Albspirit

Media/News/Publishing

Rama-Kokëdhima dhe i keqinformuari Fevzi

arben rrozhaniNga Arben Rrozhani

Mesditën e 18 korrikut i bëra një kërkesë Blendi Fevziut, në emër të Koço Kokëdhimës, që donte të ishte në studion e “Opinion”-it për të mbrojtur qëndrimin e tij kundër asaj pjese të reformës në drejtësi, e cila shkelte Kushtetutën e Shqipërisë, cenonte sovranitetin dhe po përpiqej të votohej pa konsensus me opozitën dhe duke trafikuar vota të djathta. Pas katër orësh, Fevziu ktheu përgjigje se nuk kishte planifikuar asgjë për të nesërmen, sepse gjithçka varej nga takimi Meta-Basha-Rama plus ambasadorët Lu dhe Vlahutin. Por më premtoi se do të bënte një gjë të shkurtër, gjithsesi, përgjigje që u vlerësua nga Kokëdhima, mjaft që të shprehej një mendim logjik, jo politik, dhe jo en block, siç ndodhi me mediat pak ditë para votimit të reformës në drejtësi, të enjten e shkuar, duke u gdhirë e premtja. Intervista nuk u bë, por nëse do të kishte qenë në studio, Kokëdhima do të fliste dhe do të sqaronte shumë gjëra në “Opinion”, qoftë edhe për të mos e lënë kolegun Fevziu të bëjë një opinion si ai i djeshmi “Përse u prish Koço Kokëdhima me Edi Ramën?”,  mbushur me keqinformime, pasaktësi historike dhe politike dhe me dyshime se kujt i ka leverdisur, pak ditë pas miratimit të reformës në drejtësi, që të zbulohen “të fshehtat e prishjes” mes Koço Kokëdhimës dhe Edi Ramës, duke thënë se Koçon e bëri Edi, ata u mërzitën se nuk ndërhyri për t’i shpëtuar mandatin e deputetit, se…

“Keqkuptimet” e Fevziut

Sipas Fevziut, përpara se Rama të rilindte PS-në në vitin 2013, paska rilindur Koço Kokëdhimën në vitin 1998, kohë kur thotë se Rama erdhi nga Parisi, ndërsa Kokëdhima u zhvendos po në Tiranë nga Fieri, ku nisi edhe publikimin e gazetës “Shekulli”. Sa për saktësi historike, numri i parë i gazetës “Shekulli” daton më 7 tetor 1997 dhe ishte fryt i një projekti të menduar dhe financuar kohë më parë. Koço Kokëdhima ishte biznesmen ndër më të shquarit e më të mëdhenjtë në Shqipëri gjatë gjithë viteve 90. Ai e kishte nisur biznesin e tij privat që ditën e parë kur u lejua iniciativa private nga shteti komunist, duke u marrë me ndërtimtari, punë publike, më pas me media dhe telekomunikacion. Në vitin 1993 ai e zhvendosi në Tiranë aktivitetin e tij kryesor të biznesit. Gjatë kësaj kohe, Edi Rama kishte pasur axhendën e tij private, si pedagog në Institutin e Arteve, publicist me penë therëse kundër ish-presidentit Sali Berisha, artist bohem në Paris dhe më pas rikthimin në Tiranën e lindjes, për të nisur rrugën përpjetë politikës. Kjo do të ndodhte në vjeshtën e vitit 1998, pas dështimit të grushtit të shtetit të Sali Berishës, për t’u përzgjedhur nga ish-kryeministri Fatos Nano si ministër Kulture. Pra, gjatë viteve ’90, rrugët e Kokëdhimës dhe të Ramës ishin të ndara.

Kur Edi Rama ishte bërë kryetar bashkie u vendos që të zhbëhej barakopoli që kishte përçudnuar kryeqytetin gjatë qeverisjeve të kryebashkiakëve të PD-së, me mijëra kioska në sheshe publike, rrugë, trotuare, anash lumit Lana dhe kudo. Aksioni bashkiak u mbështet nga ish-kryeministri i asaj kohe, Ilir Meta, por ndihmë të paçmuar dhanë bizneset vendase që ofruan mjetet e tyre të punës, pa asnjë shpërblim për të prishur dhe larguar nga qyteti qindra mijëra tonë mbetje inerte të ndërtimeve të shkatërruara. Ndokush mund t’i ketë harruar këto ndihma bujare, por ende mbahen mend sot makineritë e rënda “Caterpillar” të firmës së Kokëdhimës që punonin falas për të rilindur kryeqytetin, përkrah mjeteve të biznesmenëve të tjerë, që bashkë me qeverinë i dhanë një dorë ndihmë Bashkisë së Tiranës.

Fevziu aludon për të ashtuquajturat lidhje dhe përfitime që ka pasur Kokëdhima nga Edi Rama si kryetar bashkie deri në vitin 2011, por edhe pranon në shkrimin e tij, se ndoshta më e madhe ka qenë kostoja e besnikërisë politike dhe shoqërore të Kokëdhimës ndaj Ramës. Kur u bë Rama kryetar basdhkie Kokëdhima kishte kompanitë më të mëdha dhe më të fuqishme në Shqipëri në fushën e ndërtimeve dhe nuk kishte nevojë as për Ramën as për dikë tjetër që të punonte, por kishte nevojë për lirinë e konkurrencës dhe barazinë e tregut. Por Fevziu duket se është më i ndikuar nga të gjitha ato raste në Shqipëri që i konsideron raste suksesi kur bizneset janë zhvilluar përmes garave të fituara padrejtësisht dhe me mbështetjen e politikanëve.

Kokëdhima ka qenë mediabërës me standarte, ka respektuar dhe garantuar liritë profesionale të gazetarëve dhe ka ndjekur një politikë editoriale të pavarur e nga pozitat e të majtës dhe për këtë ka bërë shumë beteja e ka marrë shumë kosto edhe me qeveritë e majta përpara vitit 2005. Por besnikërinë dhe qëndresën e tij ndaj ndaj të majtës në Shqipëri dhe ndaj Ramës, Kokëdhima e pagoi veçanërisht shtrenjtë në 8 vitet e mbretërimit të egër të Sali Berishës, duke ia përjashtuar kompanitë nga të gjitha garat publike dhe projektet dhe duke ia mbytur në gjoba arbitrare, me qëllim që ai të ndryshonte vijën editoriale të gazetës “Shekulli”, e cila mbeti e njëjtë, ashtu si dhe sot.

Mediatori

Koço Kokëdhima nuk e ka mohuar rolin e negociatorit mes Ramës dhe Metës dhe nuk është penduar për këtë deri më sot. Ai është i bindur se një e majtë e përçarë është oksigjeni për Sali Berishën dhe pushtetin e tij. Është jo vetëm bindja e tij, por një e vërtetë historike: Sa herë bëhej bashkë e majta, ishte në pushtet; sa herë përçahej, vinte në fuqi Sali Berisha, siç ndodhi në korrik 2005 apo në qershor 2009. Prandaj ai kishte punuar shumë dhe me vetëdije të plotë patriotike dhe në shërbim të së majtës, që Sali Berisha të mos ishte sërish kryeministër edhe duke mos marrë votën popullore, siç kishte ndodhur më parë, por që një bllok i natyrshëm politik të merrte pushtetin për një drejtim të ri të vendit.

Por në PS, shumë njerëz i lodh ideja e një të majte të bashkuar, harrojnë se çfarë i ka bërë Berisha elektoratit të majtë kur ka ardhur në pushtet, edhe pse shumica e votave kanë qenë kundër tij, por se kështu është Kodi Zgjedhor. Janë po këta njerëz, me formim të mangët politik dhe që nuk shohin përtej hundës së tyre, që ende e shohin LSI-në vëngër, Ilir Metën si plangprishës dhe janë gati të pështyjnë në çorbë, duke harruar që Saliu është pas derës së qeverisë, gati që të rrëmbejë fronin për të rrëmbyer çfarë i ka mbetur Shqipërisë. Prandaj Kokëdhima insiston se pa marrëveshje e koalicion me LSI-në, kjo PS që kemi nuk do të qeverisë pas zgjedhjeve të ardhshme dhe do të shkojë në opozitë.

Mandati si mandatë politike

Kur binte fjala ndonjëherë këta muajt e fundit, për drojën se mos Gjykata Kushtetuese do të vendoste, siç bëri, që t’i hiqte mandatin e deputetit, Kokëdhima tregohej indiferent, për atë që shumë njerëz në Shqipëri e shohin si çelësi për të hapur dyer të mëdha. Mandati, si karton, ishte i parëndësishëm për të. Rëndësi kishte vetëm fakti që përfaqësonte zgjedhësit e zonës së tij. Në shumë biseda, nga shkurti 2015, deri para dy muajsh, dëgjova njerëz që këshillonin shumë shkurt: Deputeti duhet të bëjë dy gjëra: të kërkojë ndërhyrjen e Ramës ose të Metës te gjyqtarët, ose të paguajë. Kur ia pata thënë këtë Kokëdhimës, mora si përgjigje një të sharë të rëndë për mesazherin dhe një refuzim të prerë: Harroje!!! Jam në të drejtën time, sepse nuk kam bërë gjë. Është vetëm sulm politik i opozitës që sigurisht kërkon edhe reagimin e nevojshëm politik nga drejtuesit e PS-së.

Por unë jam shumë i qetë për të pritur vendimin e gjykatës”. Nuk ndodhi ashtu. Mandati i Kokëdhimës u hoq, sepse askush nuk u investua për të mbrojtur të drejtën, por, për më keq, investimi më i madh ishte që ai mandat të hiqej, sepse Koço Kokëdhima nuk i duhej më kësaj të majte. Kjo ishte besëprerja që ligështoi aq shumë deputetin e Vlorës, në një moment kur ai sapo ishte zgjedhur nga Asambleja Kombëtare e PS-së sekretar për Reformën Strukturore dhe Emigracionin dhe si deputeti që kishte lënë pas dy fushata të shkëlqyera, një parti të rinovuar në rajonin Vlorë-Gjirokastër, por, për fat të keq, edhe shumë armiq në PS.

Kokëdhima nuk donte ta konsideronte se reforma e tij për të zhbërë strukturat e atrofizuara në bazën e partisë, kishte pengesa brenda vetë saj, nga qendra në bazë. I mësuar me kontaktet me elektoratin, hallet e tyre jo vetëm gjatë fushatave të vitit 2013 dhe 2015, por edhe në takimet e përditshme, njoftimet që i vinin nga zyrat e ngritura në rajonin e Vlorë-Gjirokastrës, ai e kishte të qartë atë që po bënte: një parti të hapur për të rinjtë, për profesionistët, për të mënjanuarit dhe të përçmuarit e të majtës, duke ia hequr rolin e qehajait një grushti njerëzish, prej të cilit partia ishte kthyer në një parti familjare, që trashëgohej dhe mbyllej brenda një trungu.

Por “projekti pilot”, siç do ta cilësonte Gramoz Ruçi në Kongresin e PS-së, po shembte themelet e një ngrehine politike, prej të cilës njerëzit vetëm sa ishin larguar, sepse nuk e gjenin veten dhe nuk i pranonte njeri brenda.

A ishte ky një projekt që cenonte pozitat e Edi Ramës në PS? Përkundrazi. Me një anëtarësi të trefishuar vetëm në rajonin Vlorë-Gjirokastër, fitore bindëse kryetarësh bashkish në zgjedhjet e vitit 2015 në të pesë bashkitë problematike në zonën ku drejtonte Kokëdhima, e majta ishte në kulmin e saj. Kokëdhima kishte ngritur në këmbë mijëra veprimtarë politikë duke punuar ditë-natë me njerëzit, me zgjedhësit, për të zgjidhur hallet dhe problemet e tyre, duke shëndoshur strukturat e atrofizuara të PS-së në bazë dhe duke zgjeruar anëtarësinë e saj. Ky projekt e ka bërë Kokëdhimën një politikan që edhe dy muaj pas heqjes së mandatit, ka po të njëjtën lidhje, në mos më shumë, me elektoratin e majtë, jo vetëm në rajonin Vlorë-Gjirokastër, por edhe në mbarë Shqipërinë.

Please follow and like us: