Albspirit

Media/News/Publishing

Filmi i huaj “Kanun”, me aktorë shqiptarë në “DokuFest”

Filmi franko- belg sjell kanunin në “DokuFest”, ku do të luajnë edhe aktorë shqiptarë. Me skenar dhe regji të Sandra Fassio, në kuadër të kategorisë së filmave ndërkombëtarë do të shfaqet filmi “Kanun”, film ky franko- belg, i cili është i kategorisë së metrazhit të shkurtë dhe zgjatë 27 minuta. Filmi flet për kanunin, kodi i trashëguar shqiptar, i pamëshirshëm. Neni 864 thotë: Do të merrni hak për vdekjen e një anëtari të familjes me vdekjen e vrasësit. Por neni 602 kërkon respektim dhe mbrojtje ndaj mysafirëve të shtëpisë, sikur të ishin të familjes.

Këtë mbrëmje, Adili do të përballet me paradoksin e këtyre ligjeve që ai i ka vëzhguar përgjithmonë. Me rolet e tyre në këtë film luajnë aktorët: Kevin Azais, Arben Bajraktaraj, Louise Margouet, Anila Dervishi, Jehon Gorani dhe Alfons Avdylaj. “DokuFest” do të mbahet nga data 5 deri 13 gusht në Prizren. Organizatorët kanë shpallur programin e filmave për edicionin e 15-të, duke theksuar se: “janë bërë përzgjedhje nga një numër rekord aplikimesh”. Festivali do të prezantojë 238 filma nga 57 vende në 6 programe garuese dhe një numër të programeve speciale. Përzgjedhja e këtij viti përfshinë një numër të madh të filmave dokumentarë, të filmave të shkurtër dhe eksperimentalë, të cilët do të shfaqen në kinematë e njohur të Prizrenit.

Korrupsioni është tema qendrore e festivalit të këtij viti, konteksti social lokal dhe global si dhe pasojat e tij, të cilat do të theksohen dhe eksplorohen përmes një numri të eventeve, përfshirë panele, diskutime me filmbërës dhe ekspertë të ftuar ndërkombëtar dhe lokal, punëtori dhe konferencë të teknologjisë.

“DokuFest” do t’i bëjë homazh mjeshtrit të madh të kinemasë iraniane dhe të botës Abbas Kiarostami, i cili vdiq më 22 korrik të këtij viti, me shfaqjen e filmit të tij ikonik “Taste of Cherry”. Festivali po ashtu do t’i bëjë homazh edhe Chantal Akerman, një tjetër mjeshtër i kinemasë që ndërroi jetë vitin e kaluar, raporton e përditshmja Sot. Filmat e shkurtër të nominuar për Oscar, filma për internet, për sulme masive me armë në SHBA, për një shkëmb të vetëvrasjeve në Japoni si dhe gjendjen e refugjatëve të cilët përpiqen të arrijnë Evropën janë të gjitha pjesë e programit të edicionit jubilar të këtij viti. “DokuFest” këtë vit feston edicionin e tij të 15-të, dhe që në fillimet e tij ai ka pasur jo pak vëmendje për pjesëmarrje, filmat e tij nuk kanë munguar për tu shfaqur dhe në Tiranë për publikun.

Please follow and like us: