Albspirit

Media/News/Publishing

Mina Gero, një mjeshtër i shquar i shqipes

 

Disa ditë më parë u nda nga jeta një gjuhëtar, studiues i pasionuar dhe pedagog i gjuhës e letërsisë shqipe, Prof. Mina Gero. Ai ishte 70 vjeç dhe ndarja e tij shkakton dhimbje jo vetëm tek familjarët e tij të shtrenjtë, por edhe te studentët, kolegët dhe miqtë e tij të shumtë për arsyen e ndjeshme, se ai ishte në kulmin e energjive të tij. Përpos shumë punëve të rëndësishme që bëri si gjuhëtar dhe studiues, padyshim libri më i fundit dhe i rëndësishëm i kryer prej tij, do të mbetet “Fjalori rimor i Dritëro Agollit”, vepër së cilës ai i kushtoi më shumë se 20 vite të jetës. Vepra është e rëndësishme jo vetëm për faktin e punës së mundimshme që ka bërë autori, por dhe se është unikale në letrat shqipe.

Dritëro Agolli i është tejet mirënjohës Minait për këtë vepër dhe ndihet shumë i prekur për këtë humbje të parakohshme të gjuhëtarit. Ai na tha me këtë rast:

“U trishtova shumë kur mora vesh se Minai u nda nga jeta. Ishte një gjuhëtar i shquar dhe një njeri i mençur dhe i mirë, për të cilët shoqëria shqiptare do të ketë shumë nevojë kurdoherë. Puna që ai ka bërë për fjalorin e mbështetur në krijimtarinë time poetike është shumë e çmuar. Nuk e ka bërë asnjë gjuhëtar dhe studiues tjetër. Prandaj me këtë rast i shpreh familjes së Minait ngushëllimet e mia më të sinqerta për këtë humbje të madhe. Ndodhem pranë tyre në këto çaste të dhimbjes së madhe. Por jeta ka ca ligje të saj që ne nuk i ndryshojmë dot. Unë u them familjarëve dhe miqve të tij të ngushtë se Minai do të mbetet i paharruar për gjithë ato punë të mira dhe të vyera që bëri me një pasion të madh prej mjeshtri të shquar të shqipes”.

 

Kush ishte Mina Gero 

Minai lindi në Fier më 5 nëntor 1946. Shkollën fillore e mbaroi në Tiranë dhe shtatëvjeçaren  në Durrës. Në vitin 1964 mbaroi shkollën e mesme pedagogjike “Luigj Gurakuqi” në Elbasan. Vijoi studimet e larta në Universitetin Shtetëror të Tiranës, në degën e gjuhës dhe të letërsisë, në Fakultetin e Historisë e të Filologjisë, të cilat i përfundoi në vitin 1968. Në shkurt të vitit 1969 u emërua në fillim asistent-pedagog  e  më pas pedagog, në Institutin Pedagogjik Dyvjeçar të Shkodrës (më  vonë, Instituti i Lartë Peadagogjik  3- e 4-vjeçar, sot  Universiteti i Shkodrës “Luigj Gurakuqi”). Për 32 vjet ka qenë lektor i lëndëve: Histori e gjuhës shqipe,Dialektologji, Hyrje në gjuhësiPraktikum i gjuhës shqipe, Sintaksës e përgjithshme në degën gjuhë-letërsi të Universitetit të Shkodrës “Luigj Gurakuqi” dhe, gjatë kësaj kohe, për 25 vjet ka qenë,  gjithashtu, edhe lektor i lëndës Sintaksë e gjuhës  shqipe në degët gjuhë-letërsi dhe mësuesi për katër klasat e para të shkollës 8-vjeçare të Universitetit të Shkodrës e, për një kohë, edhe në Fakultetin  e gjuhëve të huaja pranë Fakultetit të Historisë  e të Filologjisë në Tiranë. Për disa vite ka drejtuar  Katedrën e gjuhës e të letërsisë të Institutit  të Lartë Pedagogjik të Shkodrës e më vonë edhe Departamentin  e gjuhës të Universitetit të Shkodrës “Luigj Gurakuqi”. Ka qenë autor e bashkautor  tekstesh e kursesh të leksioneve për studentët e Universitetit të Shkodrës dhe të Fakultetit të Historisë e të Filologjisë  të Universitetit të Tiranës. Në vitin 1996 kreu një kurs specializimi  në Universitetin e Sorbonës  në Paris, nën drejtimin e albanologut  francez Kristian Gyt. Në vitin 1989 mbrojti tezën për gradën “Kandidat i shkencave filologjike” dhe në vitin 1993 fitoi gradën “Doktor  i shkencave”.

Fushat kryesore të studimeve të tij janë sintaksa, dialektologjia, leksikografia dhe bibliografia. Për këto fusha  ka kumtuar në disa veprimtari shkencore kombëtare e ndërkombëtare dhe ka botuar artikuj,  studime  e monografi. Në dhjetor të vitit 2000 u detyrua  ta lërë punën në Universitetin e Shkodrës  “Luigj Gurakuqi” dhe të vendoset me banim në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Dritë pastë, Miku ynë i mirë e punëtor, model pune pedagogjike e shkencore!

 

Fragmente nga “Fjalori rimor  i Dritëro Agollit” 

‘Skllavërisë së rimës’ (po të përdorim shprehjen e akademikut Rexhep Qosja, kur flet për krijimtarinë poetike të Naim Frashërit, Dritëro Agolli nuk i ka shpëtuar gjatë gjithë krijimtarisë së tij krijuese, siç nuk i kanë shpëtuar edhe të tjerë poetë para  dhe pas tij. Ashtu si Naimi dhe poetë të tjerë të shquar, edhe ai është i ndërgjegjshëm për rolin e veçantë e të pazëvendësueshëm që ka rima në vjershërim. Dritëro Agolli është një ndër poetët e mëdhenj shqiptarë, i cili, me praktikën krijuese poetike, e sfidon  të ashtuquajturin “rol kufizues të rimës” në poezi, jo vetëm duke ndjekur traditën e letërsisë gojore popullore e të letërsisë së kultivuar para tij, por edhe duke ngritur këtë traditë në një nivel të ri më të lartë. Dhe fakt është se nuk iu nda atyre edhe në përmbledhjen më të fundit të titulluar “Prit dhe pak”, të krijuar në moshën 80-vjeçare. Është, pa dyshim, një ndër mjeshtrat e përdorimit të teknikës rimore në poezinë shqipe… Dritëro Agolli përdor të gjitha llojet e lidhjeve rimore, duke shfrytëzuar për këtë hapësirat që kanë strofat veç e veç ose edhe në lidhje me njëra-tjetrën. Duke u ndalur në llojin e këtyre lidhjeve të përdorura veç e veç, vihet re se vendin e parë e zë lidhja rimore e njëpasnjëshme (e alternuar) e tipit 1212, më pas vijnë lidhjet rimore të përputhura 1122 dhe në vendin e fundit janë lidhjet rimore të thyera 1221….

Fondi i fjalëve që janë hedhur në përdorim në funksion rimor përfshin më shumë se 7700 njësi leksikore. Janë fjalë nga veprimtaria e përditshme, sfera shtëpiake, blegtoria  e bujqësia, nga trupi i njeriut, ushqimi, veshja; nga teknika, shkenca e teknologjia; nga astronomia, gjuhësia, letërsia, historia, gazetaria, botanika; nga fusha e ndërtimit, nga sporti, matematika, kimia, psikologjia; ka emra të njerëzve të njohur në fusha të veprimtarisë shoqërore e shkencore, emra të përveçëm nga fusha e teologjisë; emra kafshësh, gjeografikë, institucionesh…

Libri që po paraqesim, është në thelb shndërresë (transformo) e lidhjeve rimore  letrare të poezisë agolliane në lidhje rimore gjuhësore, këto të fundit të parashtruara në kapitullin IV nën titullin “Morfologjia e rimemave” dhe në fjalës, që përfshihet në kapitullin V nën titullin “Fjalësi, frazeologjitë dhe shprehjet përkatëse”. Me këtë rast, e ndiejmë të nevojshme të bëjmë dallimin ndërmjet lidhjeve rimore gjuhësore dhe atyre letrare. Duke bërë njëfarë përqasjeje të sintagmave me lidhje të lirë sintaksore ndërmjet përbërësve në një strofë dyshe, vëmë re se veçoria e lidhjes rimore letrare qëndron në atë që në to përbërësit rimorë lidhen midis tyre mbi bazën e sintaksës poetike: duhet të kemi rimemën e parë si “gjymtyrë drejtuese” në vargun paraardhës dhe, mandej, mbi bazën e ngjashmërisë së plotë a të pjesëve të tingujve – fonema pas theksit, të kemi rimemën tjetër si “gjymtyrë të varur” në vargun pasardhës. Në rastin më të thjeshtë, kjo është e qartë në një strofë me dy vargje. Siç mund të kuptohet, vargu i gjymtyrëve në lidhjet rimore letrare është i kufizuar, në varësi edhe nga lloji i strofës ku perdoren. Ndërsa në lidhjet rimore të ashtuquajturagjuhësore sasia e përbërësve të vargut është e pakufizuar mirë-ëmbëlsirë-lirë-pështirë-prapësirë-tretësirë-vështirë-vogëlsirë-ultësirë, varg i cili mund të zgjatet pa mbarim….

Kisha menduar se Dritëro Agolli tashmë nuk do të krijonte më poezi ashtu si disa vite më parë. Mirëpo edhe në moshën 80-vjeçare ai kishte përgatitur për botim librin me poezi “Prit edhe pak”. Në këtë mënyrë, poeti Dritëro e sfidoi plakun Dritëro. Artisti i madh i fjalës shqipe është i pashtershëm. Arti i tij është i pavdekshëm.”

 

Dritëro Agolli për Mina Geron

“Është më e lehtë për mua të shkruaj një libër me vjersha, sesa të bëj një fjalor të tillë. Mina Gero ka bërë një punë kolosale, për të cilën unë e vlerësoj shumë. Ai është njeri me vlera të mëdha dhe të gjithë duhet ta përgëzojmë për këtë punë kaq të madhe, që është shembull për t’u ndjekur dhe nga të tjerët, jo për poezinë me rimë, por për teknikat e poezisë së sotme se, ka me rimë, ka pa rimë. Është krejt e dobishme një punë e tillë. Sipas Agollit, poeti është biri i harmonisë. “Duke e zbërthyer këtë fjalë, bir i harmonisë, do të thotë se: ‘mundet që të bësh studime të elementëve të ndryshme të teknikës poetike për ato vlera që nuk duken, por që kur vete në moshën time mendon se ke pasur një flori, por që nuk është më. Atëherë pyet veten: “More ku vajti?’’.

Kështu e mbylli Agolli fjalën e tij për të pranishmit në ditën e promovimit të librit të Mina Geros në 12 nëntor të vitin 2013.

 

Prof. Tefë Topalli,

Prof. Xhevat Lloshi,

Sadije Agolli,

Xhevdet Shehu

Please follow and like us: