Merkel i jep zemër një kombi të tronditur
Angela Merkel ndërpreu pushimet e verës për t’iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve në konferencën e posaçme për sigurinë e politikën e jashtme, pas sulmeve në Gjermani. Ajo prezantoi planin 9-pikësh për më shumë siguri.
Konferenca shtypit e verës tradicionalisht jepet në gusht, por për shkak të gjendjes së krijuar në Gjermani, pas katër sulmeve në një javë, ku tre prej tyre u kryen nga refugjatë, me sa duket kancelarja gjermane e zhvendosi atë të enjten (28.07). Merkeli dënoi sulmet terroriste, me sfond islamist, jo vetëm në Gjermani, ajo iu referua edhe sulmit të fundit në Nica, në Orlando, apo atij kundër një prifti katolik para pak ditësh duke theksuar se terroristët duan të mbjellin urrejtje. Ajo i cilësoi sulmet si “thyerje të tabuve të civilizimit”. Merkel theksoi se ndodhemi para një sprove të madhe, si Gjermania dhe Europa, tek fqinjët tanë është luftë, tha ajo duke iu referuar Francës. “Por edhe kësaj sfide do t’ia dalim”, tha Merkel. Ndodhitë e fundit kanë sjellë frikë tha ajo, por “frika nuk duhet të jetë udhëzues për veprimin politik”.
Plan nëntëpikësh për sigurinë
Kancelarja gjermane u shpreh, se nëse terrori kërkon që të mbjellë urrejtje dhe të përçajë shoqërinë, ne do t’u mbetemi besnik parimeve tona. Ajo paraqiti një plan nëntëpikësh për sigurinë, që do kërkojë masa shtesë në Gjermani duke filluar nga ulja e pengesave burokratike për kthimin e azilkërkuesve, ruajtjen e të dhënave, bashkëpunimi më i mirë mes shërbimeve sekrete, por edhe tek zhvillimi i një sistemi të hershëm paralajmërimi për radikalizimin. Do bëjmë të pamundurën që njerëzit të ndjehen të sigurtë”, tha Merkel. Këtu duhet të ruajmë balancën e sigurisë dhe lirisë sonë, e të sigurohet që “të vazhdojmë të jetojmë mënyrën tonë të jetesës”.
Kancelarja gjermane iu referua edhe fjalisë që përmendet shpesh në Gjermani, e thënë para një viti në lidhje me valën e refugjatëve që po vinte në Gjermani. Kur thashë para në viti “ne ia dalim mbanë” nuk kisha parasysh që kjo ishte një detyrë që bëhet aq lehtë, krahas të tjerave, kjo është sprovë historike në kohët e globalizimit, tha Merkel. Por prapë ajo theksoi se ka besim që do t’ia dalim mbanë të gjithë bashkë.