At Mëhill Shtjefën (Stefan) Kostandin Gjeçovi-Kryeziu O.F.M, është lindur me 12 korrik 1874 në Janjeva – Kosovë, ku kreu shkollen fillore dhe në vazhdim u dërgua të studioi në kolegjin e Franceskanëve në Troshan (Lezha). Pasi perfundoi mesimet ne kolegj, në vitin 1888 shkoi në Bosnia, për të kryer studimet per filozofi në liceun e kuvendit të Derventes në Bania Luka dhe më pas në Kresheva (Bosnje Hercegovina), për të studiuar teologji. Në Kresheve njohu dhe u miqësua me Ludwig Thallóczy, akademik austrohungarez, i cili zhvillonte leksione mbi origjinën dhe lashtësinë e gjuhës shqipe.
Në vitin 1892, At Shtjefen Gjeçovi u shugrua prift i urdhërit të Françeskanëve.
Në tetor 1892 ndoqi studimet në Fakultetin e Drejtësisë në Universitetin e Insbrukut e më pas studioi teologji në Universitetin Katolik të Loviano në Belgjikë, ku u miqësua me Faik Konicën.
Pas diplomimit në drejtësi dhe teologji, Provinciali i Urdhërit Françeskan e dërgoi At Shtjefen Gjeçovi OFM, të shërbente në famullinë e Zllakuqanit ku, më 29 qershor të vitit 1896, mban meshën e parë në kishën e Shen Gjon Pagëzorit.
Nga viti 1896 e në vazhdim, shërbeu në disa famulli, si në Zllakuqan, Klinë, Peja, Gjakovë, Laç Sebasta, Durrës, Rubik, Kurbin, Sapa, Shkodër, Theth, Prekal, Vlora, Gomsiqe, Zyma dhe në ishullin Zara ne bregdetin kroat, ku ndodhet një komunitet i vjetër shqiptarësh. Në atë kohë Zara ishte e pushtuar nga Italia.
At Shtjefën Gjeçovi, është ndër prelatet më të shquar të kishës katolike shqiptare, i formuar me një kulturë poliedrike; është shkrimtari dhe studiuesi erudit, dinjitoz dhe kompetent.
Krahas shërbimeve liturgjike dhe predikimeve të Ungjillit, At Gjeçovi iu dedikua për shumë kohë kërkimeve shkencore në histori, arkeologji, etnografi, albanologji, publicistikë, pedagogji (hartoi tekste të mësimit të gjuhës shqipe dhe hapi disa shkolla në gjuhën shqipe, në periudhën kur vendi ishte ende i pushtuar nga turqit, të cilet e kishin ndaluar mësimin e gjuhës shqipe).
At Gjeçovi u shqua si shkrimtar dhe poet. Ai është autori i disa romaneve, novelave, dramave, tragjedive, ka shkruar poezi dhe ka përkthyer në gjuhën shqipe disa vepra të letërsisë botërore, ashtu si ka përkthyer dhe vepra fetare, duke kontribuar ne rritjen cilesore të liturgjisë shqipe.
At Gjeçovi është ndër bibliografët më të shquar të kohës. Ai ka grumbulluar dhe ka sistemuar shumë dokumenta për historinë dhe kulturën e popullit tonë.
Në të gjitha këto fusha studimore, Ai ka botuar artikuj e libra të shumtë. Nje pjesë e madhe e studimeve dhe krijimeve letrare mbetën dorëshkrime, disa prej të cilëve humbën, por një pjesë ruhen në Arkivin Qendror të Shtetit.
Kur sherbeu në famullinë e Kurbinit u miqësua me kryeplakun Gjin Pjetër Pervizi i Skurajve, me të cilin u konsultua shpesh kanunin e maleve, që vepronte në atë trevë.
At Gjeçovi mbante lidhje pune dhe miqësie me Dom Nikollë Kaçorrin, asokohe famullitar i Durrësit dhe ndihmës i ipeshkvit të Dioqezës sëe Durrësit, me seli rezidenciale në Dilbnisht.
Në vitet 1900 – 1905, At Shtjefën Gjeçovi O.F.M., shërbeu në famullinë e Laçit dhe u rradhit përkrah sivëllezërve të tij françeskanë, si At Leonardo De Martino, At Gjergj Fishtës, At Vinçenc Prennushit, At Marin Sirdanit, At Bernardin Palajt, At Donat Kurtit etj., me të cilët së bashku hodhën bazat e studimeve albanologjike, të gjuhësisë, folklorit, etnografisë, etnologjisë, antropologjisë kulturore etj.
Gjatë atyre viteve At Gjeçovi u shqua për studimet dhe shkrimet e shumta, të cilat i botoi në organet e shtypit shqiptar të kohës, por edhe në gazeta dhe revista italiane, gjermane, austriake, franceze dhe në revistën Albania të mikut te tij Faik Konica.
Veprimtaria patriotike e At Shtjefën Gjeçovit.
At Gjeçovi renditet në plejadën e patriotëve të shquar, që punuan dhe luftuan për pavarësinë e Shqipërisë dhe për përparimin e kombit tonë.
Zhguni i priftit dhe detyrimet ndaj kishës, nuk ia ndërruan natyrën e malësorit patriot. At Gjeçovi punoi me dashuri të flaktë për atdheun, për popullin dhe për kulturën e tij të lashtë.
Gjate viteve 1903 – 1906, At Gjeçovi mori pjesë në 4 kuvendet e Malësisë të Kurbinit dhe të Krujës, madje ai vetë personalisht mbajti proçesverbalet e këtyre tubimeve, të cilat i përmblodhi në një dorëshkrim me 116 faqe, me titull: “Parradija e popullit, ase Kryengritja e Dheut të rrethit të Krues me 54 pleq në krye, kundra urdhënave e dokeve të reja t’osmanllive: 1903-1904-1905-1906. Laç-Sebaste”. Ky dorshkrim ndodhet në AQSH dhe është publikuar e komen-tuar nga studiuesi Kastriot Marku (shih: shqiptarja.com: E diel, 19 gusht 2012).
At Gjeçovi bashkë me Dom Nikollë Kaçorrin, me 5 – 7 Gusht 1906 morën pjesë në kuvendin historik të Dilbnishtit, ku u mblodhën 54 pleqt e Kurbinit dhe të Krujës.
Në këtë kuvend, Gjin Pjetër Mark Pervizi i Skurajve të Kurbinit, njihet Kryeplaku i 54 pleqëve dhe përfaqësues i vegjëlisë të atyre trevave dhe vihet në krye të kryengritjes antiturke.
Në kuvendin e gushtit 1906, u aprovua dhe një kanuni i veçantë, i quajtur “Kanuni i Bajrakut të Kurbinit”, të cilin At Shtjefën Gjeçovi e përfshiu në vepren e tij në pjesën shtesë.
Kanuni i Kurbinit i vitit 1906, është i vetmi kod me përmbajtje elementesh politike, por si kuptohet, u formulua kësisoj, per t’ia përshtatur kryengritjes popullore anti-turke, sidomos për të marr masa ndaj atyre, që bashkëpunonin dhe i shërbenin turqve.
At Gjeçovi është pjesmarrës i kryengritjes dhe dëshmitar okular i “Luftës së Tallajbes” (1906), ku delegatët e Kurbinit dhe të semtit të Krujës, që ishin thirrur nga autoritet turke për nje marrëveshje, papritur rrethohen nga ushtria turke, që i sulmoi për ti azgjësuar, por në saj të organizimit dhe të trimërisë të Gjin Pjetër Pervizit, plani turk dështoi, shqiptarët arritën të çajnë rrethimin dhe t’i shpartallojnë forcat turke.
Me këtë fitore të malësoreve, u shmang një tjetër tragjedi, si ajo e Manastirit më 26 gusht 1830, kur Serasqeri i Rumelisë Mehmet Reshit Pasha, pasi i ftoi në takim, me pabesi i masakroi 500 krerët e Toskërisë, që ishin bërë pengesa kryesore e centralizimlt të pushtetit otoman. Krahas impenjimit si udhëheqës shpirtëror, At Gjeçovi ishte dhe këshilltari i luftëtarëve të lirisë të Malësisë së Madhe, në kryengritjen e përgjithëshme në vitet 1910 – 1912, për çlirimin nga robëria turke pesë shekullore.
Pas shpalljes së pavarasisë së Shqipërisë më 28 nëntor 1912, At Shtjefni kontribuoi në formimin dhe forcimin e administratës së re të porsakrijuar, kontribut i dokumentuar në letër-këmbimet me Ismail Bej Vloren, kryetarin e Shtetit Shqiptar dhe me Dom Nikoll Kaçorri – nënkryetari i qeverise, ku shkëmbejnë mendime mbi qeverisjen e malësisë dhe në veçanti të komunës së Vaut të Dejës, sipas ligjeve të shtetit të rì shqiptar.
Krahas rolit si sherbëtor i Zotit, At Gjeçovi vazhdoi të kontribuoi si këshilltar i çetave komite, të cilat në vitet 1913 – 1918 luftuan për mbrojtjen e trojeve shqiptare nga sulmet e malazezëve dhe serbëve, që kërkonin aneksimin e Shkodrës, Hotit, Grudës, Tuzit, Ulqinit, Tivarit, Plavë dhe Gucisë.
Në veçanti At Gjeçovi kontribuoi si keshilltar i çetave patriotike, qe luftuan heroikisht per çlirimin e Vlorës në vitin 1920. Ky qendrim e konfliktoi me komandën e trupave italiane, të cilat e raportuan në Vatikan dhe te kryepeshkopi i Durrësit Imzot Bianki, i cili e ndaloi At Gjeçovin, të ushtronte detyrën fetare në Vlorë, andaj menjëherë e transferoi në famullinë e Rrubikut.
At Gjeçovi shkrimtar, poet, publicist dhe historian.
Gjatë verimtarisë krijuese, At Gjeçovi ka kryer studime dhe ka botuar disa vepra për jetën dhe veprën heroike të Gjergj Kastriotit – Skenderbeut, për shqiptarët e Italisë dhe për Aleksandrin e Madh, shumica prej të cilave mbeten dorëshkrime, që ruhen në AQSH në Tiranë.
Ndër botimet e shumta të At Gjeçovit, vlen të veçohen studimet kulturore dhe historike, ndër të cilët po rendis: “Një argëtim arkeologjik” (1902), “Trashëgimia illire në traditën shqiptare” (1903), “Trashëgimia pellazge në traditën e popullit shqiptar” (1914), “Trashëgimia trako-illire” (1924), të cilat i botoi me pseudonim “Komnen Komnina”, fillimisht në gazetën “Populli”, në vitet 1916 – 1918 në gazetën “Posta e Shqypnisë” (organ që e drejtonte At Gjergj Fishta) dhe më pas në gazetën e françeskanëve “Hylli i Dritës”, të tria gazeta që dilnin në Shkodër.
At Gjeçovi është autori i tragjikokomedisë “Mark Kryeqitasi” (1905), i dramave “Dashtunia e Atdheut” (1901) dhe “Jeta e Shën Luçia” (1904).
Në vitin 1910 botoi në Shkodër librin “Agimi i qytetërimit”, vepër dedikuar mikut At Gjergj Fishtës, ku me një stil dantesk, shprehet me ndjenja të thella patriotizmi.
Në aktivitetin krijues, At Gjeçovi shquhet dhe si përkthyes i disa librave te letërsisë botërore, ku qëllimisht zgjodhi vepra me subjekte patriotike si drama “Attilio Regolo” e Pietro Metastasio, historia e “Shen Antonio i Padovës” e Nikolò Dal – Gal (1912); “Virgjeresha e Orleans ose Zhan d’Ark” (1915), etj.
At Gjeçovi ka lënë dhe vepra në dorëshkrime, që ndodhen në AQSH, si novelat “Mnera e Prezës” (1902) dhe “Shqiptari ngadhnjyes” (1904), “Princi i Dibrave – Mojsi Golemi” (Dramë), “Përkrenarja e Skënderbeut”(Dramë), “Tomorr e Pashtrik përpiquni” (Poezi), “Shtylla e kombit” (përmbledhje publicistike), “Shërbyesi i botës ose Jeta e Jezu Krishtit” etj.
Në vitet 1921 – 1922, kur At Gjeçovi shërbente në famullinë e Rrubikut, shkroi “Sebaste n’Armeni, apo n’Arbeni”, një cikël me artikuj polemikë, por të mbushura me aryetime dhe argumente historike dhe shkencore lidhur me Laç Sebasta (Laçi i Shenjtë). Këto studime i botoi në disa numëra të revistës françeskane “Zani i Shna Ndout”.
At Shtjefni i u dedikua me shumë pasion përkthimit të librave për jetën dhe veprën e Shen Antonio, pasi, ky shenjtor kishte lidhje me Shqipërinë. Dihet se Shen Antonio, në vitin 1222, kreu një udhëtim apostolik dhe spiritual në vendin tonë, ku kontribuoi në konsolidimin e besimit kristian sidomos në zonën e Arbërit, madje shume vende ku ai predikoi dhe sot mbajnë emërin e tij si Ndoj në Kruje, Ndoja në Mirëditë, dy malet e Shen Antonio (Snoj) në Kunavia (Martanesh), ku Shen Antonio kaloi 13 ditët e penitencës (lutjet për pendimin), duke qëndruar i lidhur me zinxhira në majën e malit, i cili me pas mori emërin Shen Ndoi (Snoj). Gjatë kohës së qendrimit në trojet e Arbërit, Ai shenjtëroj kishën në Laç Sebasta, e cila më pas mori emërin e tij e mirënjohur ne ditët e sotme si Santuari i Shen Antonio (Shen Ndoji).
Nga ky udhëtim apostolik në trojet arbërore, Shen Antonio mori si kujtim nga Laçi një fidan ulliri dhe nga Kunavia një fidan pishe, të cilat kur u kthye ne Itali, i mbolli në ishullin Dezertino të Venecies. Venecianët, ndërshekuj i kane quajtur ulliri dhe pisha e Shen Antonio.
Në vitin 1913 dhe me pas në vitin 1918, pedagogu i tij i respektuar Ludwig Thallóczy, i dërgoi At Gjeçovit dy libra, që i kishte botuar së bashku me Milan Šufflay dhe Konstantin Jireček, pikerisht i dhuroi dy vëllimet monumentale: “Acta et diplomata res Albaniae mediae aetatis illustrantia” (1913, 1918). At Gjeçovi, ishte i pari shqiptar që u njoh me këto dy vepra madhore, të cilat i studio dhe shumë pjesë i perktheu dhe i shfrytëzoi si burime bibliografike, për studimet e tij të shumta historike.
At Gjeçovi arkeolog.
At Gjeçovi ka kryer gërrmime në zonat e veriut të Shqipërisë. Për objektet e zbuluara, Ai hartonte skeda me përshkrime të hollësishme dhe skica, por pak prej tyre ruhen në AQSH.
Me reliket që zbulonte, ngrijti një muzeum arkeologjik në mjediset e kishës ku shërbente dhe më pas i ekspozoi në Muzeumin Françeskan në Shkodër.
Rezultatet e kërkimeve arkelologjike, At Gjeçovi i botoi në gazeta të ndryshme shqiptare dhe të huaja e jo vetem kaq, por në disa artikuj ai me guxim kritikoi qeveritë shqiptare e me pas dhe mbretin Zog, për konçesionet që u kishin dhënë arkeologëve të huaj, të cilët po grabisnin vlerat tona historike dhe kulturore.
Alexander Degrand, konsulli Frances ne Shkodër, në librin e botuar ne Paris: “Souvenirs de la Haute-Albanie. Paris: H. Welter Ed. 1901 (Kujtime nga Shqipëria e Epërme), tregon dhe per dy kambana, të braktisura në rrenojat e kishës brenda mureve rrethuese të kështjellës së Krujës. Këmbana e madhe ishte prodhuar në viti 1462, e derdhur në bronz, me perzjerje metalesh të çmuara, që i përkiste kohës së lavdishme të Skenderbeut.
Sapo u njohën me këtë fakt, shumë koleksionista të huaj dhe tregëtarë të antikuareve, u vunë në levizje dhe i ofruan agajt të Krujës Muharrem Kaloshit, ta blinin me 25 napolona ari, por me kusht, që t’ua dergonte këmbanën në Barbullush, pasi nga aty ishte më e lehtë, ta kalonin përtej detit, sepse objekte të tilla nuk dilnin kollaj nga portet dhe doganat e Perandorisë turke.
At Gjeçovi, atë kohë shërbente prift në Laç të Kurbinit, sapo u informua për këtë rrethanë, shkoi në Kruje dhe e takoi personalisht Muharrem Agën, të cilin e bindi t’ia shesi këmbanën me 15 napolona ari, me kusht, që ta marrte vetë Gjeçovi nga Kruja.
Në vitin 1901, At Gjeçovi shkruan: “Në të vertetë nuk mund ta paguaja dhe sikur të shisja vetën time”, pra ishte nje prelat i varfer, por nuk na tregon ku i gjeti 15 napolona ari, megjithatë e bleu këmbanën, e mori dhe e fshehu mirë.
Pas kësaj ndërhyrje i shkruan dhe i kërkon këshilla konsullit Aaustro-Hungarez në Durrës. Në takimin me konsullin, ranë dakort dhe u bë kontrata. që këmbanën ta ruante konti austriak Kiuatkowski, icili ishte i detyruar t’ia kthente Krujës, kur të rindërtohej kisha e Shen Maries në kështjellë. Kambana udhëtoi drejt Durrësit dhe më vonë konsulli e dërgoi në Vjenë.
Më 28 nëntor 1923, në Tiranë u hap Muzeu Kombëtar Shqiptar. At Gjeçovi u impenjua në pasurimin e këtij institucioni me objekte të rëndësishme arkeologjike, historike dhe te kulturës shqiptare dhe menjherë i kërkoi ambasadës austriake në Durrës dhe qeverisë së Vjenës, t’i kthenin këmbanën, që e mbanin në “ruajtje” prej vitesh.
Pas kerkesave insistuese te At Gjeçovit, qeveria e Vienës u detyrua ta dërgoi kembanën në ambasadës tonë në Romë dhe në dhjetor 1923 arriti në Tiranë. Atë vit, At Gjeçovi shërbente në Shkodër dhe sapo u njoftua, shkoi në Tiranë për ta verifikuar në se ishte e njëjta këmbanë, madje i bëri dhe një vizatim, që ruhet në AQSH. Odiseja e kësaj kambane nuk mbaron këtu. Kur Muzeu i Tiranës u shkatërrua, At Gjeçovi e mori kambanën dhe e çoi në Shkodër. Pas Luftës së Dytë Botërore, këmbanën e kthyen përseri në Muzeun e Tiranës, ndërsa në vitin 1978 e vendosën në Muzeun Kombëtar të Skenderbeut në Krujë.
Arkivi arkeologjik i At Gjeçovit ishte i pasur me objekte, të cilat i kishte ekspozuar si në muzeumet e kishave ku sherbente, ashtu dhe në Muzeumin Françeskan të Shkodrës.
Shume prej këtyre objekteve i dorëzoi në Muzeun Kombëtar, që u hap në vitin 1923 dhe nga viti 1945 e ne vazhdim, kaluan në muzeumet e Shkodrës dhe Muzeumin Kombëtar në Tiranë.
Rreth objekteve që kishte zbuluar, shpesh kërkonte konsulencë nga arkeologë eksperta, që ta ndihmonin në përcaktimin e përkatësisë kohore, rëndësisë dhe vlerave, sidomos këtë e kërkonte për objektet e arit dhe të argjendit.
Në vitin 1900, antropologu dhe arkeologu gjerman Paal Traeger, shkoi në Laç, posaçërisht për të parë koleksionin e At Gjeçovit. Ndermjet objekteve të shumta i tërhoqi vemendjen një unazë ari, të cilën At Gjeçovi e kishte zbuluar në Koder Bogë të Laçit. Arkeologu Traeger, i magjepsur nga bukuria dhe vlera e unazës kërkoi ta blejë, por At Gjeçovi refuzoi ta shesi.
Rreth kësaj ngjarje At Gjeçovi shkruan (AQSH: dosja 86, fl. 1 – 4): “Ishe n’Laç – Sebaste të Kurbinit, si i parë famulliet, si gjejshe t’knaqun n’kërkim të vjetërsinave –përmi t’cillat tash flas, – m’u beh në qelë Dr. Paal Traeger prej Zehlendorf¬it t’Berlinit.
I vlerti anthropolog e arkeolog, i cili atbotë pat fillue dishka me belbue taljanisht, e unë si burr i madh (!) xuna me ju lëvdue për do sende t’vjetra t’cillat i pata gjet mun n’atë kohë m’nji vorr në vend t’qujtun Kodër Bogëz në katund të Laçit – Sebaste.
Dr. Traegeri mu lut me ja diftue visarin tem, edhe unë me njerzie ja qita përpara. E pvetshe herë për nji send herë për nji tjetër, e ky rrap¬çap me me atë gjuhë taljane, u mundote me mi kallxue do punë përmbi ato vjetërsiena. Ndër kto sende kishe edhe nji unazë¬ arit t’cillën e pata gjetë n’vorr të vendit të përmendun, dhe e pveta Dr. Traeger¬in, qi t’më diftote kohën e vjetërsisës s’sajë, e ky mu përgjegj: “Kohën e vlerën s’mund ta kallxoj, se na arkeologët jena të betuem me mos kallxue as kohën as çmimin e vjetërsievet, por po deshte me e shitë, unë po të nap mje m’7 (shtatë) napolana për atë unazë”!!
Të falem nderës i thaçë Dr. Traeger¬it, me më dhanë 400 napolana s’e shes, por veç deshta me ditë kohën dhe çmimin e vjetërsies…”.
At Gjeçovi nuk pranoi ta shesi unazën, por e ruajti ndërmjet vlerave të tjera arkeologjike.
Arkeologu italian Luigi Ugolini, kur e pa unazen, u mrekullua dhe per vlerat arkeologjike, e përfshiu në veprën: “L’ antica Albania: nelle ricerche archeologiche italiane. Roma 1927.
Pas vdekjes së At Gjeçovit, unaza e “famëshme” u ekspozua në Muzeumin Françeskan të Shkodrës, ku qendroi deri në vitin 1945, kur u dërgua në Muzeun Historik në Tiranë.
Kontributi i At Shtjefën Gjeçovit në studimet e etnografisë.
Një kontribut i veçantë i At Gjeçovit janë studimet dhe botimet në fushën e etnografisë.
Jeta mes popullit, takimet me malesorët, e ndihmuan At Gjeçovi të marri nektarin e kulturës dhe historisë tonë, kështu ai mblodhi folklorin, gojëdhënat, rrëfenjat, legjendat dhe përrallat e shumta, mblodhi dhe sistemoi doket e malësisë, përshkroi veshjet dhe festat popullore.
Në ato vite të vështira nën sundimin dhe represionin e Perandorisë Osmane, nuk ishte e lehtë të veproje lirisht, sepse me fermanin e vitit 1511 të sulltan Bajaziti II dhe me pas Sulltan Abdyl – Hamiti I, me fermanin e 31 maj 1775, e kishin ndaluar të folurën dhe shkrimin në gjuhën shqipe, andaj këto veprimtari hulumtuese dhe mbledhja e vlerave popullore shqiptare, nuk shiheshin me sy të mirë si nga administrata turke, por dhe nga kisha ortodokse serbe. Këto pengesa nuk e ndaluan At Gjeçovin të vazhdonte të kërkonte e të evidenconte kulturën e kombit tonë.
Të gjitha visaret e historise dhe të kulturës popullore, At Gjeçovi i mblodhi, i analizoi, i studioi dhe i botoi në shkrime të shumta në gazeta, në revista shqiptare e të huaja, madje botoi dhe libra si: “Përralla popullore” (1903); ”Zakonet tona në raste vdekje” (1907), “Jeta ndër male” (1908); ”Rregullat dhe zakonet e martesës” (1910-1911), “Vajtimi dhe zia në raste vdekje” (1917-1920). Studimet në fushën e folklorit, i botonte me pseudonimin “Lkeni i Hasit”, si në gazetat që dilnin në Shqipëri dhe në revistën “Albania” të Faik Konicës, në Bruxelles – Belgjikë.
Materialet e folklorit te mbledhura nga At Gjeçovi ishin masive, madje shtypi i kohës nuk i përballonte, por françeskanët e Shkodrës i dhanë zgjidhje, si tregon At Gjergj Fishta: “Ata ndertuen mbrenda rrethit të vet vepren «Visari Komtar», per të mbledhunat e të botuemet e folklorës, në të cillën vepër mueren pjesë dhè do djelm civila, atdhetarë entuzjastë shkodranë. Kështû në vjetin 1910 botuen të parin kolekcjoni folkloristik, nën titulli«Visari Komtar», të perbâme prej kangësh, vallesh popullore e rojmesh fmijsh, të mledhuna – sidomos prej At Shtjefen Gjeçovit – n’anë të Gegnísë. – Kjo vepër do të kishte vijue botimet e veta metodikisht, por erdhen kryengritjet, luftat, kohët e vshtira e jo veç se nuk u botue mâ ndoni tjeter blê, mu hupi shumica e materjalit të bashkuem”.
Në këtë veprimtari të gjërë, intesnive studimore, padyshim, kryevepra e At Shtjefen Gjeçovit mbetet “Kanun i Lek Dukagjinit”.
At Gjeçovi e njihte kodin e maleve shqiptare, e kishte përjetuar duke asistuar në kuvendet e malësisë dhe në bisedat me pleqtë dhe i mrekulluar nga përmbajtja, nga forca vepruese dhe në veçanti duke e dijt se nuk ekzistonte asnjë variant i shkruar, në vitin 1898 filloi mbledhjen nga pleqtë mentora dhe kështu vazhdoi të mbledhi sistematikisht dhe intensivisht për rreth 30 vjet.
Gjithë informacionet e mbledhura rreth Kanunit të Maleve, At Gjeçovi i dokumentoi në 2000 faqe të shkruara, duke përfshirë të gjitha normat juridike dhe etiko-morale të kodit të drejtës shqiptare – Jus Albaniense, i cili prej shekujsh vepronte aktivisht në popullatën e trojeve veriore të Shqipërisë, por deri atë kohë ishin të pa shkruara, por të ruajtura besnikërisht nga pleqt mentora, të cilët e përcillnin gojarisht brez pas brezi.
Me këtë vepër madheshtore, At Shtjefën Gjeçovi mbetet legjislatori i dytë dhe dokumetuesi i Kanunit të Lek Dukagjinit.
Gjatë sherbesesës si prift në kishat e maleve shqiptare, At Gjeçovi u njoh direkt me të drejtën shqiptare të pa shkruar, u mahnit nga fuqia vepruese dhe pasuria kulturore, juridike, morale, etike dhe estetike, çka e nxitën ta dokumentonte këtë pasuri të madhe kombëtare.
Kanuni është tradita juridike e lidhur ngushtësisht me historinë dhe identitetin e popullit tonë, me krenarinë shqiptare dhe me origjinën tonë të lashtë ilire. Nga zanafilla, deri në fillimet e shekullit XX, kodi ynë i të drejtës ka rregulluar raportet ndëmjet individëve, familjeve dhe shoqërisë arbërore. Si çdo e drejtë e vendeve të tjera edhe kanuni krijonte lidhjet ndërmjet identitetit personal me atë kolektiv, pra ndërtonte raportet e individit me familjen, fisin, lagjen, fshatin, trevën, atdheun.
Kodi i të drejtës arbënore, ishte sistemi i ligjeve, i dokeve, i zakoneve, i normave dhe i rregullave, që e drejtonte individin të integrohej në shoqëri, ku vepronte si pjestar i saj me identitetin e vet dhe me identitin kolektiv.
Nëpërmjet pleqënisë dhe kuvendit, Kanuni për kohë të gjatë i drejtoi të gjitha aspektet e jetës të shoqërisë, andaj me të drejtë konsiderohet dhe si kushtetuta arbëroro – shqiptare.
Gjithëçka mblodhi rreth Kaninit, At Gjeçovi i mori në origjnale, ashtu si ia treguan pleqtë e mençur. Duke dëgjuar bisedat në odat e burrave, duke ndjekur martesat, festat, ceremonitë e ndryshme familjare, ose kolektive, në pagëzimet, kungimet; duke asistuar në ritet mortore, në Kuvendet e Maleve, ku diskutohej jeta malësore, ku vendosej për të mbyllur një konflikt, midis individash, fisesh, apo fshatrash, ku bëheshin marrevshjet ndërmjet fshatrash e fisesh, apo ku vendosej mobilizimi i përgjithshem popullor në raste lufte etj, At Gjeçovi konstatoi se të gjitha këto aktivitete nuk ishin spontane, përkundrazi bazoheshin në ligje, në rregulla, në norma etike e morale të parashikuara e të paracaktuara saktësisht nga Kanuni i Lek Dukagjinit.
I entusiazmuar nga kjo pasuri kulturore dhe historike e kanunit, At Shtjefën Gjeçovi filloi të botoi studime të veçanta, duke evidencuar këtë traditë të bukur të kulturës shqiptare.
Revista “Hylli i Dritës” u bë tribuna e prezantimit të studimeve rreth Kanunit, i analizave shkencore të aspekteve kardinale të Kanunit.
Studimet e At Gjeçovit për Kanunin, tërhoqën vemendjen e studiuesve shqiptarë e në veçanti u mirëpritën nga shumë studiues të huaj, që shprehen interes të njihen me këto ligje dhe rregulla të lashta të malesorëve.
Pas një heshtje shumë shekullore, Kanuni shqiptar filloi të tregoi vlerat, madje në komentet e shumë studiuesve të huaj, por edhe të autoreve shqiptarë, Kanuni u rradhit krah epopeve me të mëdhá e më të bukura të botës: si “Iliada”, “Shah-Name”, “Gilgameshi”, “Niebelungen”, “Fingal” etj., të cilat dhe këto u mblodhën, u ringjallën e u shkruajten mbí bazën e folklorit, të kënduara me saktësi nga rapsodët popullor, madje nga ata që nuk dinin shkrim e këndim.
Aktiviteti i At Gjeçovit i preokupoi forcat e errëta të kohës dhe armiqtë e kombit shqiptar, i shqetësoi aq shumë sa një ditë vjeshte, pikërisht në 13 tetor të vitit 1929, atë ditë të mallkueme, ndërsa kthehej nga Prizreni për në Zymë, shovinistat serbë e vranë pas shpine.
Vrasja e At Gjeçovit ishte humbje e madhe dhe e dhimbeshme për kombin tone, pasi e ndau nga jeta në kulmin e punës kolosale krijuese dhe në veçanti per sistemimin e Kanunit të Maleve, të cilin në vitet 1898 – 1929 e kishte mbledhur me aq shumë dashuri e kujdes.
Kjo kryevepër e kulturës dhe e historisë tonë nuk mund të mbetej e paperfunduar. Imzot Llazar Mjeda, ipeshkevi i Shkodrës, duke ndjerë një detyrim moral dhe patriotik për veprën kolosale të Gjeçovit, ngarkoi nje grup priftërij françeskane të Shkodres, të punonin vetem për sistemimin e 2000 faqeve dorëshkrime. Pasi studiuan kete material voluminoz, duke u bazuar në sugjerimet dh klasifikmin paraprak të At Gjeçovi, lenda me 1263 ligje, rregulla dhe norma, u sistemua në 12 libra (kapituj).
Pas tre vjet pune të zellëshme dhe intensive, ata arritën ta kompletojnë Kanunin dhe ta prezantojnë të plotë në një vëllim të vetëm. Vepra postuma “Kanuni i Lek Dukagjini” e At Mehill Shtjefen (Stefano) Kostantin Gjeçovi – Kryeziu, u botua në vitin 1933, në Shkodër.
Parathënien e veprës Kanuni i Lek Dukagjinit, e shkroi miku i tij i madh, akademiku At Gjergj Fishta O.F.M, ndërsa biografi është At Pashk Bardhi O.F.M.
Më shumë se parathënie, shkrimi i at Fishtës është një analizë shkencore e veprave të At Shtjefen Gjeçovi.
Ne krye të parathenies, At Fishta shpreh stimën dhe vleresimet për këmbënguljen admiruese, kompetencën dhe profesionalitetin e At Gjeçovit, në mbledhjen, sistemimin, kategorizimin me kritere shkencore të ligjeve, rregullave, dokeve dhe normave etiko-morale të drejtës Shqiptare, i njohur si Kanuni i Lek Dukagjinit.
At Gj. Fishta shkruan: “Duke mbledhur Kanunin e Lek Dukagjinit, At Gjeçovi i ka ba një shërbesë të madhe kombit tonë, sepse çdo shtet deshiron të jetoje e të zhvillohet sipas parimeve të arsyes të qyteterimit të vërtetë, por ka të drejtë të njohi dhe ligjet e të drejtës zakonore, që kanë randësi ne vetvete, por që duhet të merren në konsideratë ata ma të mirët, që të zbatohen së bashku me ligjet e shtetit”.
Me këtë kryevepër të At Gjeçovit, populli shqiptar u bë dhe më i ndërgjegjshëm për vlerat e tij, madje dhe opinioni ndërkombëtar, arrijti te njohi dhe më mirë dhe t’i pranoi këto vlera të trashegimisë historike, kulturore dhe shpirtërore, vlera madhore këto, qe së bashku shprehin shiprtin shqiptar dhe autenticitetin e kombit shqiptar.
Vlen të theksohet se vepra dhe kontributi i At Shtjefën Gjeçovi janë vlerësuar më shumë nga studiues dhe analistat e huaj, madje më shumë se sa nga vetë studiuesit shqiptarë.
Duke vlerësuar nivelin shkencor dhe kontributin historik dhe kulturor të veprës “Kanuni i Lek Dukagjini”, Senati Akademik i Universitetit të Laipzig (Gjermania) i dha At Shtjefen Kostantin Gjeçovit diplomen me titullin shkencor “Doktor Honoris Causa ne Drejtesi”.
At Gjeçovi është i pari studiues ne histroine tone, i nderuar me nje titull shkencor prestigjoz.
Faik Konica shkruan: “Askush nuk mund ta konkuroi At Shtjefen Gjeçovin, për zgjuarësinë, kompetencën shkencore për Kanunin, që perfaqëson një studim intensiv dhe të thellë, ku ka mbledhur, sistemuar, kualifikuar dhe prezantuar, gjithëçka që kishte mbetur nga mendimi juridik shqiptar i mesjetës shqiptare, që mendoj se i ka rrënjët shumë kohë më parë se mesjeta”. (Faik Konica: “Dielli”. 18 Mars 1930, Nr 5, 156, faqe 2).
Hirësia e tij, Imëzot Fan Noli shkruan: “Kanuni i Lek Dukagjinit, i mbledhur dhe i kodifikuar nga At Shtjefen Gjeçovi, në realitet perfaqëson monumentin më të rëndësishëm të kulturës shqiptare, i lindur gjatë Rilindjes Europiane dhe që ka mbijetuar ndër shekuj, duke luajtur një rol të jashtezakonshëm në jetën e popullit tonë, me gjuhën e të cilit është krijuar dhe është shkruar”.
Eqerem Çabej, ne 1935, në veprën “Elemente te letersise dhe te gjuhës shqipe”, ndër punimet e shumta të perfshira në antologjinë e vlerave letrare, të zgjedhura për nevojat e shkollës shqiptare, rendit dhe punime të ndryshme të At Gjeçovi mes tyre dhe njohuritë për Kanunin.
Claudius Schewering, profesor i Fakultetit të Drejtësise në Universitetin e Münich – Gjermani, ne vitin 1939 shprehu publikisht opinionet e tij për veprën e At Gjeçovit duke theksuar: “Kanuni i At Gjeçovit eshte nje kontribut me vlera të medha, një thesar i kulturës botërore. Kanuni është përmbledhje e të drejtes zakonore dhe e shumë ideve interesante, ndofta më të vjetrat në Europe. Europa, duhet ta njohë se çfarë vlera të mëdha kulturore ruan kombi i vogël shqiptar”.
Me këto deklarime për Kanunin e Lek Dukagjinit, Schewering ka vlerësuar dhe nderuar kombin shqiptar dhe në veçanti autorin e tij – legislatorin e dytë At Shtjefën Gjeçovi.
At Giuseppe (Zef) Valentini – albanolog shkruan: “At Shtjefen Gjeçovi, na dha vlerat e padiskutueshme të drejtës zakonore shqiptare e kësisoj të kuptojmë mentalitetin shqiptar. Pa At Gjeçovin, sot do të ishte e vështirë të imagjinojmë, si ka mundur Kanuni të rregulloi të gjitha aspektet e jetës shqiptare”. (Giuseppe Valentini: “Il diritto delle comunità nella tradizione giuridica albanese”, 1956 Firenze, C. Editrice Valecchi). ne librin “La legge delle montagne albanesi nella relazione della missione volante” shkruan: “Me Kanun kuptohet i tere kompleksi i parimeve, i institucioneve dhe i normave tradicionale shqiptare, qe funksionojne pavaresisht nga e drejta shteterore”.
Ndoc Kamsi shkruan: “At Gjeçovi është shrimtari patriot dhe me vlera, intelektuali i parë shqiptar, që i dhuroi popullit tonë një vepër të çmuar si Kanunin e Lek Dukagjinit, këtë vepër të drejtës zakonore të popullit shqiptar”. (Revista “Shkodra”. 1965)
At Fulvio Kordinjano shkruan: “At Shtjefen Gjeçovi, me veprën e tij madhore Kanuni i Lek Dukagjinit, tregoi vlerat historike e kulturore të popullit të lashtë shqiptar”. (F. Cordignano: L’Albania attraverso l’opera e gli scritti di un grande missionario italiano, il P. Domenico Pasi S.J. 1847-1914. Roma 1934)
Giuseppe Castelletti shkruan: “Me mbledhjen e Kanunit te Lek Dukagjinit, At Sh Gjeçovi na dhuroj njemonument te kultures shqiptare”. (G. Castelletti Consuetudini e vita sociale nelle montagne albanesi secondo il Kanuni i Lek Dukagjinit. “In studi albanesi”, 3 -4; 1933 – 1934).
At Ernesto Cozzi shkruan: “Pa vepren e At Sh Gjeçovi, do te kishim mbetur me nje boshllek te madh ne historine e popullit shqiptar”. (E. Cozzi. La donna albanese con speciale riguardo al diritto consuetudinario delle montagne di Scutari: In “Anthropos”. 1912. VII. F. 309 – 626.)
Salvatore Villari shkruan: “Kanuni është përmbledhje e të drejtes zakonore nga më të vjetrit në Europë, që dëshmon për vlera të mëdha kulturore të kombit shqiptar”. (Le consuetudini giuridiche dell’Albania nel Kanun di Lek Dukagjini. Soc. Editrice del Libro Italiano, Roma 1940).
Shumë autorë të tjerë si Ms. Hasluck, Xhiusepe Skirò dhe Witaker, ne sinkroni mes tyre shkruajnë: “Pas një trashegimie të gjate gojore, që fillon para dhe vazhdon pas pushtimit turk, me kodifikimin që i beri At Sh Gjeçovi Kanunit, u njohëm me vlerat e modelit të normave dhe me tekstin historik, që përfshinë bazat ligjore dhe morale të shoqërisë shqiptare”.
Federiko Patetta, autori i hyrjes, që paraprinë botimin e parë në gjuhën italiane të Kanunit: “Codice di Lek Dukagjini – ossia Diritto consuetudinario delle Montagne d’Albania” Roma 1941, shkruan: “Kanuni, i mbledhur nga At Shtjefen Gjeçovi, permban zakonet dhe ligjet, të hartuara nga populli shqiptar si norma”.
Ndrek Pjetri, duke vlerësuar punën e kryer nga At Gjeçovi shkruan: “Kanuni u mblodh nga At Gjeçovi si kokërrat e grurit, në një mjedis me varfëri të madhe. Kanuni ka sherbyer si ligj, mënyrë e jetesës e popullit shqiptar, ishte tradita e jonë juridike, që na pasqyron ne shqiptarët dhe me fisnikërinë tonë si komb”.
Pandi Frasheri ne librin e tij “Famiglia albanese, fonte della civiltà Europea” shkruan: “Kur lexojmë Kanunin e Lek Dukagjinit, të mbledhur e të kodifikuar nga At Sh. Gjeçovi, gjejmë institucione, ligje, rregulla e zakone themelore, që të mrekullojnë për ngjashmërinë perfekte me ato të Greqisë dhe Romës antike, por dhe me traktatet ndërkombetare të çdo kohe, madje dhe me këto aktuale”.
Patrizia Resta, autore e parthënies të botimit të dytë në gjuhën italiane: “Il Kanun, le basi morali e giuridiche della società albanese”, botuar nga Shtepia Botuese BESA, Lecce – 1997, shkruan: “Kanuni i Lek Dukagjinit, është përmbledhje e ligjeve të drejtës zakonore shqiptare, të transmetuara gojarisht ndër shekuj, por që u bën kod, vetëm kur u shkrua nga At Sh. Gjeçovi, i cili është legjistlatori i vërtetë i traditës jurdike të maleve shqiptare”.
Shaban Sinani, në një studim të dedikuar princit të perfolur Lek Dukagjini, shkruan: “Kanuni i kodifikuar nga At Shtjefen Gjeçovi, është nje monument i kulturës dhe i historisë të drejtës tradicionale të shqiptarëve”.
Tonin Çobani, në analizën e Kanunit të mbledhur nga At Gjeçovi dhe për legjislatorin e parë Lek Dukagjini, shkruan: “Në periudhën 1458-1481, kur Lek Dukagjini drejtonte kuvendet dhe këshillat e pleqëve ndër male, u kodifikua dhe Kanuni, që ishte trashëguar brez pas brezi, si një praktikë gjyqesore. Sentencat janë transmetuar gojarisht, si shprehje mentorësh, ashtu si i formuloi dhe i shprehu Princi Lek Dukagjini, në formën e sentencave juridike. Dhe pse Kanuni nuk ka qenë i shkruar, ka vepruar ndërshekuj në formën e një Common law anglez, deri sa u mblodh dhe u kodifikua nga At Sh. Gjeçovi, në kapercyell te shekullit XIX ne shekullin XX”.
Mjeku japonez Kazuhiko Yamamotom, ka studiuar Kanunin me një dedikim të admirueshëm dhe gjatë analizës të koncepteve etiko-morale si besa, nderi, buka, mikëpritja, gjaku, gjakmarrja, hakmarrja etj, konstaton se “te gjitha keto, çuditerisht kanë ngajshmëri me të drejtën zakonore antike japoneze e në veçanti me filosofinë antike greke, me veprat e Platonit dhe të Aristotelit, pra me konceptet etike të shoqerisë greke pa autoritet shtetëror. Jo vetëm kaq, por rezultojnë ngjashmëri me ngjarje të përshkruara nga Homeri në veprën e tij madhore Iliada dhe Odisea, ashtu si dhe me ngjarje të tragjedive të Eskilit dhe të Sofokliut”. (Ne librin: “The Ethical Structur of Homeric Society”, 2002 Fukuoka),
Emanuela C. Del Re, në librin “Albania punto a capo” Roma 1997, shkruan: “Duke folur për Shqipërinë, së fundi do të perfundosh duke diskutuar per Kanunin dhe Lek Dukagjinin”.
Anna Maria Ragno, ne shkrimin “Chi ha riportato Doruntina? Il mito la Besa, il Kanun”, shkruan: “Si shkruan At Gjeçovi, Besa eshte ne origjine te vete shoqerise shqiptare. Nga Besa marrin jete te gjitha strukturat dhe institutcionet e brendeshme te shoqerise, qe ndertohen sipas ligjeve te percaktuara ne kanun. Keto sturktura jane te perhereshme, te pandryshueshme ….”
Prof Fabio Berti shkruan: “Kanuni i Lek Dukagjinit, mbetet ende një mit, që evokon diçka misterjoze dhe të panjohur, pasi në Kanun janë ngulitur mençuria e moçme dhe irracionalizmi, aktualisht në shumë aspekte të çdukura, por nga ky libër na bëjnë t’i shikojmë shqiptarët me një optikë tjeter, jo si një popull i humbur e pa dinjitet, por një popull krenar, me hsitorinë e tij të gjatë dhe me bashkësi traditash me vlera dhe jo ashtu si e prezanton Gianni Amelio në filmin e tij Lamerika. Pra Kanuni është një vepër monumentale, është pasuri e kulturës dhe e të drejtës zakonore shqiptare, që pasqyron si është ndertuar në shekuj tradita shqiptare”.
Prof Franko Belli ne parathenien e librit shkruan: “Kanuni i Lek Dukagjinit i transmetuar gojarisht gjatë shekujve, si burim i vetëm i të drejtës, që ka rregulluar jetën shoqërore të një populli te martirizuar dhe pa ligje të tjera, u mblodh dhe u kodifikua në fillimet e shekullit XX nga At Sh. Gjeçovi, madje ende mbetet i dukshëm në jetën e shoqërisë shqiptare, në menyrë te veçantë parimet etiko-morale, që përbëjnë thelbin e Kanunit si besa, fjala e nderit, miku, vllazërimi, burrënia etj.”.
Studiuesi italian Donato Martucci, në punimet e tij dedikuar kanunit thekson: “Me Kanunin e Lek Dukagjinit, Shqipëria ishte vënë përballë jo vetëm kodifikimit të zakoneve, që rregullonin jetën shoqërore, por më shumë kishte kodifikuar strukturën etike dhe morale. Kanuni prezan-tonte një sistem interpretimi dhe vlerash të një universi simbolik, që i respektonin të gjithë, duke filluar nga individet, të cilët me këto vlera integroheshin në shoqeri, ku bënin pjesë si anëtar të saj dhe sejcili i prezantuar me identitetin e vet”.
Nga ky vështrim, rezulton se Kanuni i mbledhur dhe i kodifikuar nga legjislatori i dytë At Shtjefën Kostanin Gjeçovi – Kryeziu, është vepër monumentale unikale e te drejtës shqiptare – Jus Albaniense, me përmbajtje dhe frymëmarrje të gjërë humanistike.
Ndonëse për shekuj kishte mbetur i pashkruar, Kanuni – kodi ynë i te drejtës, u transmetua brez pas brezi nga pleqt mentora, që i percollën besnikerisht e të pa ndryshuara të gjithë librat, kapitujt, nyjet e tij dhe gjithmonë e mbajtën aktiv në drejtimin e shoqërisë shqiptare.
Kjo kryevepër juridike dhe etiko-morale e të drejtes shqiptare, e mbledhura nga At Gjeçovi, tregon qartë aftësitë e popullit tonë për të vetëadministruar, veteorganizuar dhe veteqeverisur jetën e tij dhe për këto qellime madhore, ka përdorur eksperiencën e tij juridike, kulturën e tij dhe normat e veta etiko – morale, që mbijetuan me të gjitha vlerat deri në ditët e sotme, duke i treguar botës se jemi një popull me kulturë të lartë dhe cilësore dhe jo barabarë.
Sa më shumë kthehemi pas të veshtrojmë historinë e vjetër shqiptare në shekujt e pushtimit romak, bizantin, bullgar, serb e më pas në vitet e pushtimit të egër turk, kuptohet qartë rëndësia e Kanunit, qëndrushmëria dhe forca e tij vepruese, që përballoi dhe konkuroi ligjet drakoniane shtypëse dhe shfrytëzuese të gjithë pushtuesve.
Malesorët shqiptarë, ndër shekuj janë vetorganizuar dhe e kanë vetadministruar jetën e tyre sipas ligjeve të Kanunit e kësisoj kanë autokonservuar dhe mbrojtur autonominë, pavaresinë dhe identitetin e tyre etnik e kulturor, kane ruajtur me besnikëri gjuhën e bukur e të lashtë shqipe, doket dhe vlerat etnografike, duke garantuar mbijetesën dhe identitetin tonë kombetar.
Kanuni i Maleve Shqiptare, i mbledhur dhe i kodifikuar nga legjislatori i dytë At Shtjefen Gjeçovi, ka arrijt deri në ditët e sotme me disa modifikime të diktuara nga rrethanat historike të kohës, por përgjithësisht mbeti i pandyshuar, i trasmetuar besnikërisht nga tradita e jonë gojore, në formën e “tabelave të vlerave” si thotë Nietzsche, si pjesë integrale e monumentale e historisë dhe e kulturës sonë të lashtë dhe bashkëkohore shqiptare.
Flitet dhe shkruhet Kanuni ne numër njëjës dhe në fakt është e drejtë, pasi Kanuni është një, ne te gjitha trevat ka pergjithesisht te njejten permbajtje dhe ishte veprues nga veriu në jug të trojeve shqiptare, pavaresisht se njihet me emëra te ndryshem dhe pse identifikohet me emera trevash e rajonesh te banuara nga shqiptaret.
At Shtjefen Gjeçovi, mblodhi dhe kodifikoi Kanunin e Lek Dukagjinit, që vepronte në trojet veriore të vendit, por në vitet e më pasme u verifikua se vepronte fuqishëm dhe në treva të tjera, për çka shumë studiues, sidomos të huajt, kur u njohën me këto Kanune, i emërtuan me emërin e trevës ku vepronte.
E drejta shqiptare – Jus Albaniense – Kanuni i Maleve Shqiptare, njihet me disa emëra si: Ligji i Vjetër, Ligjet e Lashta, Ligji i Ligjeve, Kanuni i Vjetër, Kanuni i Pleqënisë, por quhet dhe me emëra të përveçëm si: Kanun i Lek Dukagjinit, Kanuni i Skenderbeut, Kanuni i Mirditës, Kanuni i Malësisë së Madhe, Kanuni i Martaneshit, Kanuni i Bendës, Ligji i Dibrës, Kanuni i Lurës (ose Kararet e Lurës), Kanuni i Must Ballgjinit (Kanuni i Çermenikës), Kanuni i Kurbinit, Kanuni i Pukës, Kanuni i Lumës, Kanuni i Malësisë së Lezhës, Kanuni i Malësisë së Gjakovës, Ligjet e Shpatit, Kanuni Labërisë, Kanuni i Papa Zhulit, Rregullat e Idriz Sulit, Kanuni i Çamerisë, Ligjet e Himarës, Kanuni i Toskerisë.
Pra Kanuni nuk i përket vetëm banorëve të malësive të veriut, si flitet jo rralle dhe si kanë shkruajtur shume studiues te huaj, sidomos ato te gjeneracioneve te reja, perkundrazi, është e drejta mbarë shqiptare, që ka vepruar kudo ku banojnë shqiptarët, brenda dhe jasht kufijëve shtetëror.