Albspirit

Media/News/Publishing

Dënoj çdo kërcënim që i kanoset demokracisë në Turqi

 Fethullah Gylen *

SAYLORSBURG, PENSILVANI – Tentativën për grusht shteti në Turqi këtë muaj e kam dënuar me fjalët më të ashpra. “Qeveria duhet të zgjidhet nëpërmjet zgjedhjeve të drejta, të lira e të ndershme dhe kurrsesi nëpërmjet përdorimit të dhunës,  – jam shprehur në deklaratën time. – I lutem Zotit për Turqinë, për popullin turk dhe këdo që gjendet në Turqi në këto çaste, që kjo situatë të zgjidhet sa më shpejt dhe në një mënyrë sa më paqësore.”

Pavarësisht protestës sime pa asnjë ekuivok, e ngjashme me deklaratat e lëshuara nga të tri partitë më të mëdha opozitare, presidenti gjithnjë e më autoritar i Turqisë, Rexhep Tajjip Erdogani, më akuzoi menjëherë për orkestrimin e grushtit të shtetit. Ai kërkoi nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës që të më ekstradojnë nga shtëpia ime në Pensilvani, ku jetoj në emigrim vullnetar që nga viti 1999.

Ajo që thotë z. Erdogan, jo vetëm që bie në kundërshtim me çdo gjë që besoj unë, por ajo është gjithashtu e papërgjegjshme dhe e gabuar.

Filozofia ime – një Islam gjithëpërfshirës dhe pluralist, i përkushtuar për t’u shërbyer njerëzve të cilitdo besim – është diametralisht e kundërt me kryengritjen e armatosur. Për më shumë se 40 vite, pjesëtarët e lëvizjes në të cilën unë bëj pjesë – e quajtur “Hizmet”, e që do të thotë “shërbim” – kanë përkrahur dhe demonstruar angazhimin e tyre për një formë qeverisjeje, legjitimiteti i së cilës buron nga vullneti i popullit dhe që respekton të drejtat e të gjithë qytetarëve pavarësisht pikëpamjeve të tyre fetare, përkatësive politike apo origjinës etnike. Sipërmarrësit dhe vullnetarët e frymëzuar nga vlerat e Hizmetit kanë investuar në arsimin modern dhe shërbimin ndaj komunitetit në më shumë se 150 vende të botës.

Në një kohë kur demokracitë perëndimore janë në kërkim të zërave të myslimanëve të moderuar, unë dhe miqtë e mi në lëvizjen “Hizmet” kemi mbajtur përherë një qëndrim të qartë dhe të prerë kundër dhunës dhe akteve ekstremiste, duke filluar që nga sulmet e 11 shtatorit të Al Kaedas deri tek ekzekutimet brutale të kryera nga ISIS-i, apo rrëmbimet e Boko Haram-it.

Jo vetëm që e kemi dënuar dhunën e pajustifikueshme edhe gjatë përpjekjes për grushtin e shtetit, por ne i kemi kushtuar një rëndësi të veçantë angazhimit tonë për parandalimin e rekrutimit të terroristëve në radhët e rinisë myslimane, duke u kujdesur gjithmonë që të inkurajojmë ndërtimin e një shoqërie paqedashëse dhe pluraliste.

Gjatë gjithë jetës sime, kam denoncuar publikisht dhe privatisht çdo ndërhyrje ushtarake në politikën e vendit. Në fakt, për dekada të tëra kam qenë një përkrahës dhe mbështetës i paepur i demokracisë. Duke qenë se kam vuajtur direkt pasojat e katër grushteve ushtarake gjatë katër dekadave në Turqi – si dhe kam qenë subjekt i persekutimeve dhe burgimit të padrejtë nga i atyre regjimeve ushtarake – kurrë nuk do të doja që bashkëatdhetarët e mi të vuanin sërish një përvojë të tillë kaq të hidhur. Nëse dikush, i cili duket si përkrahës i Hizmetit ka qenë i përfshirë në një grusht shteti, ai ka tradhëtuar idealet e mia.

Megjithatë, akuzat e z. Erdogan nuk janë aspak suprizuese, jo për ato që ai thotë për mua, por mbi të gjitha për atë që ai zbulon në lidhje me rrugën sistematike dhe të rrezikshme që po ndjek drejt një diktatura absolute.

Ashtu sikundër shumë qytetarë turq, pjesëtarët e lëvizjes “Hizmet” kanë mbështetur përpjekjet e hershme të z. Erdogan për demokratizimin e Turqisë dhe përmbushjen e kërkesave për anëtarësimin në Bashkimin Europian. Por, ne nuk kemi qëndruar në heshtje kur ai devijoi nga demokracia drejt despotizmit. Edhe para këtyre spastrimeve të reja, z. Erdogan gjatë viteve të fundit arbitrarisht ka mbyllur gazeta; ka larguar mijëra gjyqtarë, prokurorë, policë dhe nëpunës civilë nga pozicionet e tyre; si dhe ka ndërmarrë masa të ashpra sidomos ndaj komuniteteve kurde. Të gjithë kritikët e tij ai i ka deklaruar armiq të shtetit.

Hizmeti, në veçanti, ka qenë objektivi kryesor i zemërimit të presidentit. Në vitin 2013, z. Erdogan fajësoi simpatizantët e Hizmetit në rradhët e burokracisë turke për fillimin e një hetimi të një rasti korrupsioni që implikonte anëtarët e kabinetit të tij dhe disa bashkëpunëtorë të tjerë shumë të afërt të tij. Si rezultat i kësaj, shumë prej anëtarëve të gjyqësorit dhe forcave të policisë janë spastruar, ose arrestuar për të vetmen arsye se kanë bërë punën e tyre.

Që nga viti 2014, kur z. Erdogan u zgjodh president, pas 11 vitesh si kryeministër, ai është përpjekur vazhdimisht që Turqinë ta shndërrojë nga një demokraci parlamentare në një “presidencë ekzekutive”, në thelb me fuqi dhe kompetenca të pakufishme dhe të pakontrollueshme. Në këtë kontekst, deklarata e fundit e z. Erdogan se grushti i shtetit ishte një “dhuratë nga Zoti” është ogurzezë. Ndërkohë që ai kërkon të spastrojë akoma më shumë kundërshtarët e tij nga agjencitë qeveritare – rreth 70 mijë nëpunës janë larguar deri më tani – dhe për të goditur edhe më shumë Hizmetin dhe organizatat e tjera të shoqërisë civile, ai po heq shumë prej pengesave të mbetura për një pushtet absolut aq të dëshiruar prej tij. Amnesty International ka zbuluar fakte “të besueshme” të torturës, përfshirë dhe raste të përdhunimeve, në qendrat e paraburgimit. Ndaj nuk përbën çudi fakti që qeveria e z. Erdogan ka pezulluar Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe ka shpallur gjendjen e jashtëzakonshme në vend.

Presidenti i Turqisë po shantazhon Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke i kërcënuar me tërheqje të mbështetjes së vendit të tij nga koalicioni ndërkombëtar kundër Shtetit Islamik (ISIS). Qëllimi i tij është që të sigurojë ekstradimin tim, pavarësisht mungesës së provave të besueshme dhe praktikisht pa asnjë perspektivë për një gjykim të drejtë. Tundimi për t’i dhënë z. Erdogan çdo gjë që ai dëshiron është i kuptueshëm. Por, Shtetet e Bashkuara duhet ta kundërshtojnë një gjë të tillë.

Ekstremizmi i dhunshëm ushqehet me frustrimet e atyre që detyrohen të jetojnë nën sundimin e diktatorëve, të cilët nuk mund të sfidohen nga protestat paqësore dhe politika demokratike. Në Turqi, ndryshimi i qeverisjes së Erdoganit drejt një diktature po e polarizon shoqërinë dhe po e çon atë drejt kufijve të ndasive sektare, politike, fetare dhe etnike, duke nxitur në këtë mënyrë fanatikët.

Në interes të përpjekjeve të mbarë botës për të rivendosur paqen në kohë të turbullta, si dhe për të ruajtur të ardhmen e demokracisë në Lindjen e Mesme, Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk duhet t’i japin hapësirë një autokrati, i cili një grusht shteti të dështuar kundër tij, po e përdor kundër rendit kushtetues.

*Fethullah Gylen është dijetar mysliman, predikues dhe mbrojtës i kauzave sociale.

Please follow and like us: