Rrugëtim në krijimtarinë dhe shpirtin e Daut Gumenit
Nga Iskra THOMA*
Daut Gumenin e njoha në vitin 1993, kur botoi tek ne vëllimin e tij të parë poetik “Legjendë Lirie”.Pakë kohë më vonë, ai u emërua drejtor i Shtëpisë Botuese “Naim Frashëri” në Tiranë dhe atëherë pata rastin të njihja jo vetëm poetin por edhe drejtuesin që, me kulturën e tij të gjerë e me aftësitë komunikuese, arriti të vendosë marrëdhënie miqësore me të gjithë punonjësit. Ishin ca vite të vështira për Shtëpinë Botuese “Naim Frashëri”, kur ne përpiqeshim të gjenim mjete financiare në formë sponsorizimesh për të mbajtur më këmbë një shtëpi botuese, një institucion kulturor kombëtar që, me të mirat e me të metat e veta, kishte bërë mjaft përpjekje për të ndriçuar e për të ushqyer me libra inteligjencën dhe mbarë publikun shqiptar.
Dauti ndërkohë vijonte të shkruante poezi. Shumë prej tyre kam pasur fatin t’i lexoj qysh në dorëshkrim, duke qenë dhe redaktore. Pas librit të tij të parë, “Legjendë Lirie” në vitin 1993,në vitin 1995 botoi vëllimin poetik “Kënga e Zezakut të Bardhë”, më 1966 vëllimin “Vallja e Etjes”dhe dy vjet më vonë botoi vëllimin “Udha e Ëndrrës”. Vëllimin poetik “Puset me Yje” e ka botuar më 2011.
Në të gjithë poezinë e Gumenit vihet re individualiteti dhe origjinaliteti i tij i theksuar si në formë dhe në përmbajtje. Krijimet e tij dallohen për gjallërinë e për ndjeshmërinë dhe thellësinë që e vënë lexuesin në mendime. Dauti është një poet që fjala i rrjedh qetë, me një natyrshmëri të dukshme e me një shpërthim të brendshëm, që të bëjnë për vete. Fjala për të është gur që peshon rëndë, një gur i rëndë që poeti e di mirë si duhet peshuar e si duhet thënë për të zënë vendin e vet të natyrshëm. Autori e di mirë se fjala që s’mund të zërë vend, nuk do lëshuar për së lehti. Prandaj dhe në poezitë e tij më të mira, ai është i kursyer në fjalë, por i pasur në kuptimin e tyre, i gjerë në ato që thotë.
Vëllimi poetik “Puset me Yje”, një nga vëllimet që e kam më për zemër, ka disa perla të poezisë shqipe. Ka aty një poemth të rrallë kushtuar Gusmarit të tij majë maleve, që duhet të ndihet vërtet krenar me poetin e vet, sikurse ka dhe një cikël të bukur për Janinën. Tepër origjinale është aty dhe poezia për Krishtlindjet, poezia për shokun e mirë të burgut, apo poezia “Puset me Yje” – një perlë e mirëfilltë vezulluese me metaforën e saj të mrekullueshme. Mbase poezi të tilla nuk e lënë poetin të shterojë e duket sikur nuk i ndien vitet që shkojnë.
Por Daut Gumeni është dhe një prozator i shkëlqyer. Pas vëllimit me tregime “Mulliri i Harruar”(2007), ka botuar dhe dy romane me nota të theksuara biografike: “Shënime nga Shkolla e Partisë” më 2012 e “Bletë dhe Fishekë” në vitin 2014. Me sa duket Noli ynë i madh e ka bërë për vete autorin edhe me thënien e tij të njohur: “Veprat më jetëgjata të shkrimtarëve mbase janë ato që mbështeten më tepër në përjetime vetjake”.
Mendojmë se që të dy romanet meritojnë të vlerësohen si ngjarje letrare. Në to gjen të skalitur personazhe jetësorë, gjen një gjuhë të bukur me një frazë të ngjeshur plot mendim e gjithnjë në stilin e veçantë dautian. Ja përse mund të themi se letërsia shqipe i ka të rralla penat që derdhin ironinë e sarkazmën e këtyre romaneve. Humori, që autori di ta ndezë aq natyrshëm edhe në situatat më dramatike, e bën prozën e Daut Gumenit sa të gjallë edhe therëse, por gjithnjë me shpresa për të mos hequr dorë nga aspiratat për një shoqëri më të drejtë, më të mirë e më njerëzore. “Besimi tek e Bukura e tek e Mira, ka qenë një nga burimet e fuqisë që më ka mbajtur gjallë në të shkuarën e rëndë, por edhe sot që gjërat nuk se kanë ndryshuar aq shumë në këtë Atdheun tonë të bekuar nga Zoti e të mallkuar nga ndoca bimë kacavjerrëse të pushtetit tonë të sëmurë”- thotë diku autori. Thënie që nuk ke si të mos e miratosh.
Po kështu edhe publicistika e Gumenit zë një vend të konsiderueshëm në krijimtarinë e tij. Vëllimet me publicistikë të mprehtë ,”Tranzicion apo Trashëgimi” dhe “Ku Jemi e KU Vemi”mbase përbëjnë një nga analizat politike më të sakta të tranzicionit tonë të gjatë, një analizë që i bën nder autorit dhe i sjell dobi lexuesit për të kuptuar më qartë se “ku jemi e ku vemi” – për ta thënë tok me titullin e vëllimit të dytë të autorit.
Daut Gumeni ka lëvruar edhe gjininë e esesë. Vëllimi me ese, “Sa Larg që Është Danimarka”na dëshmon se dhe në këtë gjini autori ka thënë të vetën. Nuk ka si të mos të të mbetet në mendje eseja e shkurtër por kuintesencë kushtuar publicistit, shkrimtarit, gjuhëtarit e përkthyesit të shquar Ardian Klosi. Eseja “Një Lamtumirë e Hidhur” është një përcjellje me dhimbje e me vlerësim të merituar për ikjen e parakohëshme të intelektualit mëndjehapët Ardian Klosi.
Një kontribut të rëndësishëm ka dhënë Daut Gumeni edhe me përkthimet e tij. Duke sjellë në shqip vepra dhe autorë të shquar, poetë e mendimtarë, shkrimtarë e filozofë e historianë, personalitete të spikatura të poezisë, të historisë e të politikës botërore, Daut Gumeni i bën kulturës shqiptare një shërbim të çmuar.
Edhe kohët e fundit, me monodramën “I Marri Fisnik”, interpretuar nga aktori i njohur Mehdi Malka në skenën e Teatrit Eksperimental “Kujtim Spahivogli”, Daut Gumeni ia doli që edhe në gjininë e dramës të mbajë pezull një sallë të tërë me forcën e fjalës e me detajet jetësore të një personazhi tragjikomik, që fshikullon hidhur pushtetarët tanë të djeshëm e të sotëm dhe të sëmurët për pushtet të çdo kohe.
Këto që rendimtëm më sipër, na bëjnë të pohojmë thjesht që Daut Gumeni është një shkrimtar me diapazon të gjerë, që ka hyrë në letërsinë shqipe të pasviteve 1990 me dinjitet e përkushtim të veçantë si një shkrimtar me kulturë e me botë të pasur, si një minierë e pashtershme dhe urojmë të na mbetet i tillë edhe me vepra të reja. Me talentin e tij poetik e me fuqinë përshkruese, ai arrin të na i japë të gjalla e të na bëjë t’i ndiejmë si tonat edhe vuajtjet e rënda në burgjet e diktaturës komuniste, ku ai kaloi pjesën më të bukur të jetës së vet. Ato vuajtje të rënda, që kanë kalitur tek ai forcën përballuese ndaj atyre vështirësive si dhe fuqinë shpërfillëse ndaj të keqes. Mbetet gjithnjë i habitshëm fakti se sa mund të arrijë njeriu i vendosur edhe në rrethanat më të egra të izolimit. Si e qysh i gjente fuqitë autori i burgosur, jo vetëm për të mbijetuar, por edhe për të shkruar poezi aq të ndiera e aq të bukura edhe në kushtet më çnjerëzore. Si nuk pushonte dhe në ato kushte të thellonte njohjen e shqipes, që e do aq shumë e si gjente fuqi të mësonte anglishten, frengjishten dhe italishten për të hapur më tepër shtigje drite në atë terr –shtigjet e gjuhëve të huaja prej nga të shihte më tepër dritën e penguar të dijes.
Daut Gumeni në të gjitha veprat e veta duket që është një adhurues i poezisë popullore shqipe e veçanërisht i poezisë aq të pasur të trevës së Labërisë. Në atë gurrë të pashtershme, autori ynë di të qëmtojë figura dhe imazhe, duke i pasur pastaj si themel të patundur të krijimtarisë së tij poetike. Një poezi kjo e Daut Gumenit, që të prek thellë me vërtetësinë e fjalës e që të shtang me logjikën artistike bindëse, sepse tepër jetësore.
Për të mos harruar pastaj humorin e letërsisë së këtij autori me emrin e vet në letrat shqipe. Humori është një dhunti e lindur e Daut Gumenit, një humor i hollë që, në moment të caktuara, të natyrshme dhe aspak të kërkuara, kthehet vetiu në një sarkazmë fshikulluese.
Por Daut Gumenin – njeri është fat ta kesh mik. Është aq njerëzor e human, sa arrin të bëjë të qeshet edhe njeriu që vuan, arrin si ai t’ia lehtësojë vuajtjen, sepse është i aftë të vendosë lidhje të natyrshme e të menjëhershme me të gjitha moshat e sidomos me pleqtë dhe me fëmijët. Fëmijët i bën të lozin e të qeshin lirshëm, pleqtë i bën të kënaqen në biseda të ngrohta që të harrojnë dhimbjet. “Chi ha coraggio di ridere, e il padrone del mondo” – shkruan Leopardi. Një e vërtetë e bukur kjo, që e sheh të mishëruar tek Daut Gumeni, si shembull i njeriut të papërkulur, i njeriut që gjen fuqi të ringrihet gjithmonë, sepse nuk e njeh përunjien e nuk e duron padrejtësinë. Sepse beson në parimin që nuk ka rëndësi sa herë bie, rëndësi ka shpejtësia e vendosmëria me të cilën ngrihesh përsëri më këmbë për të vijuar luftën për liri, për të vazhduar rrugën drejt një jete më dinjitoze e drejt një bote më të mirë për të gjithë.
* kritike letrare dhe përkthyese