Ibrahim Kadriu, mjeshtër rrëfimi në “Buzëqeshje miqsh”
(Ibrahim Kadriu, “Buzëqeshje miqsh”, (reflekse biografish), botoi Shtëpia Botuese “Libri shkollor”, Prishtinë, 2011)
Përsiatje letrare
Maxhun Osmanaj
Refleksioni shpirtëror përballë ëndrrës dhe realitetit
T’i lexosh katër vëllimet “Buzëqeshje miqsh”, (reflekse biografish), të Ibrahim Kadriut, vëllime publicistike, intervista, rrëfime qoftë në vetën e parë apo në vetën e tretë, për njerëzit në fushat e dijes që lanë gjurmë, që i përcjell deri në ditët e sotme, ndihesh kureshtar, kërkues dhe s’ke se si të mos pushtohesh së paku nga tri ndjenja kulmore të shijes artistike: nga etja, nga kënaqësia dhe dhembja. Tek akëcili personazh Kadriu na ofron një botë të tyre të brendshme dhe të jashtme, të cilën lexuesi i rëndomtë nuk e ka njohur. Qoftë edhe nëse kemi jetuar me ta, i kemi njohur fizikisht deri-diku, por tani autori nëpërmjet rrëfimit kreativ, qoftë në formë të intervistave apo në një rrëfim të letrarizuar si ese, zbulon, egon, shpirtin, ëndrrën jetësore, katrahurat, luftën e brendshme të personazhit me forcat shoqërore – pushtetare apo ato të natyrës që e rrethojnë si dhe përballjen përpara realitetit dhe ëndrrës së tyre për ta pushtuar dhe njohur atë me fërkime të egra të kohës dhe sistemit. Në këtë vëllim, “Buzëqeshje miqsh”, kanë zënë vend këto figura autoritative të njohura të kohës me bagazhin e tyre kulturor, artistik, atdhetar-shqiptar: Esat Mekuli, Anton Pashku, Imzot Nikë Prela, Azem Shkreli, Anton Çetta, Rexho Mullici, Tefta Tashko, Din Mehmeti, Dritëro Agolli, Mehmet Gjevori, Bekim Fehmiu, Ali Huruglica, Hivzi Sylejmani, Agim Deva, Ramiz Kelmendi, Adem Kastrati, Muslim Mulliqi, Odhise Paskali, Ymer Elshani dhe Agim Ramadani. “Këto refleksione autori Ibrahim Kadriu i vjel nga personalitete të njohura dhe të dëshmuara të artit, nga njerëz të cilët me veprën e tyre janë bërë pjesë e historisë, e shpirtit dhe e të qenmes sonë në kohë dhe në hapësirë. Ato personalitete nuk flasin vetëm për jetën e vet, por përvojat dhe për botëkuptimet që kanë, por shpalosin çështje të universit krijues, të veçorive të tyre si krijues, ndërkaq nëpërmjet tyre vihen në pah edhe njohuritë dhe botëkuptimet e autorit për krijimtarinë artistike” nga pasthënia e dr. Xhevat Sylës, fq. 211).
Të pathënat dhe të panjohurat për miqtë
Duke qenë gazetar i kulturës në “Rilindje” dhe “Zëri” mbi katër dekada, Kadriu njohu frymëmarrjen e kulturës, rrjedhat e saj, njerëzit që linin gjurmë në Kosovë dhe gjetiu, por duke dëshmuar bindshëm fuqinë dhe talentin e tij prej poeti, tregimtari, romansieri, publicisti, çfarë e dëshmojnë dhjetëra shpërblime letrare prestigjioze, ai na sjell një vepër me një qasje krejt të veçantë, pra një formulim që “shkrimet e përfshira në të nuk janë intervista, as reportazhe, as skica biografish, as autobiografi, as ese, edhe pse nuk janë pa elemente të të gjitha këtyre llojeve të shkrimit” nga pasthënia e Xh. Syla, fq. 211).
Atëherë rrjedh pyetja si t’i quajmë këto shkrime? Ndoshta mund t’i quajmë portrete shpirtërore të kohës. Për këtë mjeshtri rrëfimi kanë “faj” Kadriu dhe i intervistuari që me narracionin e gërshetuar kreativ ia çel “derën” e shpirtit ku merr nga ai të pathënat dhe të panjohurat deri më sot. Ndryshe, Kadriu na ka ofruar një rrëfim të letrarizuar të themi, shpalosje e intimitetit biografik të personazhit. Kjo është mjeshtëria e autorit, ngaqë gjuha, butësia, urtësia, maturia, serioziteti, autoriteti, afërsia e njeriut prej gazetari krijues, josh miqtë që të shpalosin sa më shumë skena mbresëlënëse. Por mos të harrojmë edhe diçka se Kadriu nuk iu është “nënshtruar” miqve, por ai di të hyjë, të dalë dhe të provokojë dhe ta prekë nervin nevralgjik të pyetjeve vetëm e vetëm të shohë reagimin e miqve. Ai i “nguc” dhe mbetet mik njerëzisht me ta. Kështu, në vazhdim do të njohim ndonjë fjali-ide, mendim të tyre apo të autorit për figurën e tyre si ilustrim. “Shfrytëzoje çdo minutë, se jeta nuk është edhe aq e gjatë. Mos u shqetësoni nga redaktorët burokratë” (E. Mekuli, fq. 13). “Ai që urrente fjalët e tepërta, me hamendjet, gjykimet e pabaza” (fq. 19). “Te shqiptarët qendrën e shtëpisë, të familjes, e paraqesin djepi dhe plaku. Dy shtylla që mbajnë në jetë frymën tradicionale: djepi vazhdimësinë, plaku mençurinë, filozofinë e jetës. (I. N. Prela, fq. 23). “Ku je skele – skelja – Azem Shkreli ishte gjithkund ku duhej duke lënë gjithë veprimtarinë e tij testament për brezat, testamentin përmes vargut dhe mendimit të thellë” (fq. 42). “Përcjellja e përmortshme e Anton Çettës, nga Prishtina në Prizren, kortezhi i gjatë 90 km, me emrin e tij, ai libër të cilit më së paku i duhej përfundimi, iu fal hapësirave të historisë kombëtare. Faqet e fundit të atij libri, me titull ‘Profesor Anton Çetta (1920-1995)’, mbase kanë peshë dhembjeje” (fq. 47).
Vallë, a mund t’i harrojmë dy fjali programatike nga pajtimi i gjaqeve ne Kosovë me kryearkitektin e këtyre pajtimeve, Anton Çettën, ku ua kthente masës: “Paçi faqen e bardhë”!, ose “Afrohuni, vëllezër jeni”. Urtaku Anton mbeti faqja më e bardhë, më e ndritur e atdheut në shekullin XX, kur hordhia serbe përpiqej shfarosjen e shqiptarëve. “Legjenda për violinë dhe piano (Rexho Mulliqi 1922-1982). Veprat e tij u ekzekutuan në mbarë Evropën… dhe përpunoi mbi 150 këngë popullore shqiptare” (fq. 53-54). “E ushqyer mrekullisht me vlera kulmore muzikore, me emrin e Tefta Tashkos, shquheshin mbi 80 këngë, nga të cilat rreth 36 i kishte regjistruar në pllaka gramafoni, gjatë viteve 1930-1937 dhe 1942 në Paris dhe Milano” (fq. 61-62). “Me vargje në front (poetit Din Mehmeti 1929-2010). Për të ma bërë çastin e lumtur, Dino/Komandant i rryer i gjuhës poetike…/ Pragut të nënës – kurrë s’i ike” (fq. 69). Përshëndetje poetit (takim me librin e Dritëro Agollit “Vjen njeriu i çuditshëm”), Mirë që erdhe, të m’i heqësh ca gurë/Peshë të ditës të ngarkuar kush e di se kur…?/Poet, o, sa harqe na duhen për urë…? (fq. 81) “Po lexoj, meqë nuk di ç’të bë tjetër. Sivjet më vdiq gruaja. Pesëdhjetegjashtë veta ishim së bashku. Ç’të bëj, sikur mos ta kisha vullnetin e leximit, do të vuaja shumë” (M. Gjevori, fq. 86). “Të fala kolegëve në Prishtinë, – Ali Huruglica. Le të botohen. Pse të mos botohen? Koha bën seleksionimin. Pa i pasur të botuara as s’mund t’i zgjedhësh” (fq. 93). “Nuk jam as akademi, as shkollë. Jam vetëm. Jam një njeri” (B. Fehmiu, fq. 120). “Prandaj në moshë relativisht të re, përkatësisht në vitin 1963 heq dorë nga çdo angazhim, pensionohet dhe merret me letrat dhe me gjësendet që e rrethojnë në atë shtëpinë e tij të cilën, me amanet, meqë nuk kishte trashëgimtarë – pas vdekjes ua la shkrimtarëve” (H. Sylejmani, fq. 128). “Agim Deva, poet i erupsionit që s’ndalet, sikur bën kujdestari në kohë, duke vjelë aq shumë tema nga e përditshmja, duke shëtitur jo vetëm në të tashmen, por edhe në të kaluarën duke i bërë nder edhe historisë nga e cila gjallëron e sotmja” (fq. 143). “Astari i kohës – u përket atyre të cilët prej gazete mund t’i largosh për dere dhe në gazetë mund të futen nëpërmjet dritares” (fq. 147). “Raporti i krijuesit me veprat është diçka e veçantë, se veprat janë të brendësisë shpirtërore, e jo gjera të thjeshta” (A. Kastrati, fq. 162). “Natyrisht vepra jeton, nëse ka themele të forta me ngjyrën e kohës, nëse është dhuratë për kohën në të cilën merr jetë, rritet” (M. Mulliqi, fq. 171). “Vetëm veprat e artit janë ndër krijimet njerëzore të papërsëritshme me skulptorin dhe poetin Odhise Paskali” (fq. 192). “Më 17 prill 1999 në orën 17:00 vritet shkrimtari, Ymer Elshani, me katër bijtë: Ardianin, Miranin, Kujtimin dhe Nderimin, në të njëjtën kohë vritet edhe nëna e tij, Nailja dhe bashkëshortja Nafija… edhe… Dëshmitari, në atë ditë të shtatorit të vitit 1999, domethënë pas gjashtë muajve të përjetimit të asaj ngjarjeje më trishtuese qëndron ulur në lëndine, në pjesën e sipërme të Poklekut të Vjetër dhe nga ai pozicion shikon drejt asaj shtëpie kobi dhe ofshanë thellë; ofshame që i vjen nga dhembja e zemrës, por edhe nga dhembja e pjesës së trupit ku i kishte kapërcyer plumbi” (fq. 195-196-197). “Agim Ramadani, i rënë në Koshare më 11 prill 1999, në vijën e luftës, i përballur me forcat serbe, mbrapa la famën e luftëtarit të paepur dhe, njëkohësisht, edhe mburrjen e të gjithë atyre që ishin gjendur në të njëjtën rrugë të tij, në rrugën e vigjilencës kombëtare. La tekste të shumta, si amanet dëshmues të përkushtimit; Tani unë jam hi dhe hije nuk kam/Që kam ndërrua jetë askush s’e di/Më kërkojnë, pyesin ku kam mbet/ Në trupin tënd të brishtë jam shkri, s’jam tretë” (fq. 204). “Ky komunikim i autorit me afinitet dhe ndjeshmëri, nxjerr në sipërfaqe shume figura që nganjëherë lexuesi nuk i di, sidomos te figura emblematike e Agim Ramadanit, i cili pos si poet dhe luftëtar – strateg i Koshares, Agimin e njohim edhe një nga piktorët me talent të madh, ku dëshmon me pikturat e shumta te shpërblyera në Zvicër me piktorë zviceranë, ku në Lozanë, në qershor të vitit 1997 së bashku me shtatë krijues zviceranë hapin ekspozita të përbashkëta. Në shumë ekspozita, pikturat e Ramadanit janë vlerësuar dhe shitur më se shumti. Ndërsa të futesh në botën e poezisë të Agimit, do të thotë je futur në një kopsht lulesh, të mbëltuar nga vesa, tek presin rrezet e diellit, ato rreze metaforike si opsesione të përhershme të poetit” (fq. 206).
Çfarë të themi në fund, kur Kadriu na ka sjellë një kohë të ikur dhe shumë personalitete të nderuara me gjurmët dhe suksesin që i lanë botës letrare dhe shoqërore. Mjeshtri pranë mjeshtërve.
Please follow and like us: