PD-LSI, këngë e radiove gold/ Nga Enkel Demi
Nuk ka asgjë të keqe të punosh për një aleancë të re politike, prandaj e gjej të pranueshme përpjekjen e opozitës për të bashkuar urat me Ilir Metën dhe partinë e tij. Në lojën e ekuilibrave mirë është të gjesh një patericë, veçanërisht për të djathtën. Kjo e fundit i numëron me gishta rastet, kur ia del e vetme të marrë pushtetin. Nëse nuk gabohem në Shqipëri ka ndodhur që PD të marrë shumicën dërrmuese të mandateve në 22 mars të vitit 1992 dhe ka patur një rezultat të shkëlqyer në zgjedhjet e vitit 2009, por edhe atëherë kishte nevojën e një paterice, të paktën një mandat që e premtoi Dritan Prifti, por që Sali Berisha preferoi ta shumojë me aleancën e diskutueshme në at’botë me gjithë LSI-në e Ilir Metës.
Duket se tashmë kohët e dashurisë së vjetër po kthehen. Drejtuesit e opozitës shihen shpesh nën shoqërinë e Ilir Metës, madje kjo ide ka fituar popullaritet mes anëtarësisë. Ilir Meta nuk është më ai i para dhjetë muajve, kurse qeveria ka kohë që është vetëm e Ramës. Binomi gati humoristik Rama-Meta është hequr nga fjalori dhe tash në opozitë pothuaj të krijohet ideja se gjëmat në keqeverisje janë vetëm të Ramës. Duket sikur jemi vite dritë larg me kohët, kur Lulzim Basha deklaronte se sa kohë të jetë kryetar i PD nuk do të kishte koalicion me LSI. Ish-kryetari Berisha e ka dhënë pëlqimin për një bashkëpunim të këtillë, madje duke u bërë si radiotgold kujtoi melodinë e dikurshme të koalicionit PD-LSI. Si përherë, Basha në politikë ngjan si peshk me kujtesë të vogël. Ai u shfaq në në Konventën e demokratëve amerikanë me Ilir Metën, i qeshur dhe ky i fundit e pyeti: Luli sa e ke orën?
Pra, nuk ka asnjë gjë të keqe që të ketë një aleancë mes këtyre dy partive, të cilat dhe më parë kanë qeverisur bashkë. E keqja është që opozita nuk mund t’i varë shpresat vetëm tek humori i Ilir Metës që ka gjasa të jetë penduar për marrëveshjen e 1 prillit të para tre viteve. Demokratët duhet të prodhojnë një vlerë politike opozitare, e cila më pas dikton edhe marrëveshje të këtilla.
Gjatë kësaj periudhe selia blu është marrë vetëm me rehabilitimin e figurës së Ilir Metës për mendimin opozitar, por ka harruar të bëjë sak opozitën. Hiq mënjanë Grida Dumën, e cila megjithë rrëmujën e reformës në drejtësi është kapur pas një fotoje të Ramës me Obamën dhe po mundohet të pickojë disi mishin e qeverisë, të tjerët janë të përqendruar tek Ilir Meta. Kaq i mirëqenë është bërë ky aksion politik sa është ravijëzuar edhe grupi anti-LSI në opozitë si Bregu, Patozi, Cara a ndonjë tjetër. Ngjan sikur agjenda e sotme e opozitës është përqendruar vetëm tek Ilir Meta. Kjo rrëfen nxitim për të ardhur në pushtet, por në anën tjetër viktimizon qeverinë. Nëse Ramës ia jep këtë dhuratë, ai nuk e ka vështirë të mbushë shportën e përfitimeve të tij, sepse është mjeshtri më i madh i viktimizimit në Shqipëri.
Demokratët në këto kohë duhet të përqendrohen në rivlerësimin e aseteve që përfaqësojnë në politikë, në mënyrë që në treg të përfaqësohen me vlerën e duhur. Janë në një proces të brendshëm zgjedhor, i cili po fut të gjithë strukturat në kaos, sepse kanë një kryetar që nuk i beson, nuk i do strukturat dhe fundjavën e ka për zemër ta kalojë në vende të ulëta. Nëse do arrijë të forcojë strukturat, më pas PD duhet të ristrukturojë prioritetet, me të cilat vjen në pushtet. Deri tani veç rikthimit të taksës së sheshtë, reminishencë shumë e mirë e Berishës, Basha nuk ka arritur të afrojë asgjë më shumë. Dhe në fund, pasi ke një parti të fortë, të gatshme të përballet me një garë elektorale, pasi ke dy-tre teza që ia ngul njerëzve në kokë, me të cilat do vish në pushtet, atëherë hap sytë për aleanca të reja. Në këtë kontekst nuk do kishte asgjë të keqe të uleshe për një aleancë me Ilir Metën. Por, opozita po e nis nga fundi, meqë po fugon drejt qeverisjes.
Kjo krijon përshtypjen që është Meta që nuk e bën dot të gjithë votën popullore dhe ka nevojë për një patericë, të cilën po e gjen në një parti jo shumë të madhe, qoftë dhe në opozitë.