Albspirit

Media/News/Publishing

Rikthimi i Selamit, “rastësia” e ardhjes dhe pasojat e lëvizjes së tij pro reformës në drejtësi

Ylli Pata

Dalja e Eduard Selamit, por jo vetëm atij, por edhe disa deputetëve të tjrë brenda grupit të Partisë Demokratike me rastin e reformës në drejtësi, si Majlinda Bregu, Astrit Patozi, etj., duket se tashmë është përvijuar një grup i ri politik.

Një grup i ri politik, i cili ndryshe nga ç’mendohej pas kërcënimit për djegie mandatesh, vetëm sa e përforcoi pozitën e tyre brenda opozitës.

Përveç disa zërave edhe ndoshta të stisur në rrjetet sociale që sulmuan deputetin Selami, brenda partisë nuk pati një qëndrim të ashpër për “tradhëtarët”.

Kjo sepse Basha e ka menduar mirë: çdo marrje me selamistët mund të dobësojë më shumë pozitat e tij në opinionin publik, ndërkohë që brenda partisë do të tentojë t’i zgjidhë problemet pa zhurmë.

Akti i deklamimit me vendosmëri nga ana e Eduart Selamit se do të votojnë reformën, i ka dhënë këtij të fundit një autoritet të humbur dhe një zë të rritur kur ai u dëbua nga detyra e kryetarit të PD-së, këtu e para 20 vitesh.

I ardhur nga SHBA, siç duket përfundimisht ku dhe ka krijuar familjen e tij të re, Eduard Selami, arriti t’i shpëtojë PD-së lidhjen me aleatin strategjik, Amerikën.

Kur Lulzim Basha kundërshtoi të votonte draftin, atëherë SHBA futën në lojë Eduard Selamin, fjala e të cilit pati menjëherë efekt zinxhir.

Në të njëtin qëndrim u shfaqën: Astrit Patozi, Majlinda Bregu, Igli Cara por edhe deputetët të tjerë si dhe figura të njohura të së djathtës, si Besnik Mustafaj dhe Arjan Starova.

Në gjithë këtë kohë, u krijua një grup brenda PD-së që bëri një betejë parimore, siç ishte ajo e reformës. Dhe ç’është e vërteta, ka qenë pikërisht Selami dhe grupi i tij pro reformës që kanë bindur Shtetet e Bashkuara të Amerikës të ndryshonin draftin, vetëm për t’i hequr sikletin Bashës që të hyjë negociata.

Madje burime diplomatike bënë të ditur se ka qenë pikërisht Eduard Selami që ka propozuar ardhjen në Tiranë të një zyrtari të lartë të DASH, si zonja Nuland, vetëm e vetëm që opozita të kishte një “gojë” më shumë për të hyrë në bisedime dhe për ta pranuar reformën.

Por kur u pa që Basha nuk do ta votonte as propozimin Nuland, Eduard Selami doli në Zërin e Amerikës dhe tha se do ta votonte reformën.

Madje u fol për 10 deputetë të opozitës që do ta bënin këtë. Mazhoranca kushtetuese me 94 deputetë ishte arritur dhe, një votim i reformës në Kuvend mund ta kishte izoluar më keq PD-në.

Në mbledhjen e së hënës përpara 21 korrikut, Eduard Selami shkoi në takim, edhe pse kishte deklaruar që do të votonte reformën.

Askush nuk e quajti “tradhëtar”, por vetëm Berisha lëshoi një deklaratë, e cila nuk u ndoq nga deputetët e tjrë.

Selami, i ndjerë në favor, është kthyer në sulm duke i kërkuar PD-së të mbajë një qëndrim të qartë politik pro reformës dhe ka shpjeguar me hollësi se kanë qenë deputetët që janë pro saj të cilët kanë ndikuar që ndërkombëtarët të ndryshojnë draftin.

Duke qenë se kjo është mëse e vërtetë, Lulzim Basha nuk ka pasur aq peshë e fuqi morale për të sulmuar grupin e vijës ndryshe.

Dhe pikërisht kjo situatë po sjell një erë të re në Partinë Demokratike dhe në të djathtën shqiptare në vetvete.

Ka gjasa të nisë një hapje ndaj mendimit ndryshe si kërkesë që vjen nga baza, e cila për herë të parë po pranon një alternativë që nuk vjen nga lart, por në linjë horizontale.

Disa kryetarë degësh të PD-së janë shprehur me kritika të Bashës, dhe Selami i ka përkrahur këto qëndrime në mbledhje grupi dhe kryesinë e PD-së.

Por këto qëndrime alternative nuk mund të bëhen një linjë politike pa qenë në garë dhe fitues në PD.

Dhe Lulzim Basha ka një sfidë përpara që janë zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Duke qenë se e shikon të vështirë situatën, kryetari i PD-së prej kohësh po shtyn një aleancë me LSI-në.

Dhe në negociatat e fundit të reformës për drejtësi arrit të tërheqë Ilir Metën pas vetes, duke krijuar të gjitha gjasat për një koalicion të ri PD-LSI.

Megjithatë, në këtë rast Basha do të dalë kundër vetes. Para një viti kur kërkoi dorëheqjen e Ilir Metës nga kreu i Kuvendit, lideri i opozitës tha frazën “kurrë më me Metën”.

Dhe nëse eksperimenti i del gabim, largimi nga drejtimi i PD-së do të jetë i pashmangshëm. Jo vetëm i Bashës, por edhe i njerëzve që përcjellin këtë frymë.

Kështu hapet rruga natyrshëm për Selamin, i cili rrugën e kthimit duke se nuk e ka bërë rastësisht.

Në politikë, rastësia nuk ekziston…

Please follow and like us: