Albspirit

Media/News/Publishing

Gjykata, prokurorisë: Heto edukatoren, dyshohet se rrahu 6-vjeçarin

Ngjarja ka ndodhur vitin e kaluar, por akuza pushoi hetimet. Urdhërohet pyetja sërish e stafit, bërja e një akti ekspertimi dhe përse nuk u lajmëruan prindërit për “aksidentin”

Sokol Çobo

foshnja_1Gjykata e Tiranës ka urdhëruar prokurorinë që të hetojë një rast të dyshimtë të dëmtimit të një fëmijë vetëm 6-vjeç në një kopsht në kryeqytet. Sipas vendimit që disponon gazeta “Shqip”, ka rezultuar se prokuroria ka vendosur në vitin 2015 mosfillimin e hetimeve ndaj shtetases A.P., edukatore në kopshtin nr.26 në Tiranë. Për këtë vendim, është ankuar shtetasja A.Gj., e cila ka kërkuar shfuqizimin e vendimit dhe vazhdimin e hetimeve të mëtejshme. Nga shqyrtimi gjyqësor, rezultoi se pretendimet e A.Gj., janë të drejta. Sipas gjykatës, nga dosja penale e administruar prej 22 faqesh, rezulton se fëmija i mitur D.Gj (6 vjeç) është djali i kallëzueses A.Gj. i cili frekuenton kopshtin nr. 26 në Tiranë. Pikërisht në datën 23.06.2015 rreth orëve të pasdites kur e ëma e tij ka shkuar për të marrë fëmijën, ajo e ka gjetur atë të fashuar në kokë dhe me njolla gjaku në veshjet e tij.

Rreth interesimit të saj mbi këtë ngjarje, kallëzuesja pohon se nuk ka mundur të kontaktojë fizikisht shtetasen A.P., e cila është edukatorja përgjegjëse për fëmijën e saj, pasi ajo ishte larguar, por ajo ka kontaktuar me një kolege të saj, R.A., e cila e ka bërë me dije kallëzuese se djali i saj D.Gj. është dëmtuar në kokë duke lozur me fëmijët dhe ai është shoqëruar për në qendrën spitalore, ku edhe ka marrë ndihmën mjekësore duke mjekuar plagën dhe është kthyer përsëri në kopsht.

Rreth këtij fakti kallëzuesja deklaron se ndonëse prej saj ishte depozituar nr. i telefonit të familjes së saj, pikërisht për të njoftuar ngjarje të tilla, prej stafit të atij kopshti dhe veçanërisht prej edukatores A.P. nuk është mundësuar një njoftim i tillë. Madje sipas kallëzueses ajo në asnjë rast nuk e ka takuar edukatoren, por ka folur vetëm një herë në telefon me të, ku sipas kallëzueses kjo e fundit është justifikuar duke i thënë se djali i saj është penguar duke luajtur me shokët.

Në lidhje me kallëzimin, prokuroria pasi ka administruar këtë kallëzim penal, ka vendosur mosfillimin e tij. Në arsyetimin e vendimit, gjykata bëhet me dije midis të tjerave se në rastin në fjalë e kallëzuara A.P nuk mund të ngarkohet me përgjegjësi penale pasi dëmtimet e fëmijës D.Gj. janë aksidentale dhe në këtë kuptim fakti i kallëzuar nuk parashikohet nga ligji si vepër penale. Pikërisht, një përfundim të tillë kjo gjykatë nuk e gjen rezultat të një argumentimi juridik. Në konkluzionin se kjo çështje duhet të dërgohet në organin e akuzës për vazhdimin e hetimeve të mëtejshme, kjo gjykate arrin duke vlerësuar se organi i akuzës, pasi ka administruar kallëzimin e kallëzueses si edhe deklarimet e saj, si edhe pasi ka pyetur disa punonjës të atij personeli -ai organ- ka vendosur si në mënyrën e sipercituar.

Pikërisht ndjekjen e një procedure të tillë, gjykata e gjen të pamjaftueshme për të arritur në një përfundim, që duhet të ishte rezultat i një hetimi të plotë dhe të gjithanshëm. “Rreth sa sipër gjykata konsideron se në rastin në gjykim diktohet nevoja e kryerjes së veprimeve të plota hetimore të tilla që të hedhin dritë në faktin nëse rasti në fjalë ka ndodhur si në mënyrën e sipërtreguar nga ana e organit të akuzës, apo ngjarja që ka sjellë si pasojë dëmtimin e fëmijës ka ardhur si rezultat i mospërmbushjes së rregullt të detyrës prej edukatores A.P. Gjithashtu edhe hetimin rreth dëmtimeve të fëmijës D.Gj. gjykata e vlerëson të domosdoshëm, veçanërisht në kuptim të faktit që lidhet me klasifikimin tyre dhe për pasojë të ekzistencës eventualisht të kryerjes së veprës penale të ardhur si pasojë e pakujdesisë në ushtrim të detyrës. Hetimet sa sipër duhet të orientohen jo vetëm me administrimin e kartelës klinike në lidhje me trajtimin e fëmijës D.Gj. në qendrën spitalore, por edhe të kryerjes se një akti ekspertimi mjeko ligjor për klasifikimin e dëmtimeve tek i dëmtuari. Edhe hetimin e arsyeve të mosnjoftimit të prindërve të të miturit rreth ngjarjes së ndodhur, gjykata e konsideron një domosdoshmëri. Gjykata vlerëson se organi i akuzës do të arrinte në përfundim të drejtë vetëm duke plotësuar sa sipër si edhe duke kryer veprime të tjera hetimore që do të plotësonin kuadrin e një hetimi të plotë dhe të gjithanshëm në lidhje me faktet e pretenduara në këtë kallëzim penal” thuhet në vendim.

Please follow and like us: