Furtunë në Tiranë, rrëzohen pemë, bllokohen rrugët
Shiu i dendur dhe stuhia pushtoi për disa minuta kryeqytetin pasditen e sotme. Raportohen pemë të rrëzuara në zona të ndryshme në Tiranë. Nga stuhia janë dëmtuar kabllot e energjisë në Kodër- Bathore. Ndërsa nga shiu i dendur ka shkarje dheu dhe bllokim të rrugës në Ibë.
OSHEE njoftoi edhe për stakime të energjisë elektrike në disa zona të Tiranës si në “Don Bosko”, “Komuna e Parisit”. “Punonjësit janë në terren për të rikthyer energjinë”, njofton OSHEE.
Vranësirat dhe shirat lokalë që nisën këtë javë do të vijojnë edhe për dy ditët e ardhshme. Të martën mbi vendin tonë sipas parashikimeve të Institutit të Gjeoshkencave, do të mbizotërojë mot me vranësira të çrregullta dhe shira lokalë të herëpashershëm, kryesisht në lindje të vendit.
E njëjta situatë pritet të vijojë edhe gjatë të mërkurës ku temperaturat do të variojnë nga 17 gradë Celsius minimalja në vendet malore e deri në 34 gradë Celsius në vendet e ulëta. Ndërsa të enjten do të nisin rritja e temperaturave dhe moti i kthjellët do të mbizotërojë vendin deri në fundjavë.