathustra. Dhe kur të dy, pa bërë asnjë lëvizje, e rimorën veten, i dhanë dorën njëri-tjetrit duke nënkuptuar se donin të rinjiheshin mes tyre.

“Mirseerdhe” tha Zarathustra, “o profet i lodhjes së madhe, jo më kot ke qënë njëherë për drekë miku i shtëpisë sime. Edhe sot ulu e ha dhe pi, dhe bëj kabull që ke shok tavoline një plak gazmor!”.

– “Një plak gazmor?” u përgjigj profeti duke tundur kokën

“Kushdo të jesh ti, apo të duash të jesh, o Zarathustra, shumë, shumë e ke zgjatur këtu lart,- shpejt barka jote nuk do të jetë më në të thatë!”

-“Mos jam gjë unë në të thatë?”- pyeti duke qeshur Zarathustra.

“Tallazet rreth malit tënd ngjiten e ngjiten, tallaze të një nevoje të madhe dhe të një trishtimi të madh: shpejt ata do ta ngrejnë edhe barkën tënde dhe do ta çojnë larg që këtej”

– Këtu Zarathustra heshti dhe u çudit.-“Akoma s’po dëgjon gjë?” vazhdoi profeti “ A nuk dëgjon si vjen nga thellësitë zhaurima e ujrave dhe një gjëmë?”-

Përsëri heshti Zarathustra dhe ngriti veshët: dhe atëhere dëgjoi një britmë të gjatë, të gjatë që një humnerë ja përcillte një humnere tjetër, sepse asgjë nuk i dilte për zot: aq mizorisht kumbonte britma.

“ O ambasador kobëzi”, më në fund u shpreh Zarathustra “ kjo është një thirrje për ndihmë, është britma e një burri që duket sikur vjen nga një det i ngrysur. Por mua ç’më duhet mjerimi njerëzor? Mëkati i fundit imi, që deri më sot më ka kursyer, a e di se si quhet?” “ Mëshira” u përgjegj profeti me gjithë zemër duke i ngritur krahët drejt qiellit- “o Zarathustra, unë kam ardhur të të tundoj me mëkatin tënd të fundit!”- Dhe sapo u shqiptuan këto fjalë britma rijehoi edhe një herë, edhe më e gjatë dhe mē e ankthshme se sa e para, dhe shumë më afër.

”A e dëgjon? A e dëgjon, o Zarathustra?” bërtiti profeti “ thirrja është për ty, ajo të grish ty: eja, eja, eja, koha erdhi, erdhi tashmë koha!”- Atëhere Zarathustra heshti, i hutuar dhe i tronditur; më në fund pyeti, si i zënë në faj:”Kush na qënka ai që më thërret nga poshtë?” “ Po ti e di mirë , stuhishëm ju përgjegj profeti, pse po na fshihesh? Njeriu superior po të thërret! “ “ Njeriu superior?” bërtiti Zarathustra gjithë llahtar “ Çfarë na dashka ky? E çfarë na dashka ky? Njeriu superior? Çfarë na dashka këtu lart?”- dhe u mbush me djersë.

Po profeti nuk ju përgjegj ankthit të Zarathustrës dhe i ngriti veshët duke dëgjuar humnerën. Por pasi ky mbeti i heshtur për një kohë të gjatë, ai e ktheu vështrimin dhe e pa para vetes Zarathustrën, që qëndronte duke u dridhur.

“ O Zarathustra, filloi të flasë me një zë plot trishtim, mos më rri këtu para meje si ai që lumturia e bën të sillet vërdallë: do të të duhet të vallëzosh që të mos më biesh përtokë! Po edhe sikur të deshe të vallëzoje para meje me të gjithë numrat e tu: askush s’duhet të më thotë “Ja, po vallëzon i fundmi i të kënaqurve!”

Më kot do të ishte shtyrë deri në këtë lartësi ai që do ta kërkonte këtu atë njeri: do të gjente veç guva, guva pas guvash, strofka e strofka dhe jo miniera lumturie, thesarë dhe shtresa të reja armbajtëse lumturie. Lumturi- e si gjëndet lumturia pranë këtyre të varrosurve të gjallë, pranë këtyre murgjve! Apo mos duhet ta kërkoj lumturinē e fundit ndër ishuj të bekuar në dete të harruar? Po gjithçka është e barabartë, për asgjë s’ja vlen mundimi, s’ka duk kërkimi dhe as ishujt e bekuar nuk egzistojnë më!”

– Kështu psherëtinte profeti, por në psherëtimën e tij të fundit Zarathustra u kthye prapë i kthjellët dhe i sigurt në vetvete, si ai që nga një shpellë e thellë në dritë ridel. “Jo! Jo! Jo! Tre herë jo! “ briti zëlartë duke drejtuar mjekrën “ këtë unë e di më mirë se ti! Akoma egzistojnë ishuj të lumë, të bekuar!Për këtë mbylle gojën, o thes psherëtitës trishtimi! Mos më shih vëngër për këtë, o re shiu mëngjezor! A nuk jam bërë tashmë qull me trishtimin tënd dhe si qen po hungëroj? Tani po shkundem dhe po iki me vrap larg teje, që të mund të thahem dhe nuk duhet të habitesh për këtë! Nuk po na sillem si oborrtar? Po këtu jemi në oborrin tim. Dhe përsa i përket njeriut tënd superior: para! Po fluturoj ta kërkoj në këta pyje: që andej vinte britma e tij. Ndoshta po e sulmon ndonjë bishë e egërsuar. Ai ndodhet mbi territorin tim: pandaj nuk duhet të vuajë asnjë dëmtim! Vërtet, nga anët e mia ka shumë bisha të egërsuara”,

Me këto fjalë Zarathustra bëri të vihej në udhë. Atëhere profeti i tha “O Zarathustra, ti je një horr! E kam kuptuar: ti do të më heqësh qafe! Preferon të endesh pyjeve dhe tu ngresh kurthe bishave të egra! Po kjo a të bën fajde? Në mbrëmje prapē tek ty do të vij; do të ulem tek shpella jote, i duruar, rëndë-rëndë si një cung- duke të pritur!”

“Ashtu qoftë!” u gjegj duke u larguar Zarathustra “Ajo që është e imja në shpellë të përket edhe ty, o miku im! Nëse gjen akoma mjaltë, lëpije të gjithën, o ari grindavec dhe ëmbëlso kështu shpirtin tënd!

Në fakt sonte dua që të dy ne të jemi me humor të mirë. -me humor të mirë dhe të gëzuar që mbaroi kjo ditë? Dhe ti do të vallëzosh si një ari që unë e bëj të vallëzojë, kur të këndoj këngët e mia. Nuk e beson? Po tund kokën? Hajde, hajde, o ari plak! Se edhe unë- profet jam”.

Kështu foli Zarathustra

Please follow and like us: