Albspirit

Media/News/Publishing

FYTYRA E QESHUR E PARLAMENTIT

FYTYRA E QESHUR E PARLAMENTIT

 

Nga Pëllumb Kulla

 

Shtysë për këtë shkrim të ri m’u bënë fytyrat e lumtura të atyre që u ndeshën e u përleshën në rrafshin e formulimeve te reformës, muaj me radhë dhe që të gjithë sot lumturojnë.
I lumturon jo reforma për drejtësinë, por nevoja për t’u shtirur se kanë fituar mbi njëri tjetrin.
Lumturohem edhe unë që në këtë vend të shtrenjtë nuk ka të humbur, por veç fitimtarë.
Duket sikur shtirja ka mbetur që në kohë të mbretërimit të Hoxhës, kur më të rraskapiturat nga përdorimi ishin fjalët “fitore” dhe “lumturi”, që i gjeje me bollëk nëpër këngë, në artikuj dhe fjalime.
Është thjesht një tipar origjinal, shqiptar, tradicional dhe më mirë kjo mund të vihet re sidomos, sot kur reforma ka lumturuar me të drejtë aktivistin më të përkushtuar, Ramën, por tapat e shampanjës po kërcejnë edhe më shumë në ballkonet e Bashës dhe të Metës.
Në të vërtetë shumica e shqiptarëve e ka pritur me mosbesim rezultatin e ujdisë së politikanëve dhe festa nuk është shtrirë tej perimetrit të zyrave të partive dhe parlamentit shqiptar. Se u kokolepsën shumë formulimet, pjesëmarrësit, zgjedhjet e njerëzve që do të zgjedhin ata që duhet të bëjnë zgjedhjen! Njerëzit, ku mund të futem edhe unë, janë më shumë të hutuar se sa të gëzuar nga ajo që u arrit. Të uriturit nuk të brohorasin kur ti, në vend t’u vesh përpara pjatën e gjellës, u ve skicën e restorantit që do të ndërtosh.
Reforma e vërtetë nis ditën që dikushi me peshë del para togave të zeza. Pra jo se nuk shpresohet, por ama jemi akoma në fazën e premtimeve! Vlera e kaq shumë përpjekjeve ka kuptim, kur prapa hekurave shkon një dash me këmborë, siç vajti në Kroaci, Bullgari, Rumani dhe gjetiu. Vetëm kur të vijë ajo ditë historike, ajo do të fitonte besimin e njerëzve, pasi sot e njëzetepesë vjet në vend të zbresin në thellësitë e burgjeve politikanët, shohim njerëz të burgjeve që ngjiten përpjetë politikës. Kjo është arsyeja që gëzimin e fitores e sheh vetëm në fytyrat e politikanëve dhe jo në atë të shqiptarit të rrugës.
Në fakt vetëm fytyrat e çobanëve të politikës janë të qeshura dhe është ngaqë nevojat jetike i detyrojnë të duken ashtu. Një fytyrë e ngrysur do të tregonte açik që reforma që sapo u votua është çarku që do të mbërthejë atë. Çehrja e ngrysur është baraz me një akt dorëzimi. Ngrysja sikur e kandidon për gjyqin e madh. Njëra nga fytyrat e ngrysura, për shembull, do të lexohej sikur ai e pranon që 21 janari po e kërkon kurban, të tjera fytyra si ajo do të dëshmonin se proceset e mbyllura nuk janë mbyllur mirë.
Prandaj e qeshura me sy të ndritshëm dhe dhëmbët jashtë është e nevojë dhe jo lumturi. Po ta keni vënë re në zgjedhjet tona, nuk humbet askush. Njëra palë fiton e merr pushtetin, tjetra fiton, por nuk vjen në pushtet, ngaqë ulurin dhe është e sigurt se janë vjedhur votat! Për këtë pothuaj nuk respektohen statutet e partive, që thonë se i pari i partisë duhet të mënjanohet kur humb zgjedhjet. Si mund të japë tjetri dorëheqjen, kur ai ka fituar bindshëm, por i janë vjedhur votat dhe i janë blerë komisionerët?!
Por ilustrimi më i mirë, për rastin kur fitojnë të gjithë, një nga kulmet e këtij teatri madhor, është rasti i kushtetutës së sotme, hartuar dhe e votuar më 1998. Ishte një përplasje e madhe mes Berishës që fushatonte që t’i thuhej JO asaj kushtetute të papranueshme dhe Fatos Nanos që bënte gjerësisht përpjekje që shqiptarët t’i thoshin PO, dokumentit historik. Pas dy fushatave paralele të lodhshme dhe ballaballë të kundërta, u arrit në votim mbarëpopullor.
Të nesërmen, pas numërimit të votave, gazetat e Nanos flakëritën për fitoren historike që populli votoi PO, kurse mediat e Berishës, me tituj të mëdhenj, brohoritën dhe falënderuan popullin shqiptar që mundi t’i thotë kushtetutës JO!
Nuk është aspak detaj i ndonjë skenari filmash komikë. Kremtimet e të dy palëve vazhduan javë të tëra dhe kulmuan me dy festa triumfi, me dollira dhe shampanjë. Bash në të njëjtën ditë dhe ekzaktësisht në të njëjtën orë: Nanoja darkë festive,në Pallatin e Brigadave, kurse Berisha pritje madhështore dhe gosti në Hotel Tirana! U zbrazën shishet dhe u hodhën fishekzjarre për të dy fitoret që nuk konvergonin gjëkundi me njëra tjetrën!
Kushtetuta nuk ndryshoi dhe mbeti një. Fitoret ishin dy. Dhe që të dyja ishin fitore të popullit shqiptar.
Ne, pra, kemi historinë që i kënaq të gjithë. Akoma kemi njerëz që heroit kombëtar, Kastriotit, i thonë cub, teksa Shenjti ynë njihet botërisht si Kalorësi i rezistencës anti-otomane dhe Mbrojtës i Krishterimit të Europës. Ndër ne, luftën kundër hordhive naziste, gjysma e popullit e quan luftë civile dhe gjysma tjetër krenohet me epopenë më të lavdishme për liri. Mbreti Zog është edhe shtetari më i shquar edhe tradhtari më i mallkuar i vendit, ndërsa Enveri është edhe shëmbëlltyrë e egër e Stalinit, edhe burri më i shquar i të gjitha kohërave….
Kemi dy histori që nuk bëhen kurrë bashkë. Nuk piqen, siç thashë as për ngjarje të shekullit 14, shtatë shekuj thellë! E ndoshta është i vetmi popull, që për të bashkuar kundërshtitë për t’u pjekur në një mendje duhet të hyjë edhe më thellë akoma, aty, ku të gjithë ne rrjedhim nga majmunët. Nga ata me dhëmbët jashtë, ama! Nga ata, që njërën pëllëmbë leshatore e ngrinin lart për brohoritje dhe me leshatoren tjetër mbaheshin nëpër degët e pemëve, që të mos gremiseshin e thyenin qafën. Dhëmbët tërë kohën jashtë! Gjuha nuk u kish ardhur ende, por me klithma dhe hungërima duket se nisën që atëherë të na formulonin atë të famshmen, shqiptaren, “me ne fitojnë të gjithë!”

 

Please follow and like us: