Reuters: Turqia kërkon arrestimin e një gazetari nga Kosova
Ambasada turke në Prishtinë raportohet t’i ketë kërkuar qeverisë së Kosovës ndëshkimin me burg të gazetarit nga Kosova, Berat Buzhala për shkak të komenteve thumbuese të bëra në rrjetin social, Facebook.
Agjencia Reuters raporton se e ka parë kërkesën e Ambasadës turke dërguar ministrisë së jashtme të Kosovës, krahas edhe komenteve të Buzhalës në ‘Facebook”.
Buzhala sipas këtij artikulli të Reuters, më 15 korrik derisa vinin lajme për përpjekjet për grusht shtet në Turqi ka ironizuar duke thënë se “iu bëj ftesë qytetarëve të Republikës së Kosovës që janë me pushime në Turqi të rreshtohen me ushtrinë”.
“Turqia është përkrahës i madh i Kosovës…kompanitë e saj udhëheqin aeroportin e vetëm, distributorin elektrik ndërsa po ndërtojnë edhe dy autostrada që kanë vlerë 2 miliardë dollarë”, shkruan Reuters.
Ambasada turke e ka kërkuar ndëshkimin e gazetarit kosovar që është edhe udhëheqës i një prej mediumeve të Kosovës përmes një ligji të ri që ndëshkon qytetarët e Kosovës që marrin pjesë në konflikte të huaja.
“Në kërkesën e ambasadës gjithashtu thuhet se ligji në fjalë thotë që komentet nga njerëz siç janë Buzhala ‘duhet të ndëshkohen me burg nga gjashtë muaj deri në pesë vjet”, shkruan Reuters.
Gazetari nga Kosova ka thënë se ai nuk është informuar për kërkesën, porse kjo sipas tij e dëshmon “arrogancën e qeverisë turke ndaj vendeve të vogla si Kosova, duke dashur që pas nënshtrimit ekonomik, ta nënshtroj edhe politikisht”.