Albspirit

Media/News/Publishing

Koha Group reagon ndaj ndërhyrjes brutale të Ambasadores së Turqisë

Koha Group reagon ndaj ndërhyrjes brutale të Ambasadores së Turqisë

Koha Group ka reaguar ndaj kërkesës së ambasadores turke në Kosovë që i ka bërë Qeverisë së Kosovës, ku ka kërkuar ndëshkimin e gazetarit Berat Buzhala, lidhur me komentet e tij për grusht shtetit në Turqi.

Koha Group e cilëson këtë ndërhyrje “skandaloze” dhe është në kundërshtim të lirisë së shtypit dhe shprehjes, shkruan Gazeta Express.

Reagimi i plotë i Koha Group:

Kërkesa që ambasadorja turke i ka bërë Qeverisë së Kosovës për ndëshkimin e z. Berat Buzhala, për komentet që ai ka bërë në lidhje me grusht shtetin në Turqi, me të drejtë ka çuar pluhur si një ndërhyrje skandaloze.

Dhe për ne, në Grupin medial KOHA – “Koha Ditore”, Kohavision dhe Koha.net – është skandaloze për disa arsye.

Së pari, është kërkesë në kundërshtim me parimin e lirisë së shtypit dhe shprehjes që vlen në botën demokratike. E drejta e z. Buzhala për të shprehur mendimet e veta, sado të papëlqyera që mund të jenë ato për dikë, është e garantuar me Kushtetutën e Kosovës, por edhe me frymën e demokracisë liberale, të cilën synojmë ta ndërtojmë në vendin tonë. Për dallim nga Turqia, në Kosovë ligji nuk lejon arrestimin e gazetarëve vetëm për shkak se janë kritikë ndaj pushtetit dhe kundërshtojnë qëndrimet e pushtetarëve. Fatmirësisht!

Së dyti, ndërhyrja e ambasadores është e papranueshme, sepse është tentim për të imponuar ndikimin politik (në këtë rast madje të jashtëm) në sistemin tonë të drejtësisë. Fakti që në sistemin kosovar të drejtësisë ka pasur dhe ende ka ndërhyrje e kontroll politik, të brendshëm e të jashtëm, nuk e përligj një kërkesë të tillë prej kujtdo qoftë. Është sidomos e papranueshme për Grupin KOHA, meqë edhe ne vetë shpesh kemi qenë cak i sulmeve të tilla dhe kërkesave për burgosje, madje edhe prej diplomatëve perëndimorë. Në asnjë rast dhe në asnjë rrethanë politika nuk ka të drejtë të imponojë vullnetin e vet mbi drejtësinë. Sidomos jo, kur kërkohet arrestimi i njerëzve për mendimet e shprehura. Praktika e tillë është gjithçka, përveçse demokraci.

Së treti, kërkesa e ambasadores turke, që supozojmë se reflekton qëndrim zyrtar të Qeverisë së Turqisë, hap edhe një temë shumë të pakëndshme rreth paternalizmit që shpeshherë e kemi vërejtur në qëndrimin e zyrtarëve nga Ankaraja ndaj Kosovës dhe rajonit në përgjithësi. Derisa populli i Kosovës sigurisht se i është mirënjohës Turqisë për rolin e saj në çlirimin nga Serbia dhe ndërtimin e shtetit të pavarur dhe demokratik të Kosovës, në asnjë rast nuk mund të pajtohemi që ai shtet i pavarur dhe demokratik të veprojë nën diktatin e kujtdo.

Për fund, nuk kemi si të mos e vërejmë heshtjen e institucioneve të shtetit përballë një ndërhyrjeje të tillë të papranueshme, sikur që ishte kjo e ambasadores turke. Derisa liderët kosovarë – prej presidentit e kryeministrit e deri te kryeparlamentari dhe ministri i Jashtëm, por edhe ata në opozitë – vrapojnë të bëjnë komente dhe të lëshojnë deklarata për ngjarje nga më të ndryshmet në mbarë botën, ata heshtin (me ndonjë përjashtim, aty-këtu, të ndonjë zyrtari më të ulët) përballë sulmit në lirinë e shtypit, sistemin demokratik dhe pavarësinë e vendit. Një heshtje e tillë, që ndodh jo për herë të parë, tregon se pushtetarët tanë përveçse nuk ndiejnë asnjë lloj përgjegjësie për shoqërinë të cilën e sundojnë, ka shumë gjasa se janë dakord me sulmet e tilla ndaj lirisë, demokracisë dhe pavarësisë.

 Dhe si të tillë, ata janë problemi edhe më i madh sesa një ambasadore që mbase edhe mbetet e bindur se nuk ka bërë asnjë gabim, marrë parasysh se arrestimet e gazetarëve janë gjë normale në vendin e saj.

Por, jo në Kosovë. Assesi në Kosovë!

Please follow and like us: