Erdogan akuzon BE për shkelje të premtimit, Europa kundër
Bashkimi Europian nuk i mban premtimet e bëra në kuadër të marrëveshjes për refugjatët, shprehet presidenti Erdogan në intervistë për ARD-n. Komisioni Evropian reagon duke i hedhur poshtë pretendimet e Erdoganit.
“Ne i qëndrojmë premtimit të bërë. Por a i kanë mbajtur europianët premtimet e tyre?”, pyet kreu i shtetit turk në intervistë eksluzive me televizionin e parë gjerman, ARD. BE nuk e ka respektuar ujdinë e bërë për mbështetjen financiare të 3 milionë refugjatëve sirianë. “Tre miliardë euro janë premtuar”, theksoi presidenti turk, por deri më tani kanë ardhur vetëm shuma simbolike. Presidenti turk bëri fjalë për 1 deri në dy milionë euro. “Krerët europianë janë të shtirur”, tha Erdogan.
Reagimi i Komisionit Europian
Komisioni Europian i pyetur për këtë e hedh poshtë akuzën e presidentit Erdogan. Zëdhënësi i KE-së, Margaritis Shinas thotë se “kjo nuk është e vërtetë” dhe se “BE i përmbush detyrimet e saj nga marrëveshjet e bëra me Turqinë, kjo përfshin edhe ndihmën për refugjatët. Kush pretendon diçka tjetër, nuk ka të drejtë.”
Sipas të dhënave të Komisionit Europian janë premtuar 740 milionë euro për projekte konkrete të ndihmës ndaj refugjatëve. Me organizatat private dhe Kombet e Bashkuara janë mbyllur marrëveshje për një shumë 150 milionë euro. Realisht janë paguar, sipas KE-së, 105 milionë euro deri në fund të qershorit. “Këto fonde janë për refugjatët dhe komunat që pranojnë refugjatë. Paratë nuk janë parashikuar për shtetin turk”, ka thënë zëdhënësi i KE-së, Margaritis Shinas. Deri në fund të korrikut do të premtohen edhe 1,4 miliardë euro për projekte të caktuara, njoftoi Shinas. Por deri sa fondet të mbërrijnë në destinacion, kalon kohë, pranoi zëdhënësi i KE-së. Në Bruksel nuk ka mirëkuptim për kritikën e përgjithësuar të presidentit turk. Dhënia e mjeteve bëhet me një komision kontrolli, ku merr pjesë edhe Turqia. Këtu nuk kemi dëgjuar kritika, thotë KE.
Pakt i diskutueshëm
Marrëveshja mes BE-së dhe Turqisë parashikon që Turqia të pranojë të gjithë refugjatët e ardhur në ishujt grekë, të cilëve iu është refuzuar kërkesa për azil. Si shpërblim BE do të merrte për çdo refugjat të pranuar nga Turqia, një refugjat sirian në mënyrë legale. Nga ana tjetër BE premtoi ndihma financiare për furnizimin e refugjatëve në Turqi.
Margaritis Shinas
Por që prej dështimit të puçit ushtarak në Turqi është ndezur debati, nëse marrëveshja për refugjatët duhet të qëndrojë ende në fuqi. Aktivistët për të drejtat e njeriut e kanë kritikuar marrëveshjen që në fillim.
“Fjalën e ka populli”
Erdogan mbrojti në intervistë me ARD-n qëndrimin e ashpër kundrejt kundërshtarëve politikë. Ai e la të hapur zgjatjen e gjendjes së jashtëzakonshme pas tre muajsh. “Po qe se gjendja është normalizuar, nuk kemi nevojë për tre muaj të tjerë”, tha kreu i shtetit turk.
I pyetur për rivendosjen e dënimit me vdekje, Erdogan iu referua vullnetit të popullit. “Nëse jemi në një shtet ligjor demokratik, atëherë fjalën e ka populli. Dhe çfarë thotë populli sot? Ata duan që të rivendoset dënimi me vdekje”, tha Erdogan. Zëdhënësi i presidentit turk, Ibrahim Kalin kishte deklaruar më parë se ai e sheh ekzekutimin e puçistëve si një “dënim të drejtë”. BE ka paralajmëruar se rivendosja e dënimit me vdekje do të thoshte ndërprerje e bisedimeve të anëtarësimit BE-Turqi.