Abuzimet, karburanti i policisë tashmë me karta elektronike
Ministria e Brendshme prezantoi projektin e kartave elektronike për furnizimin me karburant të mjeteve të funksionarëve të këtij dikasteri dhe të automjeteve të Policisë së Shtetit.
Objektivi i këtij projekti është zhdukja e abuzimit me tollonat e karburantit.
Në ceremoni, projekti u prezantua nga ministri Saimir Tahiri, ndërsa Kryeministri Rama tha se Qeveria synon të shtrijë këtë teknologji në gjithë institucionet shtetërore, ku foli për 9 mln dollarë abuzime në vit me karburantin.
“Kësaj tradite të ndyrë shtetërore 20 e kusur vjeçare i japim fund, jo vetëm për Policinë e Shtetit, por për të gjitha institucionet shtetërore që përdorin automjete dhe çdo vit hapin gropa në buxhet për shkak të vjedhjes masive dhe epidemike të parave përmes abuzimeve me tollonat e karburantit. Do të kursehen 8 mln litra karburant, pra rreth 9 mln dollarëve vjedhje e përvitshme epidemike në të gjithë territorin nga ana e njerëzve që marrin tallona, japin e marrin tallona dhe grabisin shtetin“, tha Rama.
Projekti, për të cilin puna ka nisur që në muajin janar, do të testohet me 150 makina në fillim dhe më pas do të shtrihet në gjithë logjistikën e Ministrisë së Brendshme.