Albspirit

Media/News/Publishing

Obama, thirrje demokratëve për të mbështetur Hillary Clinton

  • Jim Malone

Presidenti Barack Obama doli dje para pjesëmarrësve në Kuvendin Demokrat në Filadelfia ku foli për rëndësinë e zgjedhjes së Hillary Clintonit si presidente. Zoti Obama dhe demokratë të tjerë të njohur u hodhën në kritika të hapura ndaj kandidatit republikan Donald Trump. Toni i fjalimeve dhe kritikat e ngritura sinjalizojnë se do të ketë një fushatë intensive dhe të ashpër për zgjedhjet e nëntorit.

Presidenti Barack Obama, doli përsëri në skenën e Kuvendit Demokrat.

Por këtë radhë zoti Obama e mori fjalën për të folur për meritat e ish-rivales së tij politike, Hillary Clinton, e cila tani shpreson të bëhet presidentja e ardhshme e Shteteve të Bashkuara.

Fillimisht, presidenti u ndal tek pretendenti republikan për këtë post, Donald Trump.

“Ai na ofron vetëm sllogane, ai i mëshon frikës. I ka varur shpresat tek bindja se po të frikësojë një numër të mjaftueshëm njerëzish, mund të marrë vota të mjaftueshme për të fituar zgejdhjet. Por nuk do t’i dalë ashtu, pasi plani i tij bazohet mbi një gjykim të gabuar për amerikanët”.

Duke folur për meritat e zonjës Clinton si kandidate, Presidenti Obama tha se askush nuk ka qenë më i përgatitur për këtë detyrë, apo për të bashkuar vendin:

“Këtë vit, në këto zgjedhje, ju bëj thirrje të bashkoheni me mua, të lini mënjanë cinizmin dhe frikën, të niseni nga vlerat më të mira që kemi brenda vetes, të zgjidhni Hillary Clintonin si presidenten e ardhshme të SHBA dhe t’i tregoni botës se ne ende besojmë tek premtimi që ofron ky vend i madh”.

Një moment simbolik në skenë, i ngjashëm me kalimin e stafetës, i bëri delegatët të shpërthenin në brohoritje.

Demokratët po ashtu pritën me entuziazëm Nënpresidentin Joe Biden, i cili u hodh menjëherë në sulm kundër Donald Trumpit.

“Një njeri që përpiqet të mbjellë përçarje në Amerikë për përfitimin e vet, si dhe shkakton rrëmujë në botë; një njeri që ngatërron arrogancën me forcën. Nuk mund ta lejojmë një skenar të tillë për amerikanët”.

Më herët dje, demokratët emëruan zyrtarisht Senatorin nga Virxhinia Tim Kaine si kandidatin e tyre për nënpresident.

Në fjalën e tij, zoti Kaine la të kuptohej se është i gatshëm për betejën elektorale:

“Ky vend është tepër i mrekullueshëm për ta lënë në duart e një njeriu të paskrupullt, që ofron sllogane, premtime boshe e që do të sillte shkatërrim”.

Vetë Donald Trumpi vazhdoi dje fushatën me sulme të reja kundër Hillary Clintonit, duke vazhduar t’i referohej rivales së tij si një politikane mashtruese.

Por zoti Trump tronditi shumë njerëz kur i bëri thirrje Rusisë të përpiqet të gjejë emailet e zhdukura nga koha kur Hillary Clinton ishte sekretare shteti.

“I drejtohem Rusisë, nëse më dëgjoni, përpiquni të gjeni 30 mijë emailet e zhdukura. Mendoj se shtypi do t’jua shpërblejë dukshëm”.

Komentet e zotit Trump shkaktuan një reagim të ndezur tek folësit në Kuvendin Demokrat, përfshirë ish-Sekretarin e Mbrojtjes Leon Panetta, si dhe ish-Nënsekretarin e Shtetit Nicholas Burns, i cili foli me Zërin e Amerikës:

“Është një akt kundër Amerikës, është tradhëti ndaj interesave dhe vlerave tona dhe është një kalkulim tepër i gabuar i Trumpit kur i thotë këto fjalë”.

Tani demokratët presin momentin më kulmor të javës: fjalimin që do të mbajë sonte zonja Clinton ku ajo do të pranojë emërimin e Partisë Demokrate, si e para grua që përfaqëson një parti kryesore politike në zgjedhjet presidenciale amerikane.

Please follow and like us: