Për bastardët dhe bërësit e kombit e të shtetit shqiptar
Ish-kryeparlamentari i Kosovës, historiani Jakup Krasniqi, i rikthehet shëmbëlltyrës së themeluesit të shtetit shqiptar, Ismail Qemal Vlorës, duke aluduar në “bastardët e mohuesit (e tashëm) të kombit e të shtetit”, rikujton rrugëtimin që bënë “Bërësit e Kombit e të Shtetit Shqiptar!”
Shkrimin e tij po e botojmë të plotë në vazhdim.
Kur bastardë e mohues të kombit e të shtetit, të kulturës e të gjuhës mohojnë gjërat më të shenjta të kombit shqiptar, ne, që e ndoqëm në rrethana jo të lehta atë rrugë, rrugën e çlirimit e të lirisë, nuk na mbetet tjetër vetëm të vihemi në mbrojtje të pa pardon të kombit, të shtetit, të gjuhës, të kulturës e të vlerave tona kombëtare edhe duke i përkujtuar të Mëdhenjtë e Kombit! Bërësit e Kombit e të Shtetit Shqiptar!
“Ismail Qemali – Drejt pavarësisë së Shqipërisë”
Në tetor të vitit 1911, Ismail Qemali udhëtoi në Evropë: në Francë, Britani të Madhe dhe në Austro-Hungari, duke bërë përpjekje t’i bindte këto vende që të ndihmohen shqiptarët për t’u ndarë nga Perandoria Osmane. Por ato, sidomos Austro-Hungaria, që konsiderohej si mbrojtësja më e fuqishme e kërkesave të shqiptarëve, u deklarua “se nuk ndërhynte në punët e brendshme të Turqisë”. Ndërsa, në dhjetor të vitit 1911, Ismail Qemali e Hasan Prishtina kërkuan nga Porta e Lartë që t’i vazhdonte reformat politike, ekonomike e kulturore në Shqipëri, me qëllim që të njihnin kombësinë shqiptare dhe të drejtën e tyre për vetëqeverim. Por, as kjo kërkesë nuk pati sukses, ndërsa shqiptarëve nuk po u mbetej tjetër veçse përgatitja e Kryengritjes gjithëshqiptare.
Fillimi i vitit 1912 solli ndarjen e detyrave në mes patriotëve shqiptarë. Kjo u bë në lagjen Taksim të Stambollit, në shtëpinë e Syrja Vlorës. Detyrat u ndanë në mes Ismail Qemalit e Hasan Prishtinës. I pari me një grup atdhetarësh duhej të dilte në Evropë për të kërkuar ndihmë (para dhe armë) nga kolonitë shqiptare për mëvetësinë e Shqipërisë, ndërsa i dyti duhej të shkonte në Kosovë për të filluar kryengritjen e armatosur antiosmane, që në histori njihet si Kryengritja e Përgjithshme Shqiptare, e cila duhej të shpërthente njëherësh në gjithë Shqipërinë.
Fuqitë e Mëdha, pas fitoreve të shpejta të aleancës ballkanike mbi ushtrinë e Perandorisë Osmane, e ndryshuan qëndrimin e tyre për ruajtjen e status quos, tani ishin për ndryshimet territoriale në të mirë të shteteve të Ballkanit, anipse ato fitore po përcilleshin me shpërngulje e masakra të mëdha mbi popullsinë shqiptare autoktone. Në një situatë të tillë, tepër të vështirë për shqiptarët, Ismail Qemali dhe Luigj Gurakuqi vendosën të dalin në Evropë, ku mendonin se do të gjenin një mbështetje, sidomos nga Lidhja Tripalëshe. Por, ata paraprakisht do të shkonin në Bukuresht, ku ishte një koloni e fuqishme atdhetarësh shqiptarë. Më 5 nëntor 1912 në Bukuresht u organizua një mbledhje e rëndësishme për rrjedhat e mëpastajme për Shqipërinë dhe shqiptarët. Mbledhja arriti tri qëllime të rëndësishme politike e kombëtare, dhe këto ishin: a) U arrit të themelohej “një komitet drejtonjës” që do të kujdesej për qeverimin e vendit; b) Krijoi një komision i cili para Fuqive të Mëdha do t’i mbronte interesat e Shqipërisë, dhe c) Një komitet që do t’i bashkërendonte punët me komitetet e Shqipërisë në interes të atdheut. Disa nga Fuqitë e Mëdha, pas disfatës se ushtrisë osmane filluan ta përkrahnin autonominë e Shqipërisë, por tani kërkesa për autonomi nuk kishte asnjë kuptim. E vetmja kërkesë e drejtë për shqiptarët do të ishte pavarësia e Shqipërisë. Kjo bëri që Ismail Qemali, më 19 nëntor nga Triesta të deklaronte “…menjëherë pas mbërritjes së tij në Shqipëri do të shpallej pavarësia e Shqipërisë dhe do të zgjedhej qeveria e përkohshme”. Nuk ka dyshim, ky ishte një vendim vizionar i Ismail Qemalit dhe i atdhetarëve që e rrethonin, për fatet e mëvonshme për Shqipërinë dhe shqiptarët.
Atdhetarët, e prirë nga Ismail Qemali, do të arrijnë në Durrës më 21 nëntor 1912 dhe aty do të hasin rreziqe të mëdha. Në një situatë të tillë i propozojnë Ismail Qemalit që të strehohej në konsullatën austro-hungareze. I përballur me një kërkesë të tillë, Ismail Qemali do të deklarojë: “Unë erdha këtu për një ide që të shpëtoj atdhenë tonë prej skllavërisë së armiqve. Në qoftë se unë do të kthehem e do të hyj në konsullatë ose do të iki për të shpëtuar veten time, ideja dhe shpëtimi i atdheut fluturojnë, ikin me mua; në qoftë se arrij në Vlorë, dëshira ime plotësohet, në qoftë se do të vritem, e do të vdes, atëherë do të bëhëm dëshmor. Hajde, marrsh”. Kjo është një dëshmi tjetër e fortë se Ismail Qemali i tëri i ishte nënshtruar idealit kombëtar për Shqipërinë e lirë e të pavarur. Kjo forcë e vendosmëri, guxim e ndjeshmëri atdhetare jo vetëm që nuk mund të ishte e çastit, por tregon se kishte rrënjë të thella atdhetare te ky personalitet me integritet të lartë njerëzor e patriotik, që sigurisht nuk mund ta gjejë te sëra e tij e klasës meskine, e cila me tërë egërsinë e saj anadollake ishte hedhur kundër tij dhe Shqipërisë së pavarur. Jo vetëm ky rast, por e tërë jeta e tij ishte jetë me integritet të lartë politik, intelektual e atdhetar, andaj çdo përpjekje “shkencore” e cilitdo të ashtuquajtur historian për ta njollosur nderin e urtisë kombëtare – Ismail Qemalin – janë e do të mbesin të deshtuara e mjerane.
Këtu e 100 vjet më parë, në një vjeshtë të vonë e të ftohtë të nëntorit të përflakur të lirisë, në vitin e bereqetit të madh të Nëntorit 1912, në një mot të vështirë me shi nga qielli e baltë nga toka, në udhë e pa udhë, nëpër këneta e moçale të Myzeqesë, në këmbë e në karrocë kuajsh, një grup atdhetarësh të devotshëm e përkushtues, në krye me Ismail Qemalin – plakun me flokë, me mjekër e zemër të bardhë – me shikim shqiponjash, njerëz me zemra të zjarrta e me mendje të ndritura po shkonin nga Durrësi, nëpër Lushnjë e Fier drejt Vlorës së lavdishme të flamurit të Skënderbeut. Ata me vete bartnin shpresën e Shqipërisë e të shqiptarëve, amanetin e brezave atdhetarë, aspiratën e gjeneratës së pavarësisë dhe ardhmërinë e brazave të rinj shqiptarë kudo ku ata jetonin, punonin e luftonin për Shqipërinë.
Pas udhëtimit me shumë rreziqe, Ismail Qemali, i përcjellë edhe me përfaqësues të trevave të ndryshme të Shqipërisë, më 25 nëntor arrin në Vlorë. Pritja e Ismail Qemalit ishte madhështore, për këtë pritje Ismail Qemali shkruan: “Një zjarr i shenjtë patriotizmi kishte pushtuar qytetin ku kisha lindur dhe populli më përshëndeste kudo me entuziazëm dhe gëzim”. Në këtë kohë ushtria serbe po marshonte në drejtim të Durrësit, ndërsa Elbasani më 25 nëntor ngriti flamurin dhe shpalli pavarësinë, të nësërmen, pavarësinë e shpalli Durrësi, ndërsa më 27 nëntor pavarësinë e shpallën Kavaja, Peqini e Lushnja. Në mbrëmjen e 27 nëntorit, delegatët që kishin arritur në Vlorë, edhe pse shumë të tjerë nuk kishin arritur, për shkak të luftimeve që zhvilloheshin në shumë anë të Shqipërisë, e marrin vendimin për shpalljen e pavarësisë së Shqipërisë, më 28 nëntor 1912.
Në Kuvendin Kombëtar të Vlorës merrnin pjesë delegatët nga të gjitha trevat etnike të Shqipërisë. Kjo përbërje i dha atij karakterin e një Asambleje Gjithëkombëtare. Ky në fakt ishte vullneti i gjithë shqiptarëve të Shqipërisë etnike, i asaj Shqipërie që përfshinte të katër vilajetet e Rumelisë, ku shqiptarët ishin shumicë. Para kuvendarëve, Ismail Qemali shpalli qëllimet që duhet t’i arrinin shqiptarët. Ato qëllime ishin: “Të bëhet Shqipëria më vehte me një Qeveri të Përkohshme; të zgjedhet një pleqësi për ndihmë dhe kontroll të Qeverisë; të dërgohet një komision në Evropë për të mbrojtur çështjen para mbretërive të mëdha”. Kuvendi zgjodhi Ismail Qemalin Kryetar e Luigj Gurakuqin Sekretar të Parë. Më pas, me propozimin e Kryetarit u nënshkrua Deklarata e Pavarësisë, e cila u nënshkrua nga të gjithë delegatët e pranishëm. Në Deklaratën e Pavarësisë së Shqipërisë thuhej: “…Shqipëria me sot të bëhet më vehte, e lirë e mosvarme”. Kjo nuk ishte deklaratë për Shqipërinë londineze, ishte deklaratë e delegatëve të të gjitha tokave të Shqipërisë, të Shqipërisë së 90.000 km2, të Shqipërisë së katër vilajeteve shqiptare.
Pas shpalljes së Aktit të pavarësisë së Shqipërisë, vjen akti tjetër po aq i rëndësishëm e i madhërishëm, ngritja e flamurit të Skënderbeut në Vlorë, pas 469 vitesh nga ngritja e tij në Krujën historike nga Gjergj Kastrioti – Skënderbeu. Shpallja e pavarësisë së Shqipërisë, së bashku me ngritjen e flamurit më 28 Nëntor 1912, mbeten si dy binjakë të pandashëm për t’i bërë bashkë gjithë shqiptaret kudo që ishin, në liri apo në robëri, për të festuar e kujtuar gjithë këtyre 100 vjetëve Pavarësinë e Shqipërisë dhe Festën e Flamurit të Skënderbeut, që Ismail Qemali dhe brezi i pavarësisë rilindën Shqipërinë dhe Flamurin e Skënderbeut pas gati pesë shekujve robërie.
Në mbledhjen e Kuvendin të 4 dhjetorit 1912, ku morën pjesë 63 delegatë, Ismail Qemali u zgjodh Kryetar i Qeverisë dhe Ministër i Punëve të Jashtme. Dom Nikoll Kaçorri, nënkryetar, Myfit Libohova – Ministër i Punëve të Brendshme, Abdi Toptani – Ministër i Financave, Mehmet Pashë Deralla – Ministër i Luftës, Petro Poga – Ministër i i Drejtësisë, Luigj Gurakuqi – Ministër i Arsimit, Mithat Frashëri – Ministër i Punëve Botore, Pandeli Cale – Ministër i Bujqësisë dhe Lef Nosi – Ministër i Postë-Telegrafit. Pas shpalljes së pavarësisë, ngritjes së flamurit në Vlorë dhe formimit të kabinetit qeveritar, Fan S. Noli do të shkruajë: “Ju përgëzoj për veprën tuaj patriotike. Rroftë Shqipëria! Rroftë Kabineti i ri!” Edhe pse pavarësia nuk do të njihej nga Fuqitë e Mëdha e as nga Turqia e shtetet fqinje, Qeveria e Përkohshme vazhdonte t’i kryente punët e veta karshi popullit e atdheut. Pasi Fuqitë e Mëdha caktuan Komisionin e Kontrollit dhe Princ Vidin për sundimtar të Shqipërisë, Ismail Qemali dha dorëheqje dhe doli në Evropë për të vazhduar angazhimet e tij për Shqipërinë e shqiptarët.
Ismail Qemali ndërroi jetë më 28 janar 1919 në Peruxha të Italisë pas një hemorragjie cerebrale. Në çastet e fundit Ismail Qemali ishte dëgjuar të thoshte: “Më helmuan!” Pas kësaj zemra e tij pushoi së rrahuri. E helmuan ata që e dëshiruan copëtimin e Shqipërisë së tij, të shpallur faqe botës më 28 nëntor 1912. Pasi ndërroi jetë Ismail Qemali, për figurën e tij shkruan shumë atdhetarë të devotshëm. Në këtë rast, në jubileun e 100- -të të pavarësisë së Shqipërisë do të veçoja atë që shkroi Mihal Grameno: “Mos qani dhe mos vajtoni kurrë të kurrës ju o malet e kodrat të Shqipërisë! Mos pushoni kurrë të kurrës ju lumenj me oshëtimet tuaja së treguari vendin të Pellazgëve, vendin të Lirisë edhe të qytetërimit, vendin ku janë lerë burrat më të mëdhenj të botës! Mos qani dhe kurrë të kurrës mos qani! […] Mos qani pra ju o shqiptarë se rron Plaku, posa që kemi për të gjyrmuar Program të tij kombëtar dhe ay program qëndron: ‘Shqipëria e shqiptarëvet’! Mos qani pra mos qani”. Ndërsa populli i këndoi: “Cili je ti more burrë! / Që don pallatet e mija?/ Unë jam Ismail Qemali, / Prapa më vjen historija”.
Ismail Qemali u varros më 12 shkurt 1919 në Vlorë. Fjalimin e përmortshëm e lexoi, para bajonetave të ushtarëve italianë, Jani Minga, i cili mes të tjerave tha: “Vdiq Ismail Qemali, vdiq Plaku i Vlorës, Plaku i Shqipërisë, luftëtari më i fortë i mendjes, i ndjenjave dhe i mendimeve kombëtare, vdiq mburesa më e fortë dhe më e madhe e kombit, vdiq politikani ynë më i madh dhe diplomati ynë më i dëgjuar, në fushën e politikës e të diplomacisë evropiane”. Këto janë 100 vitet e rrezatimit fisnik të Ismail Qemalit, që vazhdojnë të na mbushin energji pozitive për lirinë, demokracinë e zhvillimin e trojeve shqiptare.