TIA rrit frikshëm fitimet për 2015
Tirana International Airport, kompania që menaxhon me koncesion Aeroportin e Rinasit ka deklaruar një normë rekord fitimi (para taksave) prej 40.7% në vitin 2015, nga 35.5% që ishte ky tregues një vit më parë.
Me shpenzimet në total, që u rritën në 6.1%, koncesionari I Rinasit arriti që të zgjeronte fitimet para taksave në gati 2 miliardë lekë, (14.3 milionë euro), nga 1.5 miliardë lekë (rreth 11 milionë euro) në 2014-n.
Me këtë performancë financiare, Tirana International Airport mbetet një nga kompanitë më fitimprurëse dhe aktivvitet të qëndrueshëm e të garantuar nga marrëveshja koncesionare në Shqipëri, e cila në fakt ka krijuar kushtet që TIA të aplikojë tarifat më të shtrenjta të biletave për fluturimet nga Shqipëria dhe anasjalltas. Kontrata u rinegociua për t’i dhënë akses edhe aeroportit të Kukësit në fluturimet ndërkombëtare, por kjo deri më tani nuk ka prodhuar asnjë ulje të kostove për fluturimet nga aeroporti i Rinasit. Qeveria shqiptare, sipas bilancit, ka marrë në 2015-n, 366 milionë lekë (2.6 milionë euro) si tarifë për koncesionin, që është e barabartë me 30% të fitimit të pagueshëm të shoqërisë.
Në prill 2016, grupi i shërbimeve financiare China Everbright me bazë në Hong Kong njoftoi zyrtarisht se ka nënshkruar marrëveshjen për blerjen e të drejtave koncesionare në Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës. Ndërmarrja që do të marrë përsipër të drejtat e koncesionit është emërtuar, “Keen Dynamics Limited” dhe sipas marrëveshjes do t’i ushtrojë këto të drejta deri në vitin 2027. Blerësi direkt është “offshore” i regjistruar në Ishujt Cayman dhe kishte një xhiro zero lekë në 2015-n, sipas të dhënave nga Autoriteti i Konkurrencës, raporton Monitor.