Albspirit

Media/News/Publishing

Inkubacioni mediatik i politikanëve të dorës së dytë

Nëse ka dy politikanë që media i ka mbështetur gjithë kohës, këta janë Eduard Selami dhe Ben Blushi. I pari, u trajtua si një lloj viktime morale e Sali Berishës, si një njeri që nuk bën kompromise dhe u deportua larg Shqipërisë.

Selami u largua nga Shqipëria në një kohë kur mendimi mbi politikën dhe politikanët nuk është ky që është sot,  kur politika nuk zhvillohej në nivel të tillë, kapur pas çdo interpretimi, apo duke ecur pas çdo negociate. Asokohe ishte Berisha me një hu në dorë dhe të tjerët që mund të gjenin ndonjë mënyrë për të mbijetuar. Thënë më thjeshtë: Me një Berishë të tillë përballë, ishte fare kollaj të bëheshe i Miri.

Sot është kohë tjetër: Sot duhet të provohesh sesa vlen, cilat janë shqisat e tua, kontrolli mediatik mbi fjalën dhe nëntekstin e saj janë shumë intensivë. Përftohet pra tjetër vlerësim. Për të vënë në balancë aktet politike, duhet të themi se nëse Berisha e rikatapultoi Selamin, ai në një farë mënyre gjeti një rrugë për t’u thënë të gjithë promovuesve mediatikë të këtij të fundit që ja tek e keni, shikojeni. Reforma në drejtësi ishte një moment i mirë për të testuar shumëçka tek deputetët. Por Eduard Selami provoi se është politikan për ditë të mira, teksa doli në një intervistë për Zërin e Amerikës dhe përsëriti mesazhet fare të pasjellshme për pasoja mbi PD-në dhe Lulzim Bashën nëse nuk kalon reforma. “Vota ime është pro reformës, pro Shqipërisë euroamerikane”, shtoi i emocionuar Selami.

Një ditë më pas, kur Johannes Hahn propozoi një tjetër gjë dhe kur Basha u pa se arriti diçka cilësore me këmbënguljen për negociim, Selami kërkoi ndjesë. Tha se ishte nxituar. Sot loja e deklaratave vazhdon prej tij, e bashkë me to edhe qartësia se kush është ky deputet për të cilin është shkruar kaq shumë, sa vjen e bëhet më e madhe. Është rasti tipik i njeriut të përkëdhelur nga media e një vendi që nuk di të prodhojë alternativa mendimi, por të sugjerojë intrigat e veta si shtojcë e intrigave të politikës. Të promovojë modele imagjinarë të ngjizur si të tillë duke ankoruar memorien e përgjithshme në akte që quhen “heroike”, por që janë në fakt një keqkuptim i madh. Një akt është edhe intervista në Zërin e Amerikës, por vështirë se mund të quhet heroik. Do të ishte i dobishëm nëse që këtej e tutje, paaftësia e zotërisë të nisë procesin e natyrshëm të fshirjes së kontrasteve artificialë që media ka ngritur mbi profilin e tij politik.

Rasti i dytë, Ben Blushi. Është padyshim më i përkëdheluri nga mediat. Me të drejtë, por edhe pa të drejtë. Blushit i mbahen mend dy akte politike: sulmi që ndërmori ndaj Fatos Nanos në ditët e humbjes së zgjedhjeve në vitin 2005 dhe dorëheqja e tij si kryetar Grupi Parlamentar dhe sekretar Politik i PS-së, kur 6 deputetë të saj thyen vendimin e partisë dhe votuan Bamir Topin President. Më tej, fjalime, deklarata, intervista dhe kritika.

Së fundmi, Blushi ka deklaruar themelimin e një partie të re, njësoj siç la të kuptonte kur drejtonte atë që u quajt Lëvizja për Mendimn Ndryshe. Një parti kundër qeverisjes së Edi Ramës – Blushi është rezervuar në akuza ndaj Ilir Metës – kundër Rilindjes që ka uzurpuar PS-në.

Nëse është kështu, ngjan disi i çuditshëm qëndrimi i sotshëm, padurimi për të votuar reformën, kur nuk ka akoma një draft të dakordësuar. Të bësh sikur nuk kupton se çfarë po luhet me kartën e konstruktivit dhe me shpresën se nga rrëmuja mund të nxjerrësh diçka, kjo vështirë se quhet politikë. Cinizmi nuk ndihmon në planin afatgjatë, apo në projekte të vërteta. Njësoj sikurse në politikë nuk të mbajnë fjalimet që thonë se i ke të mira, apo kritikat prej akademiku. Kjo është e rëndësishme jo vetëm si ligjësi e politikës, por edhe në raport me llogaridhënien, pasi veprimi politik, marrja e përgjegjësisë, është shumë më kushtëzuese sesa thjesht përmbushja e të drejtës së fjalës.

Kjo situatë e tensionuar na dha pra dëshminë se përtej lojtarëve kryesorë në fushë, të tjerët janë satelitë që nuk duan e nuk dinë të rriten, pse ecin pas llogarive të thjeshta. Është një mundësi për të kuptuar se piktura mediatike, apo inkubacioni mediatik i disa figurave që janë në politikë, por që prodhojnë debate kalimtare për shkak të medias, është i dëmshëm. Pse konservon të pavërteta me një aureolë shprese të rrejshme.

 

Shaptilografisti 

Please follow and like us: