Albspirit

Media/News/Publishing

Andi Bushati: Ku janë aleatë Rama dhe Berisha

Pak ditë më parë pjesa më e madhe e mediave e raportoi ftohtë një komedi- tragjedi që u zhvillua në parlament mes dy bajlozëve të politikës shqiptare. Fjala është për replikat mes Ramës dhe Berishës se kush do të përfundonte i pari në burg pas miratimit të reformës në drejtësi.

Por, për çudinë e atyre që e panë këtë skenë live, apo të atyre që e ndoqën të ritransmetuar me dhjetra herë, si njëri edhe tjetri, në vend që të merakoseshin, zgërdhiheshin pas kërcënimit ekstrem të kundërshtarit.

Pikërisht për këtë mendoj se ky nuk qe një lajm që duhej kaluar thjeshtë si raportim.

Ai donte një qëndrim. Sepse ai qe simboli i asaj që shikojmë prej vitesh.

Këta personazhe të akuzuar për gjerat më mostruoze tallen me ndëshkimin e tyre të mundshëm. Ata nuk i tremben as drejtësisë, as kundërshtarit. Prandaj bëhen cinikë dhe nënqeshin kur dikush i kujton se me ndryshimin e pushtetit mund të përfundojnë në qeli.

Mu kujtua kjo fabul sot, kur në tribunën e PD-së pashë një nga deputetet mw serioze të kësaj partie, Jorida Tabakun, të recitonte një nga refrenet më qesharakë që na kanë zënë veshët dekadën e fundit.

Fjala është për dhënien me koncesion të rrugës së kombit dhe  përbetimin e opozitës se sapo të rikthehej në pushtet do ta shfuqizonte këtë praktikë.

Në fakt, këtu, Tabaku nuk ka asnjë faj. Kjo është linja zyrtare e PD-së të cilën edhe vetë Lulzim Basha e ka deklaruar me gojën e tij disa here, duke përmendur koncesionet skandaloze në shëndetësi.

Por pyetja që shtrohet është: Ai i beson kush?

Po ti kthehemi historisë së viteve të fundit ka ndodhur krejt e kundërta.

Pasi shpalli politikën e duarve të pastra Sali Berisha i 2004-2005-ës u rikthye në pushtet se i premtoi shqiptarëve se do të anulonte shumë nga firmat abuzive të paraardhësit të tij Fatos Nano.

Ai ngriti zërin në kupë të qiellit se do ta kthente mbrapsht privatizimin e Albtelekomit nga turqit, por më pas nuk luajti as gishtin për të ndryshuar gjë.

Ai denoncoi fort futjen e kompanisë së kazinove Regency, në parkun Rinia, por më pas i hapi drtitën jeshile asaj.

Ai e shpalli Rezar Taçin si kontrabandist, por më pas e ndihmoi familjarisht të vishte kostumin e një oligarku alla Putin.

Si për ironi të fatit, fjalë për fjalë, të njëjtën taktikë demagogjike përdori edhe Rama i viteve 2005- 2013, kur qe në opozitë.

Ai u përbetua se do ti zhbënte koncesionet e markimit të karburanteve, atë të Rapiskanit (skanimit në dogana) atë të Llotarisë kombëtare, atë të pullave fiskale e kështu me radhë.

Por, kur erdhi në pushtet, rilindja jo vetëm që nuk bëri asgjë, por në të kundërt i dha gaz dorëzimit me koncesion të shumë pasurive të tjera, duke përdorur edhe PPP (mënyrën e re të bashkëpunimit publik privat).

Kështu menjëherë lulëzuan koncesionet e check up-it, të hemodializës, ato të sterilizimit dhe mbetejve spitalore. Vetëm për vitin që shkoi, Rama shpërndau pa pikë frike për klientët e tij rreth 200 miljonë euro në koncesione dhe vuri në përpunim planin për 80 të reja.

Prandaj sot kur opozita përdor për luftë politike të njëjtën përrallë, zor se i beson ndokush.

Në fakt, justifikimet e atyre që pasi ngjiten në pushtet i harrojnë përbetimet, kanë një dozë të vërtete. Shumica e këtyre beneficeve të dhëna nga qeveritë, për klientët e politikës apo për ata që paguajnë shtrenjtë, janë të vështira të zhbëhen. Asnjë gjykatë shqiptare e aq më tepër ndërkombëtare nuk e shfuqizon dot një kontrattë të tillë pa provat e sakta për korrupsion.

Prandaj krijohet rrethi vicioz i atyre që vijnë në pushtet duke luftuar koncesionet e pararadhësve dhe e kalërojnë atë duke shpërndarë pasuri të reja kombëtare.

Por, duke pranuar këtë justifikim, nuk mund të lihet pa thënë një e vërtetë e madhe. Se pavarësisht nga kërcënimet e atyre që kanë radhën të jenë në opozitë, këto koncesione vazhdojnë punën pavarësisht kush është në qeveri.

Së pari sepse bizneset e tyre shpesh u shiten pronarëve të rij që janë të afërt me pushtetin e radhës. Së dyti sepse shpesh ato i përkasin njerzve të një kaste, që është me këdo që vjen në pushtet.

Në këtë kuptim, si Nano dhe Berisha dje, si Rama sot, apo ndoshta edhe Basha nesër, pavarësisht shfaqeve me sherre dhe kacafytje, janë aleatë në një pikë: në vjedhjen permanente të shqiptarëve.

Paradoksalisht, ata militojnë për të njëjtin qëllim: për mbajtjen në këmbë të këtij sistemi dhe për pasurimin e kësaj kaste.

Prandaj kur nga tribuna e PD-së dalin sot për të thënë se do të anullojnë koncesionin më të fundit, e gjitha ngjan me një deja vue qesharake.

Prandaj kur Berisha dhe Rama akuzojnë shoku shokun se do përfundojnë në burg dhe nuk i besojnë as vetë kërcënimet që thonë, e gjitha ngjan e trishtë.

Se në fakt, duke bërë këtë, ata nuk po shantazhojnë realisht njëri-tjetrin, ata edhe njëherë po kërkojnë të tallen me ne.

Please follow and like us: