Albspirit

Media/News/Publishing

Afatet e reformës: Ja çfarë ndodh në shtator

seancaBrenda 5 ditëve nga hyrja në fuqi të ndryshimeve kushtetuese Presidenti duhet të hedh shortin për të përzgjedhur anëtarët e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi. Më pas zgjidhet Inspektori i Lartë i Drejtësisë dhe më pas KLGJ dhe KLP. Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit dhe i gjithë procesi i Vettingut duhet të nisë të funksionojë brenda 45 ditëve nga hyrja në fuqi e ligjit, që i bie brenda muajit shtator

Ndryshimet kushtetuese të miratuara me konsensusin e plotë të të gjitha palëve të përfaqësuara në Kuvend do të nisin të zbatohet jo më vonë se 5 ditë nga hyrja në fuqi e tyre.

Duke marrë parasysh kohën që duhet për t’u botuar në Fletoren Zyrtare dhe atë të hyrjes në fuqi të tyre, me shumë mundësi zbatimi i këtyre ndryshimeve do të nisin në fillim të muajit shtator. Dhe puna do të nisë pikërisht me ngritjen e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, i cili për herë të parë duhet të ngrihet 5 ditë nga hyrja në fuqi e ligjit.

Më konkretisht Presidenti i Republikës, brenda pesë ditëve nga hyrja në fuqi e këtij ligji, zgjedh me short anëtarët e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi.

Ndërkohë që nëse Presidenti i Republikës nuk e ushtron këtë të drejtë dhe nuk arrin të përzgjedhë anëtarët brenda pesë ditëve nga hyrja në fuqi e këtij ligji, në lojë hynë Kryetari i Kuvendit, i cili i zgjedh ata me short brenda dhjetë ditëve nga hyrja në fuqi e këtij ligji.

Të zgjedhurit qëndrojnë në detyrë deri në datën 31 dhjetor të këtij viti.

Ndërkohë që Avokati i Popullit do të ketë në këtë proces një rol vëzhgues në procedurën e shortit, si dhe në mbledhjet dhe veprimtarinë e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi.

Menjëherë pas zgjedhjes anëtarët e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi do t’i nënshtrohen menjëherë, procesit të rivlerësimit kalimtar të kualifikimit për gjyqtarë dhe prokurorë.

Këshilli i Emërimeve në Drejtësi ka për detyrë të kryejë verifikimin e kushteve ligjore dhe vlerësimin e kritereve profesionale e morale të kandidatëve për Inspektor të Lartë të Drejtësisë, si dhe të kandidatëve për anëtarë të Gjykatës Kushtetuese.

Këshilli i Emërimeve në Drejtësi shqyrton dhe rendit kandidatët sipas meritës profesionale. Renditja e kandidatëve nuk është e detyrueshme me përjashtim të rastit kur nuk arrihet të emërohet kandidati.

Ai përbëhet nga 9 anëtarë të përzgjedhur me short, nga radhët e gjyqtarëve dhe prokurorëve, ndaj të cilëve nuk është dhënë masë disiplinore.

Ata ushtrojnë detyrën me mandat një vjeçar, që fillon në datën një janar të çdo viti kalendarik.

Për rastet e tjera Presidenti i Republikës përzgjedh me short, midis datave 1 dhe 5 dhjetor të çdo viti kalendarik, dy gjyqtarë nga Gjykata Kushtetuese, një gjyqtar nga Gjykata e Lartë, një prokuror nga Prokuroria e Përgjithshme, dy gjyqtarë dhe dy prokurorë nga gjykatat e apelit si dhe një gjyqtar nga gjykatat administrative.

Nëse Presidenti i Republikës nuk arrin të zgjedhë anëtarët deri në datën 5 dhjetor, Kryetari i Kuvendit i zgjedh ata me short brenda datës 10 dhjetor të atij viti kalendarik.

Gjithashtu edhe veprimi i dytë që buron nga këto ndryshime kushtetuese i takon sërisht Presidentit. Kësaj here ka të bëjë me Gjykatën Kushteutese.

Presidenti ka të drejtën që me hyrjen në fuqi të këtyre ndryshimeve të bëjë emërimin e një prej anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese për të plotësuar vakancën e parë që gjendet në këtë gjykatë.

Sipas dispozitave kalimtare të këtyre ndryshimeve përcaktohet se anëtari i parë për t’u zëvendësuar në Gjykatën Kushtetuese emërohet nga Presidenti i Republikës, i dyti zgjidhet nga Kuvendi dhe i treti emërohet nga Gjykata e Lartë.

Kjo radhë ndiqet për të gjitha emërimet që do të bëhen pas hyrjes në fuqi të këtij ligji. Me qëllim përtëritjen e rregullt të përbërjes së Gjykatës Kushtetuese, gjyqtari që do të zëvendësojë gjyqtarin, të cilit i mbaron mandati në vitin 2017, do të qëndrojë në detyrë deri në vitin 2025 dhe gjyqtari i ri që do të zëvendësojë gjyqtarin, të cilit i mbaron mandati në vitin 2020, do të qëndrojë në detyrë deri në vitin 2028.

Gjyqtarët e tjerë të Gjykatës Kushtetuese emërohen për të gjithë kohëzgjatjen e mandatit, sipas ligjit.

Institucioni i dytë që në bazë të këtyre ndryshimeve duhet të ngrihet është ai i Inspektorit të Lartë të Drejtësisë.

Sipas Kushtetutës së rinovuar Inspektori emërohet brenda gjashtë muajve nga hyrja në fuqi e këtij ligji.Vetë ky përkufizim vendos kufirin maksimal të ngritjes së këtij institucioni, por lë të hapur mundësinë që nëse ka vullnet ai mund të zgjidhet më parë.

Dy institucione të tjera që janë në radhë për t’u ngritur sipas afateve ligjore të përcaktuar në këto ndryshime kushtetuese janë Këshilli i Lartë Gjyqësor dhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë.

Të dyja këto institucione të rëndësishme të sistemit të drejtësisë duhet të ngrihen brenda 8 muajve nga hyrja në fuqi e këtyre ndryshimeve.

Anëtarët e Këshillit të Lartë të Drejtësisë e përfundojnë mandatin e tyre pas krijimit të Këshillit të Lartë Gjyqësor, por jo më vonë se zgjedhja e të gjithë anëtarëve të Këshillit të Lartë Gjyqësor, sipas ligjit.

Ndërkohë që vetë Presidenti i Republikës vazhdon të qëndrojë Kryetar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë deri në krijimin e Këshillit të Lartë Gjyqësor brenda 8 muajve nga hyrja në fuqi e këtij ligji.

Me krijimin e Këshillit të Lartë Gjyqësor, Presidenti emëron gjyqtarët e Gjykatës së Lartë.

 

 

Vettingu, Presidenti duhet të zgjedhë komisionerët brenda 45 ditëve

Ligjvënësit shqiptarë nuk kanë lënë një afat konkret se kur duhet të fillojë të veprojë Operacioni ndërkombëtar i Monitorimit dhe procesi i Vettingut i cili është edhe thelbi i gjithë reformës në drejtësi.

Në aneksin e ndryshimeve kushtetuese të miratuara javën e shkuar nuk parashikohet koha e hyrjes së në fuqi e neneve që e përbëjnë atë, ndaj dhe nuk dihet nëse ky aneks do të hyjë në fuqi bashkë me ndryshimet e tjera kushtetuese.

Por nëse do të merret i mirëqenë hyrja në fuqi bashkë me ndryshimet e tjera, atëherë Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit dhe i gjithë procesi i Vettingut duhet të nisë të funksionojë brenda 45 ditëve nga hyrja në fuqi e ligjit, pra çka i bie brenda muajit shtator.

Kështu sa i përket ardhjes së ekspertëve ndërkombëtar ë të Operacionit të Monitorimit ajo varet direkt nga marrëveshja që do duhet të nënshkruajë qeveria jonë me institucionet ndërkombëtare që do vënë në dispozicion ekspertët e drejtësisë.

Kjo pasi këto ndryshime përcaktojnë që Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit i ushtron detyrat e veta sipas marrëveshjeve ndërkombëtare.

Ndërkohë që Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, Kolegji i Posaçëm i Apelimit dhe të Komisioneri Publik, zgjidhet pas një procesi të hapur aplikimesh që organizohet nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë. Kandidatët i paraqesin Presidentit aplikimet dhe të gjitha deklaratat shoqëruese, sipas ligjit.

Brenda 7 ditëve nga përfundimi i procesit të aplikimit, Presidenti përpilon një listë me kandidatë të cilët plotësojnë kriteret formale për secilin pozicion dhe një listë me kandidatë të cilët nuk i plotësojnë kriteret formale. Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit monitoron këtë proces.

Nëse Presidenti nuk e përfundon procesin brenda 45 ditëve nga hyrja në fuqi e këtij Aneksi, kjo kompetencë i kalon Avokatit të Popullit. Pra ligji i vendos kreut të shtetit afat 45 ditor për të realizuar gjithë procesin e përzgjedhjes së anëtarëve të KPK-së, KPA si dhe Komisionerit Publik.

 

Ndryshimet në Kushtetutë, shkrihen gjykata dhe prokuroria e Krimeve të Rënda

Një sërë ndryshimesh pritet të shënojnë edhe disa nga gjykatat apo edhe institucionet e tjera të sistemit të drejtësisë.

Kështu me hyrjen në fuqi të këtij ligji Gjykata e Shkallës së Parë për Krimet e Rënda dhe Gjykata e Apelit për Krimet e Rënda do të emërtohen, funksionojnë dhe ushtrojnë kompetencat e gjykatës së shkallës së parë dhe të gjykatës së apelit brenda dy muajve nga krijimi i Këshillit të Lartë Gjyqësor.

Transferimi i çështjeve do të bëhet në përputhje me ligjin. Gjyqtarët në detyrë pranë këtyre gjykatave do të transferohen në gjykata të tjera, në rast se ata ose familjarët e tyre të afërt nuk japin pëlqimin për rishikimin periodik të llogarive të tyre financiare dhe telekomunikimeve vetjake.

Po ashtu edhe prokurorët pranë Prokurorisë së Posaçme do të emërohen brenda dy muajve nga krijimi i Këshillit të Lartë të Prokurorisë, sipas ligjit.

Pas krijimit të Prokurorisë së Posaçme, Prokuroria për Krimet e Rënda do të pushojë së funksionuari.

Transferimi i çështjeve në hetim dhe gjykim do të kryhet sipas ligjit.

Please follow and like us: