Albspirit

Media/News/Publishing

Arrestohen të tjerë gazetarë në Turqi

Autoritetet turke lëshuan urdhra arresti për dhjetra gazetarë të tjerë që dyshohen si të lidhur me klerikun mysliman Fethullah Gulen në Shtetet e Bashkuara. Kleriku pretendohet se ishte organizator i grushtit të dështuar të shtetit në fillim të korrikut.

Të paktën një gazetar u arrestua sot dhe u lëshuan urdhëra arresti për 47 ish punonjës të gazetës Zaman, më e madhja në Turqi. Në muajin mars, një gjykatë turke e vuri gazetën nën kontrollin e shtetit dhe pak pas kësaj policia bastisi zyrat e saj.

Gazeta kishte lidhje të ngushta me lëvizjen fetare të klerikut Gulen. Që kur u vu nën kontrollin e shtetit, gazeta mban një qëndrim të fuqishëm pro-qeverisë në raportimet e saj.

Në fillim të javës, qeveria lëshoi urdhëra arresti për 42 gazetarë të tjerë, 16 prej të cilëve janë arrestuar.

Goditja ndaj gazetarëve është pjesë e një spastrimi të gjerë të zyrtarëve qeveritarë dhe udhëheqësve akademikë pas përpjekjes së grushtit të shtetit që la gati 300 të vdekur.

Organizata e të drejtave të njeriut, Amnesty International llogarit se deri tani janë arrestuar më shumë se 10 mijë njerëz./VOA

Please follow and like us: