Albspirit

Media/News/Publishing

Bill Clinton, fjalim emocionues në mbështetje të “mikes” Hillary

Ish-presidenti demokrat Bill Clinton u ngjit në podiumin e Konventës demokrate në Filadelfia, për të treguar përse bashkëshortja, e njëkohësisht “mikja e tij” më e mirë duhet ta udhëheqë kombin amerikan.

“Ajo është nga ata njerëz që e bën ndryshimin të ndodhë, më e mira që njoh”, tha Bill Clinton. Në fjalimin e mbushur me tone personale, ai kujtoi me ngrohtësi momentet e njohjes dhe përkushtimin e saj ndaj shërbimit publik.

E shoqja sapo kishte hyre në histori, si e para grua që zgjidhet zyrtarisht kandidate për Presidente e njërës prej partive kryesore në Shtetet e Bashkuara.

Duhej të ndodhte më vonë, por në shenjë uniteti ish-rivali Bernie Sanders kërkoi ndërprerjen e numërimit të mëtejshëm, pasi u kalua kufiri i nevojshëm i 2383 votave nga delegatët. Hillary Clintonin tani e pret përballja me republikanin Donald Trump, në zgjedhjet presidenciale të nëntorit.

“U martova me miken time më të mirë. Që atëherë kemi ecur, folur dhe qeshur së bashku. Hillary më hapi sytë ndaj një bote krejt të re të shërbimit publik”, tha Bill Clinton, ish-president i SHBA.

Ish-Sekretarja e Shtetit, njëkohësisht ish-Zonjë e Parë e vendit, është sipas tij një njeri mëse i kualifikuar për Shtëpinë e Bardhë. Bill Clinton ia doli të shfaqte në atë sallë një anë më të brendshme e njerëzore të së shoqes, por etikimi i saj si njeri që sjell ndryshim, për “BBC”-në nuk ishte krejtësisht efikas.

“Është e lehtë të flasësh për eksperiencën e gjerë të saj, të akumuluar ndër vite, por është më e vështirë ta shohësh si një person të jashtëm, që do të pastrojë një sistem të perceptuar nga shumë si me të meta të mëdha”.

Please follow and like us: