EURALIUS shpërndan “Vettingun”, PD kundër votimit të enjten
Gjatë orëve të vona të natës së kaluar ekspertët e EURALIUS i kanë dërguar komisionit të posaçëm të Reformës në Drejtësi dhe të gjithë deputetëve anëtarë ndryshimet në ligjin e vettingut sipas ndryshimeve të fundit kushtetuese.
Projektligji u është vënë në dispozicion deputeteve të mazhorancës dhe opozitës me qellim miratimin në seancë të enjten.
Ky ligj ka të bëjë me nisjen e punës së prokurorëve që do merren me procesin e vettingut.
Burime nga Partia Demokratike thane se drafti ka ardhur shume vonë dhe po shqyrtohet për përgatitjen e vërejtjeve të ligjit.
Mësohet se janë disa çështje të cilat Partia Demokratike do ti kundërshtojë gjatë diskutimit në komision.
Po ashtu të njëjtat burime bëjnë me dije se është e pamundur që të shqyrtohet brenda ditës një projektligj i tille.
Një natë më parë kryetari i komisionit u dërgoi një e-mail deputeteve ku i njoftoi për një mbledhje te mundshme të komisionit por pa caktuar një orar të saktë.
Pjesë nga projektligji i Vetitingut
Neni 6
Kriteret e zgjedhjes së anëtarëve të institucioneve të rivlerësimit
Anëtar i Komisionit dhe gjyqtar i Kolegjit të Apelimit zgjidhet shtetasi shqiptar që plotëson kriteret e mëposhtme:
ë) nuk ka qenë anëtar i Grupit të Ekspertëve të Nivelit të Lartë parashikuar në vendimin nr. 12 atë 02.04.2015 të Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Reformën në Sistemin e Drejtësisë;
g) nuk duhet të ketë qenë gjyqtarë, prokurorë, këshilltar ligjor ose ndihmës ligjor gjatë 2 (dy) viteve të fundit përpara kandidimit;
gj) të jetë jo më shumë se 65 vjeç;
Neni 7
Përzgjedhja e anëtarëve të institucioneve të rivlerësimit
Presidenti i Republikës shpall vendet vakante për pozicionet e të gjithë anëtarëve të institucioneve të rivlerësimit në faqen zyrtare të internetit, si dhe në dy gazeta me tirazhin më të lartë në vend.
Kandidati aplikon menjëherë me publikimin e vendeve vakante. Kërkesa regjistrohet në regjistrin e protokollit të Presidentit të Republikës. Kandidati pajiset me një dokument që vërteton numrin e aplikimit, datën dhe listën e dokumenteve të paraqitura.
Në kërkesën që paraqet, kandidati mund të parashtrojë vendin vakant për të cilin është i interesuar të aplikojë. Në rast se kandidati nuk ka parashtruar asnjë preferencë për vendin vakant, konsiderohet që ai aplikon për të gjithë vendet vakante. Bashkëlidhur me kërkesën, kandidati dorëzon 2 (dy) kopje të dokumenteve të mëposhtme:
a) curriculum vitae (jetëshkrim profesional), përfshirë të dhënat e kontaktit, postën elektronike zyrtare dhe adresën postare;
b) kopje të noterizuara të diplomës ose të njehsuara nga organi përkatës;
c) kopje të dokumenteve të noterizuara ose të njehsuara nga organi përkatës, që vërtetojnë kushtet e parashikuara në nenin 6 të këtij ligji;
d) formularin e depozituar të deklarimit të pasurive për aplikuesin dhe personat e lidhur të tij;
e) Një dokument të nënshkruar prej tij me të cilin aplikuesi pranon kufizimet e posaçme për fshehtësinë në telekomunikime gjate kohëzgjatjes së mandatit si anëtar i institucioneve të rivlerësimit, sipas Shtojcës 1 të këtij ligji.
Brenda 7 ditëve nga përfundimi i procesit të aplikimit, Presidenti i Republikës përpilon një listë me kandidatët të cilët plotësojnë kriteret formale për secilin pozicion dhe një listë me kandidatët të cilët nuk i plotësojnë kriteret formale.
Në rast se Presidenti i Republikës nuk përfundon procesin brenda 45 ditëve nga hyrja në fuqi të Aneks Kushtetutës, kjo kompetencë i kalon Avokatit të Popullit.
6. Presidenti i Republikës, Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit dhe Kuvendi janë të detyruar të vijojnë me përzgjedhjen e kandidatëve për pozicionet e anëtarëve të institucioneve të rivlerësimit sipas parashikimeve të nenit C të Aneks Kushtetutës.
Neni 10
Organizimi i Komisionit
Komisioni organizohet në 4 (katër) trupa gjykuese të përbërë nga 3 anëtarë, të cilët caktohen me short. Anëtarët zëvendësues caktohen me short.
Shpërndarja e çështjeve në trupat gjykuese bëhet me short ku përcaktohet edhe anëtari relator.
Trupi gjykues i Komisionit kryesohet nga kryetari i trupit gjykues, i cili zgjidhet nga radhët e anëtarëve te tij. Në mungesë të kryetarit, trupa drejtohet nga anëtari më i vjetër në moshë.
Neni 14
Organizimi dhe administrata e institucioneve të rivlerësimit
1. Institucionet e rivlerësimit kanë personel dhe pajisjet e nevojshme për të përmbushur detyrat e ngarkuara nga ky ligj. Struktura organizative dhe klasifikimi i pagave për personelin e institucioneve të rivlerësimit miratohen nga Kuvendi, me propozimin e institucionit përkatës.
Kolegji i Apelimit ndihmohet edhe nga strukturat mbështetëse të Gjykatës Kushtetuese.
Marrëdhënia e punësimit me punonjësit e institucioneve të rivlerësimit rregullohet sipas këtij ligji dhe Kodit të Punës.
Autoriteti përgjegjës për pranimin në punë të punonjësve është komiteti ad hoc që krijohet pranë çdo institucioni. Ai përbëhet nga 2 (dy) anëtarë të Komisionit ose të Kolegjit të Apelimit, përkatësisht sipas rastit, të zgjedhur më short, si dhe nga komisioneri Publik më i vjetër në moshë. Për pranimin në punë të punonjësve pranë komisionerëve Publikë komiteti ad hoc përbëhet nga 2 (dy) komisionerët Publikë dhe nga Gjyqtari më i vjetër në moshë i Kolegjit të Apelimit.
Neni 21
Mbrojtja e anëtarëve të institucioneve të rivlerësimit dhe personelit vendas dhe ndërkombëtar
Anëtarët e institucioneve të rivlerësimit, personat e lidhur me ta, personeli i institucioneve të rivlerësimit, si dhe personeli mbështetës i Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit, gëzojnë të drejtën të kenë mbrojtje të veçantë nga shteti për jetën, shëndetin dhe pasurinë e tyre. sipas legjislacionit në fuqi për mbrojtjen e veçantë.
Neni 22
Deklarimi i pasurisë nga anëtarët e institucioneve të rivlerësimit
Komisioner, gjyqtar, Komisioner Publikë, me fillimin e detyrës mbartin detyrimin për të plotësuar deklaratën vjetore të pasurisë. Mosplotësimi me saktësi dhe vërtetësi i kësaj deklaratë përbën shkak për shkarkim nga detyra sipas këtij ligji.
Anëtarët e institucioneve të rivlerësimit, sekretari i përgjithshëm, këshilltarët ekonomikë dhe ligjorë, si dhe personat e lidhur me to, çdo vit mbartin detyrimin të deklarojnë pasuritë deri tre vjet pas përfundimit të mandatit, në përputhje me ligjin nr. 9049/2003 “Për deklarimin dhe kontrollin e pasurive, të detyrimeve financiare të të zgjedhurve dhe të disa nëpunësve publikë”.
Anëtari i institucionit të rivlerësimit nuk i nënshtrohet procesit të rivlerësimit sipas nenit 179/b të Aneks Kushtetutës.
Neni 25
Paga dhe përfitimet e anëtarëve dhe këshilltarëve
Anëtari i institucioneve të rivlerësimit ushtron detyrën me kohë të plotë.
Komisioneri, gjyqtari dhe komisioneri publik marrin pagë dhe përfitime të tjera financiare në përputhje me parashikimet e ligjit “Për statusin” dhe ligjit nr. 8577/2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatën Kushtetuese në Republikën e Shqipërisë”. Ata përfitojnë një pagesë mujore shtesë për shkak të vështirësisë.
Këshilltari ligjor/ekonomik përfiton përkatësisht 80 % të pagës mujore respektive të anëtarit të institucionit të rivlerësimit. Ata mund të përfitojnë një pagesë shtesë për shkak të vështirësisë, sipas rastit.
Pas përfundimit të mandatit të institucioneve të rivlerësimit, këshilltari ligjor/ekonomik, me pëlqimin e tij, ka të drejtë të emërohet në funksionin ose detyrën publike që kishte para zgjedhjes së tij ose në një vend të përafërt në administratën publike.
Neni 50
Bashkëpunëtori i drejtësisë
Personi që ka marrë pjesë në kryerjen e një vepre penale të korrupsionit me subjektin e rivlerësimit, ka të drejtë t’i drejtohet zyrës së prokurorisë kompetente për hetimin e veprave penale të korrupsionit, sipas legjislacionit penal.
Prokurori mund t’i japë statusin e bashkëpunëtorit të drejtësisë personit që shpreh vullnetin për të dhënë informacion të mjaftueshëm për praktikën korruptive ndërmjet tij dhe subjektit të rivlerësimit.
Personi ka të drejtë përfaqësohet nga mbrojtësi i tij ligjor.
4 Nëse arrihet marrëveshja e bashkëpunimit, bashkëpunëtori i drejtësisë duhet të japë informacion të plotë dhe pa asnjë rezervë ose kusht, për të gjitha faktet, ngjarjet dhe rrethanat që shërbejnë si prova vendimtare për zbulimin, hetimin dhe parandalimin e korrupsionit të subjekteve të rivlerësimit. Dëshmia e dhënë me shkrim nga bashkëpunëtori i drejtësisë përpara prokurorit, përbën një provë thelbësore për procesin e rivlerësimit dhe procese të tjera ligjore.
Bashkëpunëtori i drejtësisë nuk mund të ndiqet penalisht për veprat e korrupsionit që ka kryer me subjektin e rivlerësimit, sipas dëshmisë së dhënë. Një kopje e dëshmisë dhe e marrëveshjes së bashkëpunimit, i jepet bashkëpunëtorit të drejtësisë dhe institucioneve të rivlerësimit.
Marrëveshja e bashkëpunimit mund të revokohet në rast se bashkëpunëtori i drejtësisë nuk dorëzon provat pranë institucioneve të rivlerësimit ose jep dëshmi të rreme për të cilën mban përgjegjësi penale sipas legjislacionit penal.
Subjekti i rivlerësimit që ka përfituar shumën, mbart detyrimin t’ia kthejë atë bashkëpunëtorit të drejtësisë, pavarësisht se ka shkelur ligjin. Subjekti i rivlerësimit nuk legjitimohet të ngrejë pretendimin se fitimi i ardhur për shkak të kësaj shume ka humbur gjatë kalimit të kohës. Kthimi i shumës mund t’u kërkohet drejtpërdrejt edhe çdo personi të lidhur me subjektin e rivlerësimit, nëse vërtetohet se atij i ka kaluar një vlerë më e madhe se 100.000 ALL pa shkak të ligjshëm, që nga 01.01.2006. Subjekti i rivlerësimit dhe personat e lidhur kanë të drejtë të paraqesin në gjykatë padi regresi ndaj personave të tretë që mund të kenë përfituar shumën përkatëse.