Ditë të zeza për lirinë e shtypit në Turqi dhe rasti i Kosovës
Fran Shkreli
Gjatë viteve, Turqia është cilësuar nga ente të ndryshme ndërkombëtare që merren me mbrojtjen e lirisë së shtypit, si një prej vendeve kryesore në botë që njihet për abuzimin dhe shkeljen e lirisë së fjalës, si dhe për burgosjen e gazetarëve që konsiderohen si kritikë ose kundërshtarë të regjimit. Autoritetet turke kanë zhvilluar edhe më parë fushata kundër gazetarve dhe lirisë së shtypit në Turqi, por masat kundër gazetarve dhe medias në përgjithësi, po intensifikohen dhe po ashpërsohen gjithnjë e më shumë ditët e fundit. Regjimi turk po përdor dështimin e përpjekjeve për grusht-shtetin ushtarak kohët e fundit në atë vend, si një pretekst për t’i mëshuar lirisë së medias dhe përfaqësuesve të saj, sidomos në këtë kohë krize politike dhe ushtarake për Turqinë. Sipas analistëve ndërkombëtarë, ky është një rast i përshtatshëm, for fatkeq, për presidentin Erdogan që ta pastrojë vendin nga elementë që ai i konsideron të rrezikshëm për regjimin e tij, jo vetëm në radhët e ushtrisë dhe qeverisë, por nga të gjithë sektorët e shoqërisë, përfshirë edhe median. Historikisht, në raste të tilla krizash, liria e fjalës dhe e medias është viktima e parë dhe si e tillë, i prinë humbjes së lirive të tjera dhe të drejtave të njeriut, në përgjithësi.Në lidhje me masat e fundit anti-media dhe shkeljen e lirisë së fjalës dhe të medias në Turqi, në një deklaratë të hënën që kaloi, njëri prej enteve ndërkombëtare që mbështet lirinë e medias anë e mbanë botës, Komiteti për Mbrojtjen e Gazetarëve, u bëri thirrje autoriteteve turke që të mos përdorin dështimin e grusht-shtetit ushtarak për të spastruar gazetarët kritikë nga media e shkruar dhe nga ajo elektronike. Ndërkohë, organizata në fjalë citon burime turke se autoritetet e atij vendi kanë lëshuar fletë arrestime për të pakën 42 gazetarë turq. Komiteti për Mbrojtjen e Gazetarve u bëri thirrje autoriteteve të Turqisë që të ndalojnë fushatën që kanë ndërmarrë për burgosjen e gazetarve, vetëm e vetëm, sepse ata nuk janë dakort me pikëpamjet e tyre.
Por autoritetet turke nuk janë të kënaqur në përpjekjet e tyre që të kufizojnë dhe të luftojnë lirinë e shtypit vetëm mbrenda kufijve të vet. Ata dëshirojnë ta shtrijnë influencën dhe trysninë e tyre kundër lirisë së fjalës madje edhe përtej kufijve të vendit duke mos i kursyer as gazetarët e huaj, të cilët mund t’i konsiderojnë si kritikë ndaj politikave të Presidentit turk Erdogan. Një rast specifik për këtë fenomen! Zëri i Amerikës në gjuhën shqip citon një letër të botuar nga agjencia e lajmeve Reuter, letër kjo e ambasadës turke në Prishtinë drejtuar Ministrisë së Jashtme të Kosovës, në të cilën u kërkohet autoriteteve të Kosovës që të ndëshkojnë gazetarin Berat Buzhala për shkak të disa komenteve që kishte bërë në rrjetin social Facebook, në kohën e grusht-shtetit ushtarak në Turqi.
Sipas Zërit të Amerikës, në letrën që u publikua të martën nga agjencia e lajmeve Reuters, ambasada turke i shkruante Ministrisë së Jashtme të Kosovës për ta informuar se, “Pronari dhe drejtori i përgjithshëm i portalit Gazeta Express, Berat Buzhala, më 15 korrik derisa vinin lajme për përpjekjet për grusht shtet në Turqi, u ka bërë thirrje qytetarëve të Kosovës që ndodhen në Turqi, të vihen në anën e grupit që bëri përpjekje për grusht shteti”. Siç duket ky ishte një status ironik nga ana e gazetarit Buzhala, por që ka zemëruar aq shumë autoritetet turke sa që të urdhëronin ambasadën e tyre në Prishtinë të kërkojë ndëshkimin e Z. Buzhala. Gazetari Buzhala citohet të ketë thënë se nuk është informuar nga autoritetet e Kosovës për kërkesën e ambasadës turke në Prishtinë, por shtoi se, “është e pa-imagjinueshme që një qeveri e huaj bën një kërkesë të tillë për shkak të disa komenteve satirike.”
Gazetari Buzhala nuk është i vetmi gazetar i huaj që është bërë objekt i zemërimit të autoriteteve turke për shprehjet e tija satirike në rrjetin social Facebook. Gazeta amerikane New York Times njofton se media të huaja, përfshirë BBC-në dhe vetë gazetën New York Times — ndër të tjera ente mediatike ndërkombëtare — janë sulmuar dhe kritikuar gjithashtu për atë që autoritetet turke thonë se është, “mbulesë në favor të grusht-shtetit”, nga këto media ndërkombëtare.
Mediat e njohura ndërkombëtare perëndimore siç janë New York Times dhe BBC, historikisht, kanë mundur tu rezistojnë përpjekjeve dhe ndërhyrjeve si këto të autoriteteteve turke tani, por lind pyetja nëse mediat shqiptare do të mund tu rezistojnë trysnive dhe presioneve të ndryshme në të ardhmen, nga autoritetet turke ose burime të tjera. Për më tepër, a do ta kenë mediat shqiptare dhe përfaqsuesit e tyre në raste të tilla sulmesh, mbështetjen e qeverive në Prishtinë dhe në Tiranë, duke kundërshtuar ndërhyrje të tilla flagrante në ushtrimin e lirë të gazetarisë në trojet shqiptare?
Sipas medias, ende nuk është e qartë nëse qeveria e Kosovës i është përgjigjur letrës së ambasadës turke në Prishtinë. Në të vërtetë, Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës duhet t’i përgjigjet letrës së ambasadës turke me një notë-protestë të vetën duke e cilësuar atë si një ndërhyrje të papranueshme në punët e mbrendshme të Republikës së Kosovës dhe një shkelje të rëndë të lirisë së shtypit në shtetin e ri të Kosovës. Kosova e ka dëshiruar për një kohë të gjatë lirinë e shtypit, lirinë e fjalës dhe të drejtat e njeriut në përgjithsi, të drejta këto që janë shtypur dhe janë mohuar nga regjime të ndryshme terroriste sllavo-serbe. Nuk besoj se është në interesin e Kosovës dhe bile as të Shqipërisë, që për disa interesa të përkohshme ekonomike, të zëvendsojnë diktaturat e vjetra me diktatura të reja, duke humbur liritë themelore të njeriut në këtë proces. Kërkesa e ambasadës turke për të ndëshkuar një gazetar të Kosovës për shkak të disa komenteve satirike është një precedencë e papranueshme ndërhyrjeje në punët e mbrendshme të një vendi të lirë e të pavarur siç është Kosova. Njëkohsisht, shënon një ditë e zezë edhe për lirinë e shtypit dhe të fjalës së lirë në Kosovë, kur një vend si Turqia konsideron se ka të drejtë të kërkojë ndëshkimin e një gazetari shqiptar të Kosovës për shfaqjen e lirë të pikpamjeve të tija, pa marrë parasyshë se cili dhe kush është subjekti. Fatkeqsisht, siç u citua edhe vet gazetari Buzhala nga agjencia Reuters, kërkesa e qeverisë turke, nepërmjet letrës së ambasadës së saj në Prishtinë drejtuar Ministrisë së Jashtme të Kosovës, “Demonstron arrogancën e qeverisë turke ndaj vendeve të vogla siç është Kosova, duke dashur që pas nënshtrimit ekonomik, t’a nënshtrojë atë politikisht dhe juridikisht”, është shprehur gazetari Berat Buzhala.