Albspirit

Media/News/Publishing

Akuza për raste torture dhe dhunimi në Turqi


Organizata e të drejtave të njeriut “Amnesty International” shprehu shqetësim sot rreth njoftimeve për keqtrajtime të personave që mbahen në qendrat e paraburgimit në Turqi që pas dështimit të përpjekjes për grusht shteti. Mijëra ushtarë, prokurorë dhe policë janë arrestuar dhe 50 mijë njerëz janë pushuar nga puna nën akuzat se kanë lidhje me organizatorët e puçit. “Amnesty International” i bëri thirrje autoriteteve turke që vëzhguesit ndërkombëtarë të lejohen në qendrat e paraburgimit.

Më shumë se 13 mijë njerëz, përfshirë 9 mijë ushtarë, 2.100 gjykatës dhe prokurorë, dhe 1.485 policë, janë në paraburgim pas puçit të dështuar në Turqi.

“Na kanë thënë se ka patur keqtrajtime, duke filluar nga abuzime verbale, kërcënime, lënie e njerëzve pa ushqim për ditë të tëra madje edhe pa ujë. Mbajtja e tyre në pozicione të vështira si në gjunjë për periudha të gjata kohore. Prangosje pas shpine për një periudhë të gjatë, abuzim fizik, si rrahje dhe madje edhe raste më të rënda dhunimi në paraburgim,” thotë Andrew Gardner i Amnesty International.

Veç kësaj, rreth 50 mijë njerëz janë pushuar nga puna, sepse dyshohen të kenë lidhje me organizatorët e puçit.

“Turqia është një vend në të cilin, në vitet ’90 dhe në fillim të viteve 2000, ka patur raste torture, kështu që ekziston gjithmonë rreziku se mund ndodhin përsëri raste torturimesh. Sidomos kur nuk ka vullnet politik për ta ndalur këtë ose gatishmëri për të pranuar se këto janë krime serioze, që duhet të hetohen dhe të sillen para drejtësisë,” thotë Andrew Gardner, studiues pranë Amnesty International.

Familjarët e personave në qendrat e paraburgimit thonë se nuk janë informuar për vendndodhjen e të afërmve të tyre, duke shtuar se ata nuk kanë qenë në gjendje të komunikojnë me ta dhe as avokatët nuk janë lejuar të flasin me ta.

“Amnesty International” u ka bërë thirrje autoriteteve turke për t’iu përgjigjur akuzave për torturë dhe thotë se është e rëndësishme për vëzhguesit ndërkombëtarë që të lejohen në qendrat e paraburgimit.

Please follow and like us: