Albspirit

Media/News/Publishing

Marubët në Amsterdam: Fotografët e një vendi të izoluar, shpesh të neglizhuar

foto marubi 1801“Dinastia Marubi -100 vite të studios fotografike shqiptare” do të paraqitet në Muzeun e Fotografisë së Amsterdamit, FOAM. Në këtë ekspozitë do të shfaqen fotografitë e përzgjedhura prej vitit 1856 deri në vitin 1959. Ekspozita në Amsterdam konsiderohet një hyrje në historinë e pasur fotografike të një vendi të izoluar evropian, që shpesh është neglizhuar

Foam Fotografiemuseum Amsterdam pret në shtator thesarin 100-vjeçar të fotografisë shqiptare. Muzeu Kombëtar i fotografisë “Marubi” bën të ditur se ekspozita do të qëndrojë e hapur deri më 27 nëntori me konfigurimin “Dinastia Marubi -100 vite të studios fotografike shqiptare”, ku do të shfaqen fotografitë e përzgjedhura nga 1856-1959.

Për këtë ekspozitë tashmë është shkruar edhe në faqen zyrtare të Muzeut të Fotografisë së Amsterdamit “FOAM”, ku mes të tjerash thuhet se janë tre breza fotografësh që realizuan portrete në studio me një spektër të gjerë të njerëzve, duke nisur nga borgjezia urbane, barinj, perandoria osmane dhe Mbreti Zog, duke mos përjashtuar aktorë të famshëm e piktorë.

Rreth vitit 1850, jo shumë kohë pas shpikjes së fotografisë, italiani Pietro Marubi mbërriti në Shkodër. Aty ai ngriti studion e parë fotografike në rajon, duke përdorur procesin e pjatës së lagësht. E vendosur në godinën e re, te pedonalja e qytetit, tani Muzeu Marubi ka trajtën moderne të paraqitjes së një muzeu bashkëkohor, ku ruhen mbi 150 mijë negativë xhami, duke u vlerësuar për arsyet historike, sociologjike, kulturore dhe antropologjike, po në radhë të parë si foto artistike. Në to janë fokusuar ngjarjet nga historia e trazuar e Shqipërisë – nga kohërat osmane në periudhën e komunizmit -ritualet sociale, kostume folklorike dhe portretet sociologjikisht interesante. Ekspozita në Amsterdam konsiderohet një hyrje në historinë e pasur fotografike të një vendi të izoluar evropian që shpesh është neglizhuar.

Dinastia Marubi ka lënë gjurmë të thella në historinë e artit shqiptar. Gjithçka nisi pothuaj 200 vite më parë, kur artisti i parë i Marubëve, Pjetri, nis të fotografojë ngjarjet politike të kohës, si “Lidhja e Prizrenit”, “Kryengritja e Mirditës” e shumë të tjera.

Pas vdekjes së tij, Kel Marubi u bë trashëgimtar legjitim i studios, duke e transformuar atë në një atelie të vërtetë arti. Ai e pasuroi fototekën me figura të njohura të kohës, Fishtën, Migjenin, Koliqin, Galica, Gjoluli, Curri, Noli, Zogu etj., si edhe me foto nga njerëz të zakonshëm me kostume kombëtare, pamje nga jeta e qytetit dhe e fshatit, peizazhe dhe aspekte te tjera nga jeta në Shqipëri në fund të shekullit të nëntëmbëdhjetë dhe fillim të shekullit të njëzetë. Në vitin 1970 e gjithë pasuria prej 150 mijë negativësh i kaloi shtetit.

“Fototeka Marubi” ka shërbyer si burim për botime të ndryshme, për albume, botuar në Francë dhe Itali. Marubët, njihen edhe për nudot e para që kanë realizuar. “Malësorja e paemër” është gruaja e parë shqiptare që guxoi të zhvishet para aparatit të Pjetër Marubit në vitin 1878. Kurioziteti që ngjalli kjo fotografi, nxiti kërkimin për të tjera femra në fototekën “Marubi”. E u zbulua se ekzistonin dhe disa femra të tjera të fotografuara jo vetëm nga Pjetër Marubi, por edhe nga Kel e Gegë Marubi. Thuhet se dinastia e Marubëve mbaron me Gegen. Faktikisht pas vdekjes se tij asnjë nga Marubët nuk e trashëgoi më profesionin, nuk pati më aparatin fotografik si treguesin e artit të tij. Ekspozita ekspozita “Dinastia Marubi – 100 vite të studios fotografike shqiptare” është pjesë e një serie ekspozitash rreth studiot fotografike që FOAM ka paraqitur në vitet e fundit, nga më të famshmet rreth botës dhe Evropës. Kjo ekspozitë është në bashkëpunim të ngushtë mes Muzeut Kombëtar Marubi në Shkodër dhe FOAM në Amsterdam, kurse ekspozita e fotografive të Marubit në Muzeun e Amsterdamit është vazhdimësi e ekspozitave të ndryshme që prezanton ky institucion kulturor.

V.M

Please follow and like us: