Albspirit

Media/News/Publishing

Berati, Isa dhe Hashimi

Lis Bukuroca

1. Ambasada turke paska kërkuar arrestimin e Berat Buzhalës. Nuk është e çuditshme kërkesa, kur burgosen gazetarët turq, pse bënë publike tregtinë e Erdoganit me Kalifatin, pse të mos arrestohet Berat Buzhala, që merr guximin të ironizojë me puçin e Erdoganit? Nuk duhet arrestuar vetëm Buzhala, por të gjitha ata që shkruajnë apo flasin kundër Erdoganit. Këtë shpresë ia kanë falur Erdoganit politikanët shqiptarë, si brenda gardhit, ashtu edhe jashtë. E pastaj, edhe në kohën e Titos apo të Enverit, shqiptarët burgoseshin për delikt verbal, e pse jo në epokën e Erdoganit?

Vëllai madh ka shprehur një dëshirë, pse ngurron tani Hashimi? Pse nuk ka guxim të deklarohet Qeveria e Kosovës? Për këtë dekret ka vite që ka punuar skena politike shqiptare. E deshët vilajetin, ja ku e keni. Merreni! Kosova është e shenjtë për Serbinë, me pallavra të njëjta shpall Kosovën të shenjtë edhe Turqia. Dëshironit të banoni me qira në tokën tuja, banoni! Respektoni dekretet e sulltanit! Janë plotësuar të gjitha kushtet për t’u inkuadruar në Perandorinë e tij. Bëjeni!

Kërkesa nuk është naive, kërkesa bëhet pasi janë të bindur se kanë njerëzit e vet që do të zbatonin urdhrat. Turqia nuk ka faj, ajo ka investuar shumë në liderët shqiptarë dhe një arrestim, dy tre, apo 30.000 kundërshtarë të Erdoganit në Kosovë, nuk prish paqen botërore. Edhe Millosheviqi arrestonte shqiptarë. Pse nuk aprovohet Erdoganlex dhe të ndalohet në Kosovë dhe Shqipëri çdo kritikë ndaj tij. Me ligje të tilla jemi të stërvitur mirë. Ne nuk e duam demokracinë. Nuk embrojmë atë. Në Kosovë mund të shahet dhe shpërbëhet çdo gjë shqiptare, por jo të thuhet mendimi për Sulltanin. Me arrestime jemi mësuar, por jo me ruajtjen e lirisë. Të fitohet liria është më lehtë se të ruhet dinjiteti i saj, paprekshmëria. Nuk është e drejtë të sprapset dekreti i vëllait të madh. Isa është kryeministër. Sigurisht do të përpiqen me Hashimin të bëjnë një deklaratë, që nuk guxon të dëshpërojë Erdoganin e hapareshur. Edhe pse, deklaratë prej tyre nuk duhet pritur fare. Kanë marrë shumë prej tij, si të kundërshtojnë tani burgosjen e vetëm të një shqiptari?

Pse nuk deklarohet Hashimi? Pse nuk deklarohet Isa Mustafa? Carl von Ossietzky, shkrimtar dhe gazetar gjerman thoshte: “Nuk mund të luftohet kur pantallonat janë më të mbushura se zemra!”

Me heshtjen e tyre, politikanët shqiptarë po dëshmojnë se nuk kanë as pantallona!

2. Hashimi u përkul para civilistëve të vrarë serb. Ndoshta nga dëshira për të luajtur Willy Brandtin me gjunjëzimin e tij në Varshavë. ndoshta i penduar, ndoshta pret shpërblime…Idiotët nuk dinë të logjikojnë. Willy Brandti u gjunjëzua si pjesëtar i popullit që kishte bërë krimin, mirëpo nuk është aspak logjike, as njerëzore dhe as kafshore, të vinte një kryetar izraelit dhe përkulej para ndonjë viktimave gjermane, që do t’ i kishin vrarë hebrenjtë, në kohë të luftës: për t’u mbrojtur, ndoshta nga hakmarrja dhe tërbimi se ishin vrarë të dashurit e tyre. Sepse në një Serbi, ku shumica besojnë se urdhrin për të vrarë ata ka dhënë pikërisht Thaçi, përkulja nuk është gjest qytetërimi, por ose tallje, ose ironi, ose idiotizëm i përkryer. Kur i dëmtuari kërkon të falur kriminelit – akti i dërgohej Serbisë dhe Hagës, duke mos ngritur akuzë për mijëra dhunime, për mijëra vrasje dhe 100.000 shtëpi të rrënuara – atëherë ai i dëmtuar, nuk ka dinjitet njerëzor, por vihet në një nivel me qenie të pa dinjitet. Dinjitet ka vetëm njeriu.Hashimi ka dëshmuar se këto 10 vitet e fundit i mungon diploma e kryesharlatanit dhe konformistit të rrezikshëm, por e meriton atë, madje edhe per idiotizëm…sepse vetëm idioti mund të përkulet aty ku shkruan “šiptarski terorizam”, me çfarë mendohet pikërisht në Thaçin. Ai qëndrim nuk ishte qëndrim fisnik, por qëndrim laviri. Deri sot nuk ka kundërshtuar asgjë, që i është kërkuar: flamuri, himni, demarkacioni, autonomia, gjykata e veçantë për Kosovën dhe nuk do të kundërshtojë asgjë, edhe kur Serbia e shpall Kosovën të shenjtë, edhe kur Turqia kopjon pallavrat serb.

3. Imituesit e epokës së vet janë të gjithë ata njerëz, që shfrytëzojnë çdo përparim të këtij civilizimi për vete, por gati të gjitha, ia ndalojnë grave. Një popull mund të përparojë vetëm kur barazia dhe ligjet e kushtetutës së sotshme, të jenë familjarizuar. Imituesit zakonisht janë fisnik dhe të qytetëruar jashtë, por brenda shtëpisë, konsiderojnë diskriminim virtyt. Me diktaturë familjare dhe me surrogat të demokracisë jashtë, krijohet një skizofreni edukative, një karakter i dyfishtë, që shpien në përçarje të personalitetit, respektivisht tek mungesa e karakterit.

Please follow and like us: