Skandali me foton 80 mijë USD që e bëri Ramën “non grata”, për partinë e Klinton
Hamendësime të shumta ka ngjallur lajmi për injorimin që i është bërë kryetarit të Partisë Socialiste dhe kryeministrit të vendit Edi Rama nga Partia Demokratike në SHBA. Në prezantimin zyrtar të kandidaturës për president të Hilari Klinton, janë të ftuar kreu i opozitës Lulëzim Basha, kryetari i LSI Ilir Meta dhe deputeti socialist, Pandeli Majko. Partia Demokratike e Klinton, në SHBA njihet si forcë me program më së shumti social dhe konsiderohet e majtë, përkundër Partisë Republikane që përfaqëson të djathtën. Duket pak si “e çuditshme” prania e Bashës në këtë Konventë, pasi partia që ai drejton këtu, aleat natyral në SHBA ka Partinë Republikane. Por në këtë rast kemi të bëjmë me një person të veçantë për kombin shqiptar.
Hilari Klinton është pjesë e familjes, që ka ndihmuar më së shumti shqiptarët në këtë çerek shekulli, është ish-Zonja e Parë e Amerikës në kohën e çlirimit të Kosovës. Çdo shqiptar do ta ketë të pamundur të mos i gëzohet rikthimit të Klintonëve në Shtëpinë e Bardhë, këtu nuk mund të bëjë përjashtim as lideri i të djathtës shqiptare Basha. Si Sekretare Shteti, të parin zyrtar të huaj që priti në Uashington ishte ish-Kryeministri Sali Berisha. Gjithashtu ishte edhe zyrtarja më e lartë perëndimore, që vizitoi Shqipërinë me rastin e 100-vjetorit të pavarësisë së shtetit shqiptar, vizitë në të cilën bëri premtimin e madh: “Edhe në 100 vitet e ardhshme, SHBA do të jenë miku juaj më i madh”. Gjithashtu Hillary Clinton është e para Sekretare Shteti, që ka falendëruar dhe uruar një ministër të Jashtëm shqiptar, kur ky i fundit është larguar nga diplomacia. E ka bërë Klinton me Lulzim Bashën. “Ju falenderoj për bashkëpunimin dhe pres të punojmë sërish së bashku në funksionet e reja, që do të merrni”, ishte letra e Sekretarës Klinton, kur Basha u largua nga ministër i Jashtëm.
Nuk përbën më suprizë as ftesa për kryetarin e LSI Ilir Meta. Vetëm në një hark të shkurtër kohor, ai e ka vizituar 3 herë SHBA, dhe gati në të gjitha rastet ka qenë i lobuar në takimet që ka kryer në Washington, nga eksponentë të rëndësishëm të Partisë Demokratike.
Edhe prania e Pandeli Majkos në shpalljen e kandidaturës për president të Hilari Klinton është e natyrshme, jo si socialist por si ish kryeministër i Shqipërisë, në periudhën e krizës dhe luftës në Kosovë, kur president ishte Bill Klinton.
Ajo që bie në sy dhe ka dhënë shkas për hamendësime të ndryshme është mungesa e një ftese për Edi Ramën. Duket se demokratët nuk e kanë problemin me kryeministrin e vendit dhe kryetarin e Partisë Socialiste, por me Edi Ramën si individ. Gati të gjitha mediet, këtë injorim e lidhin me deklaratat e papërgjegjshme dhe delirante të Ramës ndaj rivalit të Klinton në këto zgjedhje, Donald Tramp.
Kjo mund të jetë një arsye, por nuk duhet harruar se në SHBA është ende në hetim një skandal me protagonist Edi Ramën, i cili i vuri mjaft në siklet demokratët. Bëhet fjalë për foton e famshme 80 mijë dollarëshe me presidentin demokrat Obama, që Rama e bleu me dredhi duke shkelur, jo vetëm ligjet e atij vendi, por edhe duke venë në pozicion mjaft të vështirë stafet elektorale të Partisë Demokratike. Ishin disa medie nga më të mëdhatë, të cilat vunë në dyshim tani gjatë fushatës presidenciale tw Klinton, mënyrat sesi mblidhen fondet nga partia e Obamës që është edhe e saj.
Prania e Ramës në këtë konventë do të ishte një ushqim i mirë për mediet dhe republikanët, për të kujtuar atë që ndodhi në vjeshtën e vitit 2012 dhe për të sulmuar sërish partinë e Hilarit dhe atë vetë.