80 mijë USD për foto me Obamën, tjetër dëshmitar tregon si u transferuan paratë
Përveç shqiptaro-amerikanit që jeton në Nju Xhersi, Bilal Shehu, një tjetër person ka treguar të vërtetën e donacionit 80 mijë USD në fushatën e Presidentin Obama në vitin 2012.
William Argeros 57 vjeç pranoi sot para Gjykatës se kishte gënjyer në vitin 2015 dhe se ai ka patur gisht në transferimin e 80 mijë USD. Sipas dëshmisë së tij në Gjykatën Federale në Newark, 57-vjeçari sqaroi se ka ndërhyrë për të lehtësuar transferimin e shumës së parave. Argeros, ka pranuar se u ka treguar nënshtetasve të huajë si të bëjnë transferimin e shumës dhe si të bëjnë pagesën te komiteti.
Më 29 qershor të këtij viti, Bilal Shehu pranoi se kishte dhuruar 80 mijë Dollarët që i kishin shkuar në llogari nga një burim i panjohur. Ky donacion për fushatën e Obamës, mundësoi edhe pjesëmarrjen e Edi Ramës në atë aktivitet, i cili realizoi edhe foton e shumëdebatuar me Presidentin amerikan.
Prokurorët amerikanë nuk e kanë identifikuar në mënyrë specifike burimin e jashtëm të parave. Hetuesit thanë gjithashtu se shtetasit të huaj në këtë rast iu refuzua hyrja në fushatë, por ishte lejuar që të fotografohej me Obamën.
Ligji në Amerikë ndalon shtetasit e huaj që të dhurojnë donacione për fushatat presidenciale në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.