Albspirit

Media/News/Publishing

Abuzimet dhe kallëzimi penal/ Pse nuk arrestohet drejtori i rrugëve?

Drejtori i Autoritetit Rrugor Dashamir Xhika është një nga zyrtarët më të akuzuar dhe të përfshirë në skandale, por as nuk shkarkohet nga detyra dhe as nuk arrestohet.

Madje emri i Xhikës rezulton i marrë nën hetim edhe nga Prokuroria e Kavajës për aksidentin tragjik të ndodhur në aksin Plepa-Golem, ku dy fëmijë humbën jetën.

Ky është një nga rastet kur emri i Drejtorit të Autoritetit Rrugor rezultoi i implikuar për shkak të mos zbatimit të një vendimi të prerë gjykate, për të vendosur mbrojtëset anësore në aksin ku ndodhi aksidenti.

Por Xhika është akuzuar qoftë nga opozita ashtu edhe nga institucionet shtetërore, në lidhje me abuzimet me fondet e rrugëve. Një vit më parë Autoriteti i Konkurencës ka depoziuar në prokurori një padi ndaj kreut të Autoritetit Rrugor, për dy tendera rruge me vlerë 1.3 miliardë lekësh.

Padia e Autoritetit të Konkurencës ka të bëjë me tenderat e zhvilluar në 7 dhe 9 Shtator 2015, me objekt “përmirësimin dhe rifreskimin e sinjalistikës rrugore” në akset Vorë-Hani Hotit dhe Rrogozhinë-Kapshticë, përkatësisht me vlerë të përafërt 5 milionë dhe 8 milionë dollarë.

Po kështu, Kontrolli i Lartë i Shtetit ka paditur në prokurori në shkurt të 2016, Drejtorin e Autoritetit Rrugor Shqiptar, Dashamir Xhika dhe i kërkon qeverisë shkarkimin e tij për shkak të shkeljeve të dispozitave ligjore e nënligjore në fuqi, sidomos në fushën e prokurimeve dhe zbatimin e kontratave të infrastrukturës rrugore.

Ai akuzohet se i ka shkaktuar shtetit një dëm rreth 634 milionë lekë ose 4.5 milionë euro. Kërkohet hetim dhe për 5 punonjës të tjerë të këtij institucioni.

Sipas KLSH-së dëmi ka ardhur kryesisht nga mungesa e supervizimit gjatë zbatimit të projekteve në infrastrukturën rrugore. Shkeljet kanë të bëjnë edhe me projektin e zgjerimit të superstradës Tiranë- Durrës, por dhe për ndërtimin e rrugës By Pass Plepa – Kavajë – Rrogozhinë (lotet 4 deri 11).

Nga auditimi rezultoi që fondi limit i prokurimit “Studim, projektim zgjerimi i Superstradës Tiranë – Durrës” është rritur artificialisht në vlerën 100,001,686 Lekë përfituar padrejtësisht nga operatori ekonomik fitues i prokurimit.

Referuar këtyre 3 rasteve, rezulton që Dashamir Xhika është ndër të paktët zyrtarë i paditur dhe i akuzuar jo vetëm meditiakisht dhe politikisht, por së paku nga dy institucione, Autoriteti i Konkurencës dhe KLSH, padi të cilat kanë mbetur siç duket jashtë vëmendjes së Prokurorisë.

Por gjithashtu, jashtë vëmendjes ka mbetur edhe kërkesa për shkarkimin e Xhikës nga detyra e Drejtorit të Autoritetit Rrugor, ku qeveria duket se nuk merr dot vendimin siç e kërkon KLSH. Atëherë lind pyetja kush e mbron Dashamir Xhikën edhe nga hetimi i Prokurorisë edhe nga shkarkimi?

Xhika është nën varësinë e ministrit të Transporteve, Edmond Haxhinasto, ndërsa në zgjedhjet parlamentare të 2013-ës ishte kandidat për deputet në listën shumëemërore të LSI-së  për Qarkun e Elbasanit, e kryesuar nga ministri aktual i Transporteve. /citynews/

Please follow and like us: