Banesat sociale në Tiranë/ Përfitojnë 177 familje në nevojë
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i dorëzoi të martën çelësat e shtëpive 177 familjeve në nevojë, të cilat rreth dy javë më parë përfituan nga vendimi i Këshillit Bashkiak për një banesë sociale në Shkozë.
Në ceremoninë e shpërndarjes së këtyre banesave, kryebashkiaku Veliaj theksoi se në prag të mbushjes së vitit të parë në detyrë, ky është një tjetër premtim i mbajtur.
Duke vlerësuar faktin se prej këtij vendimi përfitojnë familjet më nevojtare të qytetit, Veliaj theksoi se “më vjen mirë që këtij komuniteti dhe kësaj lagjeje do t’i bashkohen edhe 177 familje të tjera. Familje jashtëzakonisht nevojtare, ish të përndjekur dhe të persekutuar, që nuk kanë parë një ditë të bardhë, por sot ka ardhur dita që të marrin edhe ata banesat e tyre”.
Ai shtoi se brenda një viti u bë e mundur që t’i jepej fund një problemi që ishte kthyer në një stres më vete për të gjitha këto familje, të cilat për vite të tëra endeshin zyrave të institucioneve shtetërore pa zgjidhur punë.
Ai kërkoi nga banorët e rinj të kësaj lagje që t’i mirëmbajnë banesat e reja, në mënyrë që ajo të kthehet në një nga lagjet model të Tiranës për mënyrën e menaxhimit dhe pastrimit.