“Vllau” ynë Erdogan po ja kalon dhe Gestapos së Hitlerit…
Reagimi i Botës Demokratike është shumë i zbehtë ndaj Erdoganit, i cili e ka shndruar Turqinë në një shtet fashist. Diplomatët mbase e kanë të vështirë të artikulojnë kritika të forta, por ne gazetarët duhet ta ngrëmë zërin gjer në qiell, për të denoncuar metodat fashiste të Erdoganit dhe qeverisë turke. Sot Turqia po jeton ditët më të zeza të mesjetës. Është e justifikueshme arrestimi dhe hetimi i ideatorëve dhe egzekutorëve të grushtit të shtetit, që mbeti në tentativé. Po dhe me ushtarakët është tejkaluar masa. Shumica po arrestohen për idetë që mund të kenë, por jo pér veprimet që kanë kryer. Është i papranueshëm dhe i dënueshëm pushimi nga puna dhe arrestimi i mijëra profesorëve, mësuesve, dekanëve e rektorëve, mbyllja e mijëra shkollave, dhjetra gazetave, radiove e televizioneve. Në Turqi nuk bëhet më fjalë për mbrojten e të drejtave të njeriut mbasi Turqia ka anulluar Konventën Europianë të të Drejtave të Njeriut. Në fakt në Turqi po bëhet gati një gjenocid shtetëror kundër të ashtuquajturve “gulenistë”. Aty njerëzit arrestohen dhe mund të mbahen tridhjetë ditë në izolim pa asnjë akuzë. Aty ndalohet çdo zë kritik për këto masa ekstreme jo gjithnjë të nevojshme. Rikthimi i dënimit me vdekje është kambana më e madhe që po bie në Turqi për mbarë Europën. Nën flamurin e dënimit të puçistëve (që po dalin qindra mijëra turq) mund të asgjesohen dhe kundërshtarët politikë të Erdoganit, që nuk kanë asnjë lidhje me Gulenin. Mund të pushkatohen qindra opozitarë me akuza fallse dhe të montuara nga një drejtësi nën panik dhe në presion të paprecedentë nga Erdogani dhe qeveria në shërbim absolut të tij. Bashkë me shkatërrimin e të ashtuquajturit grusht shteti, në Turqi u shkatërruan themelet e shtetit të së drejtës dhe demokracisë.
Për hir të luftës së përbashkët kundër terrorizmit dhe shtetit ISIS, perëndimi po përjeton oportunizmin më të pabesueshëm ndaj veprimeve fashiste të Erdoganit dhe qeverisë në shërbim të tij. Por nga ky tolerim dhe oportunizëm nesër mund të kemi një Turqi fashiste 80 milionëshe, saqë ISIS-i do na duket një lodër fëmijësh. E kemi për detyrë të denoncojmë çdo reminishencë me fashizmin, gestapon dhe Hitlerin.
Letër e nënshkruar,
Arben Duka