Ngritja e një shteti nga Enver Hoxhaj
Para pak kohësh, u botua libri i Enver Hoxhaj “Ngritja e një shteti”. Nga stili i të shkruarit, erudicionit të gjerë në fushën e marrëdhënieve ndërkombëtare dhe teorive të politikës së jashtme, vizionit të thellë të autorit për të ndërtuar një strategji për politikën e jashtme, kjo vepër padyshim përbën një traktat të mirëfilltë të politikës së jashtme të Kosovës. Një vepër bazë jo vetëm nga fakti i unikalitetit të saj për politikën e jashtme, por nga thellësia e mendimit dhe vizioni për strategjinë e politikës së jashtme duke paraqitur një platformë të plotë të ideve dhe veprimeve që do të shoqërojnë ngritjen, fuqizimin e një shteti, njohjen ndërkombëtare dhe konsolidimin e tij.
Libri është një ndërthurje e mendimit akademik në fushën e marrëdhënieve ndërkombëtare, me veprimet konkrete të shteteve në këto marrëdhënie dhe përdorimi i tyre në fazat historike të shtet-formimit dhe evoluimit të shtetit të ri të Kosovës. Për këtë arsye, autori shpjegon me një qëndrim realist veprimet e institucioneve ndërkombëtare deri në momentin e shpalljes së pavarësisë, shqyrtimin e saj në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, procesin e njohjes ndërkombëtare etj. Autori shpjegon me realizëm kushtet dhe faktorët që çuan në krijimin e shtetit të ri, duke e shoqëruar këtë më një analizë të plotë argumentuese tepër realiste që e vë atë në pozicionin e një analisti të rëndësishëm të marrëdhënieve ndërkombëtare që njeh kushtet, faktorët por edhe mekanizmin e plotësimit të tyre në situata të caktuara dhe rrethana komplekse. Në shumë raste analiza e tij shoqërohet me një sintezë mendimi që shpjegon qartë fenomenin apo qëndrimin e komunitetit ndërkombëtare për çështje të sovranitetit, shtet-formimit, parimit të vet-vendosjes dhe funksionimit të rendit ndërkombëtar.
Autori pasi definon se çfarë përfaqëson Republika e Kosovës si një shtet i lirë multi-etnik përcakton edhe vijat e politikës së saj të jashtme dhe strategjinë për njohjen dhe konsolidimin e saj në arenën ndërkombëtare. Ai përcakton rëndësinë dhe prioritetet e shtetit të ri në marrëdhëniet ndërkombëtare, duke treguar bindshëm çfarë është më e rëndësishme për interesat e shtetit. Vetë prioritetet që parashtron si dhe argumentet bindëse për nevojën e tyre flasin për njohjen e thellë nga autori të politikës së jashtme dhe mënyrës më të mirë të mundshme të ndërtimit të marrëdhënieve ndërkombëtare. Libri të njeh me teoritë kryesore të politikës së jashtme, si janë përdorur ato dhe çfarë është e dobishme të përdoren në strategjinë e politikës së jashtme të Kosovës.
Ajo që e bën të dallueshme dhe me vlerë kontributin e autorit janë marrëdhëniet e Republikës së Kosovës me shtetet e rajonit, ku ai me talentin e një diplomati të klasit të parë jo vetëm i paraqet këto marrëdhënie me realizëm por paraqet edhe zgjidhje pragmatike dhe të nevojshme që do t’i shërbejnë pozitivisht të ardhmes së Kosovës. Intelektualisht ai ka formimin e duhur dhe vizionin të shkëputet nga nacionalizmi patriotik i përdorur në politikë drejt zgjidhjeve racionale në shërbim dhe të nevojshme për të ardhmen e Kosovës. Nevoja e negociatave midis Prishtinës dhe Beogradit e ndërmjetësuar nga Brukseli është trajtuar dhe shpjeguar në mënyrë shumë bindëse. Autori ka treguar aftësi për të trajtuar me realizëm marrëdhëniet me Maqedoninë, Shqipërinë dhe Malin e Zi dhe ka vizionin e qartë se si duhet të zhvillohen ato.
Koncepti i autorit për politikën e jashtme të Kosovës nuk kufizohet me marrëdhëniet e ngushta rajonale, por bazuar në eksperiencat më të mira botërore të udhëheqësve të shquar si Churchill apo Delors, ai i vë dhe zhvillon këto marrëdhënie duke përdorur metaforën e rrathëve sipas prioriteteve të vendit. Në rrethin e parë marrëdhëniet janë përcaktuar nga afërsia gjeografike; në rrethin e dytë, për shkak të orientimit perëndimor për të realizuar integrimin Euro-Atlantik të vendit dhe garantuar sigurinë e vendit; në rrethin e tretë marrëdhëniet e Kosovës përcaktohen duke patur si qëllim anëtarësimin e Kosovës në Organizatën e Kombeve të Bashkuara. Skema e thjeshtë përcaktuese si dhe prioritetet e vëna në arkitekturën e marrëdhënieve ndërkombëtare tregojnë vizionin e thellë që ka autori për proceset e ardhshme dhe nevojën për t’i përshpejtuar ato.
Shpjegimi i funksionimit të strategjisë së politikës së jashtme të Kosovës nëpërmjet politikave triangulare prioritare është një gjetje origjinale e autorit, për të treguar prioritetet e nevojshme në realizimin e qëllimeve strategjike por edhe në nevojën e trajtimit me kujdes të marrëdhënieve me vendet e tjera, sipas interesave që ka një shtet i ri demokratik për tu konsoliduar dhe ecur përpara.
Formimi i Hoxhajt në perëndim e dallon atë nga mentalitetet e mbartura në politikën lindore. Ai nuk ka asnjë paragjykim ose kompleks nga politika paternaliste që ndonjë rast liderët shqiptare përpiqen të paraqesin ashtu si ai definon pa kompleksin e vendit të madh marrëdhëniet me një shtet mik si Turqia. Linja kryesore e mendimit të diplomatit të talentuar në përcaktimin e marrëdhënieve me shtetet e tjera është vetëm si të maksimizojë aleancat e ndryshme në shërbim të interesave të Kosovës.
Rëndësia e veçantë e këtij libri është se për herë të parë në hapësirat shqiptare kemi një strategji të plotë të politikës së jashtme, duke i dhënë politikës së jashtme atë dimension të nevojshëm që duhet të ketë në një vend demokratik perëndimor. Krijohet për herë të parë një model, jashtë programeve sipërfaqësore të partive politike që politikën e jashtme e shikojnë në funksion të suksesit të partisë dhe liderit të tyre, të lëvizjeve që bëhen “për herë të parë”, programe të cilat në shumë raste krijojnë një konfuzion të panevojshëm dhe ulin reputacionin e shtetit si rezultat i protagonizmit të shtuar në politikën e jashtme.
Duke qenë në formimin e tij edhe thinker edhe doer, autori krijon modelin e duhur të politikanit aktiv dhe diplomatit profesionist, duke shtuar besimin në aftësitë dhe seriozitetin që kanë elitat politike të Kosovës në fuqizimin e shtetit të ri. Ai ka paraqitur në mënyrë të rrjedhshme idetë dhe reflektimet e tij krahas informacionit të jashtëzakonshëm ku gjen të pasqyruar autorë të shumtë, emrat më të njohur të studiuesve të marrëdhënieve ndërkombëtare dhe diplomatëve të shquar të botës.
Vepra e Enver Hoxhaj “Ngritja e një Shteti” është padyshim një vepër e rëndësishme për politikën e jashtme të Kosovës, si edhe një vepër me vlerë në historinë e mendimit politik dhe diplomatik të kombit Shqiptar.
*ish-ambasador në OKB