Turp, marri na ka ndodhë në shtëpi
Kështu kanë qenë vargjet e një kënge, kur isha fëmij e këndonin këngëtarët, dhe kështu këto thënie u shndërruan në thënie popullore që përdorëshin për tallje me ndonjë rast siç është rasti që i ndodhi Kryetarit të një Komune, respektivisht Ramadan Mujës, Kryetarit të Komunës së Prizrenit.
Në valën e shpërnguljeve, nga terrori rankoviqian, një fqinjë i imi, Sabri Cicelia-Krasniqi, me bashkëshorte dhe fëmijë u shpërngulën për në Adapazar të Turqisë, si punëtor i madh që ishte edhe në Prishtinë, në Turqi u tregua shumë i suksesshëm, bashkë me të bijtë e tij Orhanin, Erolin dhe Erdalin bëri pasuri të mirë. Ndërtuan hotele, restauronte etj.
Kur u arratisëm të ndjekur nga UDB-ja, për t’i ikur burgosjes, Jusuf Gërvalla u arratis për në Gjermani, kurse unë për në Turqi. U vendosa në Adapazar të Turqisë, pasi që kisha shumë familjar të mi; shokë të fëmijrisë, fqinjë, siç ishte rasti edhe i Sabri Cicelis me familje, me të cilin bisedonim, pasi që edhe ushqehesha në restorantet e tij.
Bisedat tona të përhershme ishin se, si të çlirohet Kosova dhe të kthehemi në Kosovën tonë të dashur.
Sabri Cicelia vazhdimisht e përsëriste një thëne: unë e hëngra këtë dynja, larg Kosovës tonë të dashur, por me mujt, këta fëmijë të më kthehen në Kosovë!
Kosova u çlirua, ndërsa pa u çliruar Kosova, Sabri Cicelia vdiq, por dëshira e Sabriut për ti kthyer në Kosovë bijtë e tijë, nuk vdiq.
Bijtë e tij Orhani, Eroli dhe Erdali erdhën në Kosovë, arrijtën të gjejnë mirëkuptim te Kryetari i Komunës së Prizrenit Ramadan Muja i cili me shumë vështirësi arriti t’ua sigurojë një truall, rrëz një mali, për ta ndërtuar, hiq më pak se një fabrikë të çokollatave që i punësoi 150-160 punëtorë.
Pra, për t’ua siguruar ekzistencën 150-160 familjeve dhe në këtë mënyrë mos të jenë të detyruar që të arratiseshin nga Kosova, siç ishte arratisur Sabri Cicelia, me tërë familjen nga terrori rankoviqjan.
Unë që qëndrova afër pesë vite në Turqi, ndërsa vitet tjera në Suedi (20 vite të plota) , pa e parë Kosovën, nuk i shkëputa lidhjet me shokët e mi në Turqi.
Ardhja dhe investimi i bijve të Sabri Cicelis më gëzoj shumë.
POR, një POR e madhe na doli përpara:
Vështirësi të panumërta, nga vëllezërit tonë pushtetar.
Kryetari i Komunës së Prizrenit Ramadan Muja u akuzua dhe akuzohet për krim ekonomik, që ua mundësoj, bijve të Sabri Cicelis të vijnë në disa toka djerrina dhe të ndërtojnë fabrikë.
Vite të tëra, Kryetari i Komunës së Prizrenit z.Ramadan Muja maltretohet nëpër Gjykata për vepër “kriminale” ekonomike!!!
Unë i kam blerë 42 hektarë tokë në Komunën e Vitisë. I hapa tri burime të ujit në thellësi prej 200 metrave, dhe më doli uji shumë i mirë, vendosa që të kërkoj investitor për ta ndërtuar një fabrikë të ujit, një fabrikë për përpunimin e pemëve dhe perimeve, një kompleks të vilave.
U ofrova mërgimtarëve nga Turqia 100 troje, falas..
Bisedova me shumë mërgimtar që i kemi në Turqi. Të gjithë një përgjigje e kishin: “Me na bërë siç ua bënë dhe po ua bëjnë bijve të Sabri Cicelis !!!”
Duke u ballafaquar me këtë realitet vazhdimisht më përsëritën vargjet e këngës: Turp, marri na ka ndodhë në shtëpi!