Fushata Clinton sugjeron involvimin rus në rrjedhjen e emailave
Pak para fillimit të Konventës Kombëtare Demokratike në Shtetet e Bashkuara, Partia Demokratike ka reaguar për informacionet lidhur me rrjedhjen e emailave në opinion.
Robby Mook, menaxher i fushatës i së nominuares së supozuar demokrate për presidente, Hillary Clinton, ka sugjeruar se beson se “aktorët shtetërorë rusë” mund të kenë qenë të involvuar në rrjedhjen e emailave të partisë, me qëllim që të ndihmohet rivali republikan, Donald Trump, i cili ka thënë se do të synojë përmirësimin e lidhjeve me Moskën, nëse zgjidhet president.
Zoti Mook i tha rrjetit CNN se ai nuk mendon se “ishte koincidencë” që emailat janë publikuar “në vigjilje” të Konventës Kombëtare Demokratike, që fillon sonte (25 korrik) në Filadelfia dhe zgjatë katër ditë.
Në më se 19 mijë emaila të vjedhur e të publikuar nga faqja në Internet, Wikileaks, tregohet se pjesëtarët e Komitetit Kombëtar Demokratik e kanë favorizuar kandidaten, Hillary Clinton, ndaj rivalit të saj, Bernie Sanders, gjatë zgjedhjeve partiake, duke i zemëruar grupet më progresive të partisë.
Kryesuesja e Komitetit Kombëtar Demokratik, Debbie Wasserman Schultz, paralajmëroi të dielën se po dorëhiqet pas zbulimeve se Komiteti Kombëtar Demokratik nuk iu dha kandidatëve mundësi të barabarta.
Në një email që ka rrjedhur shihet se një zyrtar i këtij komiteti ka diskutuar lidhur me atë se nëse Sanders mund të jetë ateist dhe nëse kjo mund të përdoret kundër tij.
Wasserman të dielën vonë ka shpallur se do të paraqes dorëheqje “në fund të kësaj konvente”.
Gjatë intervistës për rrjetin CNN, menaxheri i fushatës, Robby Mook, tha se “ka dëshmi se aktorët shtetërorë rusë kanë depërtuar në Komitetin Demokratik Kombëtar, kanë vjedhur emaile, dhe ka ekspertë që thonë se ata po i publikojnë këto emaile me qëllim të ndihmës për Donald Trumpin”.
Kompania e sigurisë në Internet, CrowdStrike.Inc, me seli në Virxhina, ka thënë muajin e kaluar se Komiteti Demokratik Kombëtar kishte kërkuar që firma të zhvillojë hetime për depërtimin e dyshuar në sistemet e tyre, që kishin filluar verën e kaluar. Kompania CrowdStrike tha se ka gjetur dëshmi se dy grupe të hakerëve të lidhur me shtetin rus ishin të involvuar.
Fushata e të nominuarit republikan për president amerikan, Donald Trump, i ka hedhur poshtë sugjerimet e zotit Mook për involvimin rus në favor të kandidatit republikan, i cili më herët ka thënë se do të synonte afrim me Moskën, nëse zgjidhet në Shtëpinë e Bardhë.
Lidhjet ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë kanë rënë në nivelin më të ulët prej Luftës së Ftohtë, pas ankesimit me forcë të Krimesë së Ukrainës nga ana e Rusisë, në vitin 2014, dhe për shkak të mbështetjes së Moskës për separatistët e armatosur në pjesën lindore të Ukrainës.
Në një deklaratë për të përditshmen Washington Post, fushata e zotit Trump, vlerësimet e zotit Mook i ka quajtur “shaka”.
“Kjo tregon se Hillary Clinton do të bëjë dhe do të deklarojë çdo gjë të mundshme për të fituar në zgjedhje dhe për të mbetur në pushtet në sistemin e manipuluar”, i tha gazetës, Jason Miller, këshilltar i lartë për komunikime i zotit Trump.