SHBA-BE kërkojnë “Vetting”-un. Meta ndërpret vizitën: Duan të prishin konsensusin
Politika shqiptare është vënë në punë me urgjencë për të miratuar sa më shpejt projektligjin e “vetting”-ut, një nga 7 ligjet që përbëjnë paketën e Reformës në Drejtësi. Dhe sërish janë ndërkombëtarët, që mendojnë se ligjvënësit shqiptarë nuk duhet të pushojnë pa miratuar edhe ligjin më të rëndësishëm të reformës, atë të kontrollit të gjykatësve dhe prokurorëve.
Drafti i ripunuar pas ndryshimeve kushtetuese i është dërguar anëtarëve të Komisionit të posaçëm të Reformës në Drejtësi, me qëllim që të kalojë në Kuvend sa më shpejt.
Kryetari i këtij komisioni, Fatmir Xhafaj tha se u ka dërguar të gjithë anëtarëve të tij draftin me ndryshimet, së bashku me thirrjen për mbledhjen e komisionit për t’i aprovuar ato. Sipas tij, akush nuk duhet të thotë se nuk ka pasur kohë ta studiojë.
Por ndërkohë, opozita ka bërë të ditur se kërkon më shumë kohë për ta shqyrtuar draftin dhe pas kësaj do të ketë një qëndrim. Këto mesa duket janë shenjat e një përplasjeje të re politike, edhe pasi reforma në vetvete u miratua në senacën maratonë të 21 dhe 22 korrikut.
Dhe këtë e përforcon edhe një deklaratë e LSI-së, e cila njoftoi se kryetari i saj Ilir Meta ndërpreu vizitën në Shtetet e Bashkuara për t’u rikthyer me urgjencë në Tiranë, për të sqaruar – sipas tij, – konfuzionin e krijuar ditët e fundit, që ka për qëllim prishjen e konsensusit parlamentar që u arrit më 21 korrik.
Zoti Xhafaj, në deklaratën e tij për mediet nuk komentoi mbi këto deklarata të LSI-së, por tha se ajo ka qenë pjesë e konsensusit. Më tej, Xhafa shtoi se ka një presion të vazhdueshëm nga ndërkombëtarët, BE dhe SHBA, për të miratuar sa më shpejt ligjin e “vetting”-ut, i cili është më i rëndësishmi ndër 7 ligjet e paketës, pasi i hap rrugë edhe implementimit të ligjeve të tjera.
Nga sa tha zoti Xhafaj, hartimi e më pas edhe zbatimi i këtij ligji, është një punë e përbashkët me partnerët ndërkombëtarë, pasi ata janë tashmë edhe subjekt, pra palë në zbatimin e këtij ligji.