Albspirit

Media/News/Publishing

Për preshevarët që do të mbajnë tubim në mbështetje të Erdoganit

Kushtrim Kadriu

Të mbështetësh dikë apo të protestosh kundër dikujt është e drejtë demokratike e secilit, por të organizosh tubim mbështetës për presidentin e një populli të lirë dhe të një shteti të fuqishëm siç është Turqia ,në Preshevën e okupuar e të shtypur, kjo me të vërtetë më duket tragji- komike.

Kjo më kujton një insert nga filmi i regjisorit bosnjak Danis Tanoviç ” No men’s land” ( Toka e askujt), ku një njeri i shtrirë me shpinë në tokë nuk guxonte të lëvizte pasi nën shpinë kishte një minë, lexonte gazetën dhe i thoshte shokut të tij: ” shiko, shiko çfarë ” bërllog’hane” në Ruandë.” Preshevarët nuk e kanë këtë luks. Ata duhet të ngriten kundër pushtuesit dhe shtypësit të tyre e jo të ngriten në mështetje të dikujt i cili, fatmirësisht nuk ka nevojë për ndihmën e tyre.

Mirëpo, nëse duan medoemos të ngriten për çështje ” të jashtme”, atëherë, le të protestojnë protestojne korrupsionit në Kosovë e Shqipëri, le të protestojnë kundër torturimit dhe dënimit të ” Grupit të Kumanovës”, le të protestojnë kundër shitjes së lirë të Kek-ut, kundër ndërhyrjes së Turqisë në librat shkollore të historisë sonë , kundër kërkesës së ambasadores turke në Kosovë për mbylljen e disa shkollave; ose… pse jo, të mbajnë një tubim ku të mbështetnin njohjen e minoritetit shqiptar në Turqi.

Preshevarët (Shqiptarët) nëse duan të mbajnë lidhje me Turqinë mike, atëherë duhet të mbështetin shtetin e Turqisë e jo pushtetin e tij, duhet të mbështetin popullin e jo një parti politike. Çka nëse, nesër partia AKP e humbë pushtetin?

Qeverisja e Erdoganit duhet të lavdërohet për rritjen e ekonomisë dhe forcimin e shtetit, por asesi nuk duhet nuk duhet mirret shembull për disa punë të tjera siç janë: shtypja e fjalës së lirë, arrestimi i gazetarëve, ndalimi i disa mediave që janë të afërta me opozitën, ndalimi i rrjeteve sociale, torturimi dhe poshtrimi publik i ushtarëve puçist, etj. etj.. Si do të vepronte populli turk po të ishte i pushtuar e i shtypur?

Sigurisht, që së pari do të ngritej e të fitonte lirinë, do të forconte shtetin, e pastaj do shikonte se ç’po ngjanë përreth. Populli shqiptarë kudo që është, duhet të marrë shembull nga populli turk sesi duhet dhe mbrohet atdheu.

Duhet të marrë shembull sesi populli duarthatë përleshet me ushtrinë, duhet të marrë shembull nga policia turke sesi me armatim të lehtë përleshet me ushtrinë, por duhet të marrë shembull edhe sesi ushtria ngritet të mbrojë atë që e konsideon të drejtë( në këtë rast ” amanetin” e Kemal Ataturkut). Turqia nuk ka nevojë për burrat tanë se i ka të vetët me shumicë.

Please follow and like us: