Albspirit

Media/News/Publishing

Shqiptarët e Luginës kundër protestës ‘pro Erdoganit’

Valmira Halimi 

 

Një thirrje që ka filluar të përhapet nga portalet lokale, se të mërkurën do të mbahet një miting në mbrojtje të presidentit turk, Rexhep Tajip Erdogan, ka shqetësuar lidershipin në Luginën e Preshevës, të cilët u bëjnë thirrje qytetarëve që të shikojnë kah Perëndimi e jo nga Lindja.

Ish-kryetari i Komunës së Preshevës, Ragmi Mustafa, ka thënë për “Zërin”, se një miting i tillë është i panevojshëm për Luginën. Sipas tij, shqiptarët duhet të shohin në drejtim të Evropës dhe Perëndimit e jo në drejtim të Lindjes.

Sipas Mustafës, kushdo që qëndron prapa këtij organizimi duhet të dalë hapur e jo të mbetet anonim.

“Partia Demokratike Shqiptare nuk është pjesë e asnjë mitingu apo përkrahjeje për Erdoganin. Ne nuk e dimë se kush qëndron prapa këtij mitingu, por ka dikush që e ka organizuar, por ata që janë organizator duhet të jenë të guximshëm dhe të dalin dhe të thonë se kush janë ata që mbështesin nga Presheva Erdoganin në Turqi”, ka deklaruar për “Zërin”, Mustafa.

Ai po ashtu ka thënë se një tubin i tillë nuk i hyn në “xhep” aspak presidentit turk. Sipas tij, shqiptarët e Luginës kanë probleme më të mëdha sesa politika turke.

“Unë nuk e besoj se në radhë të parë i ndihmon Erdoganit një tubim i tillë. Nuk e di përse në këtë rast një komunë aq e vogël me probleme aq të mëdha që ka në Luginë edhe në këtë drejtim të merret me mbrojtjen e politikës në Turqi për pa qenë pjesë e Turqisë ose pjesë e interesit të shqiptarëve këtu nga Turqia. Mund të themi se ne shqiptarët e Luginës por edhe shqiptarët kudo që janë sytë i kemi të kthyer nga Evropa”, ka deklaruar Mustafa.

Edhe kryetari i Komunës së Bujanocit, Shaip Kamberi, ka thënë se shqiptarët në Luginë kanë shumë arsye të tjera të protestojnë e jo të dalin në një miting të tillë.

Sipas tij, shqiptarët duhet të shohin drejt Evropës e jo drejt Lindjes, pasi që, sipas tij, një përkrahje e tillë për presidentin turk është e panevojshme dhe e padobishme.

“Ne jemi me Evropën, jo me Lindjen. Shqiptarët kanë shumë arsye për të protestuar për çështjet dhe problemet e veta… Pavarësisht se ne e konsiderojmë mik Turqinë dhe popullin e Turqisë megjithatë nuk di se çfarë do të jetë ajo ndihmë që do të shkojë prej Luginës së Preshevës e cila është pjesa ndoshta më e diskriminuar e hapësirave gjithëshqiptare”, ka deklaruar Kamberi për “Zërin”.

Belgzim Kamberi, kryetar i Këshillit për të Drejtat e Njeriut në Luginë të Preshevës, ka thënë për “Zërin” se shqiptarët e Luginës duhet të protestojnë kundër qeverisë së Serbisë, pasi që, siç tha ai, është kjo qeveri e cila si në aspektin politik ashtu edhe atë ekonomik po i shtyp shqiptarët në Serbi.

“E drejta për protestë është e garantuar edhe me Kushtetutë edhe me normat ndërkombëtare për të drejtat e njeriut. Arsyeja kryesore përse shqiptarët sot në Luginë të Preshevës janë të shtypur si në aspektin politik ashtu edhe ekonomik është qeveria e Republikës së Serbisë. Prandaj mendoj që adresa kryesore e protestës edhe e kundërshtimit duhet të jetë ndaj qeverisë së Republikës së Serbisë”, ka thënë Kamberi për “Zërin”.

Gazeta “Zëri”, gjatë ditës së djeshme ka provuar që të kontaktojë me kryetarin e Komunës së Preshevës, Shqipërim Arifi, por një gjë e tillë ka qenë e pamundur. Ka qenë shefi i kabinetit të tij, Gazmend Selmani, i cili ka thënë se janë në Gjermani dhe se kryetari Arifi është në disa takime, por që ai vetë nuk është i autorizuar të flasë.

Kjo protestë e thirrur nga një grup qytetarësh, të panjohur, nga Presheva për të mërkurën, do të fillojë nga ora 17:30, ku me pankarta në duar “Vetëm populli e përcakton fundin” dhe “Lugina të mbështet”, do të fillojë në shtëpinë e kulturës “Abdullah Krashnica” në Preshevë.

Please follow and like us: