Ekskluzive | Arrestohet pronari i radios në Pejë që transmetonte ligjërata për xhihad të imamëve të dënuar
Një hetim mbi njëvjeçar i autoriteteve të sigurisë së Kosovës ka çuar në arrestimin e dy personave që dyshohet se merreshin me përhapje të propagandës terroriste në Kosovë. Policia e Kosovës ka njoftuar të mërkurën se ka realizuar një operacion policor, në dy lokacione të ndara në rajonin e Pejës, me ç’rast ka arrestuar dy persona. Gazeta Express ka siguruar identitetit e të arrestuarave dhe veprimtarinë e tyre të dyshimtë
Për vite me radhë në radion që drejtonte pejani, Nebih Kadriu, transmetoheshin ligjërata fetare të imamëve që sot janë të dënuar për nxitje të terrorizimit. Zëri i Zeqrija Qazimit dhe imamit tjetër, Rexhep Mimishit nga Maqedonia, ishte skemë programore e secilës ditë në Radio Ansar, pronari i secilës të mërkurën ra në prangat e Policisë së Kosovës, mbi dyshimet se ka lidhje të ngushtë në përhapjen e ekstremizmit në vend. Për dyshime të ngjashme, të njëjtën ditë, policia në Pejë arrestoi edhe të dyshuarin tjetër Enis Musa.
Edhe pse u arrestuan në të njëjtën ditë, veprimtaria e Nebih Kadriut dhe Enis Musës nuk ndërlidhej mes vete. Megjithatë, e përbashkëta e tyre, mbetet terrorizmi dhe nxitjet për t’u bashkuar luftërave të armatosura në Siri e Irak.
Aksioni i Policisë, të martën, u zhvillua në shtëpitë private te të dy të arrestuarve nga Peja.
Gazeta Express, nga burime të veta në rajonin e Pejës, ka kuptuar se njeri nga dy personat që ranë në pranga e tyre – Nebih Kadriu, është themelues i Radio Ansar.
Kadriu, i lindur në vitin 1983, sipas hetuesisë kosovare, përmes radios së tij ka nxitur urrejtje dhe përçarje fetare dhe bashkimin në luftërat e fetare përkrah ISIS’it.
I njëjti medium, i hulumtuar nga Gazeta Express, del se vazhdimisht ka transmetuar ligjërata të imamëve tashmë të dënuar nga drejtësia, si në Kosovë ashtu edhe në vendet fqinje.
Në transmetimin direkt të kësaj radio janë dëgjuar ligjëratat e Imamit Zeqrija Qazimi, të cilin vetëm pak muaj më parë Gjykatës Themelore e Ferizajt e ka dënuar me 10 vjet burg, për rekrutim për terrorizëm dhe nxitje e urrejtjes.
Po ashtu, pjesë e skemës programore të Radio Ansar, kanë qenë edhe ligjëratat kontradiktore të imamit shqiptarë të Maqedonisë Rexhep Mimishit, i cili tashmë po vuan dënimin prej 7 vitesh të shqiptuar nga drejtësia maqedonase.
Edhe mësimet e imamit nga Prizreni të suspenduar nga Bashkësia Islame e Kosovës, Irfan Salihut, kanë qenë pjesë e transmetimit të këtij mediumi.
Radio Ansar ishte mbyllur kohë më parë, bashkë me disa mediume tjera propagandistike, por që ishte hapur sërish pak muaj më pas.
Në kuadër të kësaj radio funksionon edhe një portal informativ me të njëjtin emër. Njëkohësisht këto mund të gjenden edhe në rrjetin social Facebook.
Në këtë të fundit, kohë pas kohe janë publikuar njoftime për luftën në Siri, fotografi të liderit të Al-Qaeda, Osama Bin Laden dhe flamujt zyrtar të organizatave tashmë të shpallura terroriste, ISIS dhe Al Nusra.
“Dilni (në luftë), le t’ju vijë (lufta) e lehtë ose e rendë, luftoni për hir të All-llahut…”, bëhet, ndër të tjera, thirrje e tërthortë për të luftuar në Siri, përmes faqes së facebook’ut të kësaj radio – vetëm katër ditë para se pronari i saj të bie në duart e autoriteteve kosovare.
Nga ana tjetër, i arrestuar i dytë gjatë bastisjeve në dy lokacione të ndryshme në Pejë, mëngjesin e djeshëm, Enis Musa i lindur më 1985, sipas burime të Gazetës Express, u kap nga policia mbi dyshimet se ka përhapur propagandë, përmes shpërndarjes se pamfleteve me përmbajtje të dyshimtë – vepër kjo e dënueshme sipas ligjeve të kodit penal të vendit.
Për më tepër, Gazeta Express, nga burime të veta ka mësuar se bastisjet për dyshime të njëjta, kanë vazhduar edhe të mërkurën pasdite. Por, ato ishin zhvendosur në rajonin e Anamoravës, më ç’rast cak ishin administruesit e faqeve të radio Ansar. /GazetaExpress/.