Kërkohet nga Turqia, a ka kryer vepër penale gazetari Buzhala?
Turqia ka kërkuar arrestimin e gazetarit nga Kosova, Berat Buzhala, pasi dyshohet si mbështetës i lëvizjes Gyleniste, kundërshtarëve të Presidentit Rexhep Taip Erdogan. Pyetja e lind nëse, Berat Buzhala ka bërë ndonjë vepër penale në shkrimin e publikuar nga gazetari. Për këtë Kryeprokurori i shtetit të Kosovës, Aleksandër Lumezi thotë se nuk ka parë elemente të veprës penale në shkrimin e gazetarit Berat Buzhala, për të cilin ambasada e Turqisë në Kosovë kërkoi arrestimin dhe dënimin e tij.
“Ne do t’i marrim të gjitha veprimet në përputhje me legjislacionin vendor, dhe nëse e shohim se ka ndonjë element të ndonjë vepre penale me siguri se ne do të kyçemi. Por me sa e kam parë unë, nuk kemi të bëjmë me elemente të veprës penale, dhe kjo nuk është çështje e Prokurorisë së Shtetit që të merret me problemet të cilat janë shfaqur mes një gazetari dhe ambasadës turke në Kosovë”, ka thënë Lumezi.
Buzhala gjatë kohës sa në Turqi zhvillohej përpjekja për grusht shtet në rrjetin social Facebook ka shkruar statuse sarkastike lidhur me gjendjen atje.
Ambasada e Turqisë në Kosovë pretendon se në shkrimin e tij Buzhala bënte thirrje për shqiptarët me pushime në Turqi që t’i bashkohen puçistëve. /Insajderi.com