Ju dhe reforma juaj!
Sokol Shameti
Për nga intensiteti i llogarive aritmetike, supozimeve, prapaskenave dhe ankthit me të cilin u prit, miratimi i reformës në drejtësi u përngjau ditëve kur 80% e shqiptarëve u thinjën para kohe me shpresën se kombëtarja e futbollit mund të kalonte grupin e Europianit qyl, me golin tek të Sadikut.
Megjithatë, i gjithë ky padurim nuk është aspak gjenuin dhe thellësisht i ndjerë nga qytetarët të cilët në masën e tyre dërrmuese e perceptuan gjithë këtë operacion të ndërlikuar mafiozësh që shkruajnë ligje antimafia, si të ishte një ndeshje e thjeshtë futbolli, me dy porta, dy skuadra, dy trajnerë, një arbitër dhe kaq. Mjerisht shqiptarët, kushtetuta e të cilëve me pretekstin e reformës sërish u ndryshua pa miratimin e tyre, dinë rreth reformës vetëm aq sa protagonistët në këtë operacion kanë dashur që ata të dinë: pra minimumin e minimumit. Për ndërtimin e këtij stresi qesharak të bazuar në injorancë, kontribuuan me vetëdije të njëjtët njerëz të cilët pasi u shtirën kinse nuk gjenin dot karar për një vit e gjysmë rresht me njëri tjetrin, e zgjidhën ngërçin brenda një dite, demek nën presion të madh e në luftë titanike secili për të shpëtuar vatanë.
Me pak fjalë, ky stres u mundësua nga: PS e PD, nën kujdesin e veçantë të Ambasadës amerikane dhe Delegacionit të Komisionit Europian në Tiranë. Në fund, pasi reforma në drejtësi – e cila do të bënte namin në arrestime politikanësh të korruptuar – u qërua mirë e mirë prej njerëzve kundër të cilëve ajo adresohej, pasi u detoksikua, pasi u shoshit, pasi u filtrua e u kullua prej tyre, pasi këta banditë u siguruan me njëmijë e një garanci dhe yçkla ligjore që sistemi i cili do të lindë nga kjo reformë sërish të mos u fusë gjëmb në këmbë as abuzuesve të djeshëm e as atyre të sotëm, më në fund ata dhanë viston: po, e shpëtuam atdheun (meqenëse secili prej tyre beson se “atdhe” quhet prapanica e vet).
Prej 25 vjetësh, këto çeta hajdutësh profesionistë që e quajnë veten “parti” në këtë vend, kishin ndërtuar një sistem gjyqësor i cili u mundësoi atyre të vjedhin të qetë dhe pa rrezikuar asnjë ndëshkim. Gjykatësit dhe prokurorët e këtij sistemi, për dy dekada e gjysmë kanë qenë zbatuesit e kësaj drejtësie. Të një drejtësie e cila ka shërbyer si një garanci që pasurimi i hajdutëve me kollare të ecë mbroth dhe që asnjë prej këtyre maskarenjve të mos e shohë derën e burgut. Sigurisht, në vitet e para të instalimit të këtij regjimi bandash në Shqipëri, lufta për dominim e yshtte njërin grupim kriminal të tentonte linçimin e tjetrit, e kësisoj shqiptarët panë në fillim të viteve ’90 disa burgime politike nën kamuflazhin e luftës antikorrupsion (si për shembull rasti i Fatos Nanos a ndonjë tjetri). Mirëpo, pas pak, banditët e kuptuan se pavarësisht se të ndarë në dy a tri fraksione rivale, prapëseprapë, armiku i tyre më i madh ishin qytetarët. Vendi mund të rripej më me efikasitet nëse e bënin këtë me radhë dhe pa i rënë në qafë njëri tjetrit gjatë periudhës së sundimit.
Bandat reshtën kësisoj së pari njëra-tjetrën si armike dhe sipas modelit më të mirë të sistemit neoliberal drejt së cilit ato orientuan ekonominë e vendit, ato vendosën të vetëtrajtohen thjesht si konkurrente. Drejtësia e lënë në duart e këtyre banditëve u bë një drejtësi që kryesisht zbatohej me gjithë ashpërsinë e vet mbi njeriun pa përkrahje, mbi të varfërin e kapur në gabim, apo mbi viktimën e projektuar të predatorit me pushtet dhe para. Ndërsa për vetë përpiluesit e këtij sistemi, ata që përfituan shumicën e të mirave nga ky vend, për bandën e politikanëve të të dy krahëve dhe klientët e tyre, kjo nuk ishte më një drejtësi tekstuale, por një tekst i interpretueshëm. Përfaqësuesit e huaj kanë qenë të pranishëm gjatë gjithë kohës kur ky krim monstruoz ka vijuar.
Ata i konsideronin partnerë ekuipazhet e plaçkitësve ndërkohë që këta shformonin drejtësinë dhe me ndihmën e saj kriminalizonin politikën apo gërryenin ekonominë. Ndërkombëtarët e kanë faktorizuar këtë koleksion qelbësirash, u kanë rrahur atyre shpatullat, kanë ndarë tryezat së bashku, teksa këta i punonin qindin vendit dhe popullit të tyre. Ndërsa vetë ata, ndërkombëtarët vazhdonin të çonin përpara interesat e vendeve të tyre përherë të uritura për tregje të reja dhe popuj të katandisur në nivel konsumatorësh injorantë. Si përfundim, kjo nuk është reforma jonë. Prej saj sërish nuk do të lindë një drejtësi që u shërben qytetarëve tanë. Qytetarët nuk kanë marrë pjesë në hartimin e saj, janë përjashtuar nga vendimmarrja për të. Kjo vendimmarrje i është lënë një grupi të diskredituar dhe të delegjitimuar banditësh ekzistenca e të cilëve ishte arsyeja pse drejtësia kishte nevojë të ribëhej në Shqipëri. Për këtë arsye, qytetarët kanë gjithë të drejtën të refuzojnë nënshtrimin ndaj një sistemi të ri ligjor për të cilin nuk kanë dhënë miratimin e vet. Kjo që është pagëzuar me emrin kumbues “reformë e drejtësisë” në realitet është thjesht një përditësim i të njëjtit sistem që vazhdoi të na mbajë nën zgjedhë derisa u diskreditua në mënyrë të dukshme.
Kjo reformë është vetëm masa urgjente për të kthyer besimin e humbur të njerëzve edhe një here tek e njëjta lukuni ujqish që bënë kërdinë deri më sot. Teknologjia që veproi në këtë rast është po ajo si tek procesi i dekriminalizimit. Pasi e kishin bërë baltë aq sa s’mund të fshihej më, banditët kriminalizues e shfaqën veten si dekriminalizues dhe mblodhën gjithë dafinat tona ndërkohë që në realitet duhet t’i damkosnim e t’i nxirrnim jashtë sistemit me shkelma për shkak të asaj që kishin bërë më herët. Shqiptarët nuk duhet të iluzionohen me këtë reformë dhe të nisin të shohin me sy tjetër klasën e partiakëve të organizuar në çeta banditësh a thua se këta janë heronj shpëtimtarë që na prunë drejtësinë dhe jo batakçinj që duhej të jepnin llogari për dy dekada e gjysmë padrejtësi në këtë vend.
Ajo që lypset të bëjnë qytetarët e ndërgjegjshëm dhe me dinjitet është që larg prej rreshtimeve të ashtuquajtura “shoqëri civile”, të mprehin sensin e tyre të kritikës dhe të papajtueshmërisë me ujqërit me kollare, të refuzojnë lëkurën e tyre prej heronjsh dhe t’ua bëjnë të qartë se drejtësi për popullin pa marrë lejen e popullit nuk ka. Andaj, le ta marrin atë draftin e tyre të reformës së tyre të miratuar nga vetë ata, le ta bëjnë kaush dhe le ta fusin mu në konsensusin e tyre të shtirur, si çdo konsensus midis hajdutëve që aktrojnë kinse janë burra të mirë.